` . Zgjedhjet që fundosën parti dhe (disa) liderë – TV SHENJA

Zgjedhjet që fundosën parti dhe (disa) liderë

Shkruan: Ismail Sinani

Zgjedhjet e 11 dhjetorit e (zh)vendosën edhe një herë Maqedoninë në epiqendër të analizave ballkanike. Që nga ajo ditë ky vend me një të kaluar fragjile nuk është më ashtu siç ka qenë, por as nuk do të jetë më ashtu siç kanë dashur disa krijues të politikave në dekadën e fundit.

Maqedonia, pavarësisht strukturës së ekzekutivit të saj të ardhshëm, tashmë po përjeton një transformim rrënjësor politik, të iniciuar nga forcat e reja politike, të cilat duket se “po i varrosin politikisht” ata që kishin imagjinuar pavdekësinë politike.

Pas fiks një dekade të etnonacinalizmit të sponsorizuar nga ish kryeministri, blloku politik maqedonas e ka shansin historik të zgjedh rrugën e paqes me botën e qytetëruar, por edhe me qytetarët brendapërbrenda, duke i mundësuar kështu vendit ecjen përpara.

Po ashtu edhe në kampin politik shqiptar u dha mesazhi i qartë se tashmë ka përfunduar era e politikave me fjalor patetik folklorik. Shqiptari i këtij i nënqielli u pa qartë se është bezdisur nga ngërçi i orës politike i dy politikanëve më të moshuar, që kanë udhëhequr popullin në këto 15, gjegjësisht 22 vjet.

Shkojmë me radhë… Qytetarët e këtij vendi në mesnatën e 11 dhjetorit u përballën me rezultatin më të papritur: as VMRO-ja nuk arriti t’i fitonte 63 mandate, me të cilat “do t’ua ulte kokën shqiptarëve”, e as LSDM-ja nuk arriti ta shënojë fitoren historike, me të cilën “do t’i jepte fund diktaturës”…

Teksa te maqedonasit mbretëronte kjo atmosferë, edhe pse duhet pranuar se nuk është i paktë numri i shqiptarëve që kanë votuar për socialdemokratët, në kampin puro-shqiptar, situata ndodhi të jetë pak më ndryshe. BDI-ja, ndonëse fituese teknike, në praktikë tashmë po shihet se është humbësja më e madhe. Si asnjëherë më parë, ajo ka përjetuar “gjakderdhje politike”, duke e vendosur këtë parti në pistën e Partisë për Prosperitet Demokratik, e cila për ata që nuk e dinë, në zgjedhjet e fundit, në total arriti të fitojë vetëm 1.100 vota. BDI-ja e mori dënimin pikërisht nga ata që i kishte përbuzur më së shumti – qytetarët e ndërgjegjshëm, të cilët nuk mund t’ia falnin milionat e zhvatur, “Sopotin”, rrahjet masive, bisedat e turpshme telefonike, përbuzjen e dinjitetit të femrës shqiptare në rastin “Monstra”, mendjemadhësinë e shfaqur rrugëve… e shumë e shumë gjëra tjera. PDSH-ja dhe lideri i saj i dytë historik, pasi që i pari gjithmonë do të mbetet Arbër Xhaferi, kësaj radhe është tkurrur përtej pritshmërive të secilit anëtar të saj besnik. Edhe ky subjekt me traditën më të madhe politike shqiptare në Maqedoni përjetoi një kataklizëm të paparë, por lideri i tyre kësaj radhe duket se ka marrë vendimin më të rëndë në jetën e tij – largimin përfundimtar nga kreu duke u lënë hapësirë brezave të rinj. Dhe, dy grupacionet e reja politike: “Rilindja me Besë” dhe “Aleanca për Shqiptarët”. Pavarësisht parashikimeve pesimiste, “Rilindja me Besë”, e përbërë kryesisht nga njerëz pa bagazh të theksuar politik, befasuan të gjithë, sidomos BDI-në, Tiranën dhe Prishtinën. “Këta çuna”, siç parapëlqente dikush t’i quajë, ndonëse drejtuesit e këtij formacioni politik thuajse pa përjashtim janë të dyzetave, u treguan shqiptarëve, gjegjësisht fosileve të tyre politike, se politika megjithatë ka një dozë të lartë të moralit. Ata ua bënë të qartë të gjithëve se gënjeshtra dhe mashtrimi nuk funksionojnë më dhe se ka ardhur koha për një erë të re politike. Fjalimet e tyre me tone njerëzore i mbushën sallat dhe sheshet, duke e kapitalizuar kështu angazhimin e tyre dyvjeçar me një numër të lartë të votave. Me mesazhe të njëjta gjatë fushatës u paraqit edhe formacioni tjetër politik, i drejtuar nga “Aleanca…”, duke siguruar kështu simpatinë e një numri të konsiderueshëm të votuesve, mirëpo mosarritja e objektivave të tyre, pas përfundimit të zgjedhjeve, shkaktoi një dozë të “deliriumit politik” tek lideri i këtij formacioni, i cili filloi t’i fajësojë të gjithë oponentët (nga blloku opozitar) për rezultatin, e sidomos mediat, të cilat sipas tij qenkan fajtori dhe faktori kryesor për disfatën e përjetuar.

Megjithëse reflektimi i rezultatit zgjedhor është ky, procesi nuk përfundon me kaq! Kriminelët politikë duhet të shkojnë në burg, ndërsa për të ndodhur një gjë e tillë, Qeveria e ardhshme duhet t’ia hapë rrugët Prokurorisë Speciale. Gjuha shqipe, buxheti proporcional, politikat fiskale, kultura, arsimi… gjithsesi se duhet të jenë pjesa më e rëndësishme e ekzekutivit të ri. A do të ndodhë kjo? Nuk dihet ose, thënë më saktë, nuk pritet. Mirëpo një gjë dihet e sigurt: Maqedonia pas pesë muajsh sërish do të përballet me zgjedhje lokale, e ndoshta edhe me ato parlamentare… Ajo që ka ngelur pa përfunduar më 11 dhjetor me gjasë do të përfundojë në muajin maj ose, eventualisht, në shtator ose në tetor të 2017-tës…

Postime të Ngjajshme