` . Zgjedhjet parlamentare në Kosovë: Si flasin rezultatet? - TV-SHENJA

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë: Si flasin rezultatet?

Shkruan: Rizvan Sulejmani, Shkup

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë ndodhën. I kërkoi opozita, ndërsa i përkrahu pozita, PDK-ja, për t’i forcuar pozicionet në qeveri. Por, në vend se të forcohen, ato u rrënuan. Kadri Veseli para se të përkrahte rënien e qeverisë, bëri të ashtuquajturën dëgjim me popullin nga duhej ta vlerësonte disponimin e votuesve për udhëheqjen e tij si kryetar partie dhe kryetar parlamenti, por edhe ta promovonte vetveten për kryeministër të ardhshëm. Siç duket, në këtë tur dëgjimi, ai më tepër foli sesa dëgjoi, ngase rezultati i zgjedhjeve ishte i kobshëm për te.

LDK-ja bëri përpjekje maksimale që këtë nismë ta pengojë, bile duke e kushtëzuar pikën e rendit të ditës për demarkacionin që votëbesimi të bëhet para kësaj pike, me bindje se Veseli dhe Haradinaj nuk do të kenë guxim ta neglizhojnë kërkesën e ndërkombëtarëve për demarkacionin, por u zhgënjye. Ambicia për kryeministër ishte më e madhe sesa përkrahja ndërkombëtare për Veselin dhe Haradinajn. I gjendur para aktit të kryer, Isa Musatafa – i vetëdijshëm se ai personalisht nuk qëndron mirë në sondazhet e opinionit publik – bëri dy veprime të papritura, por që në fund i rezultuan mjaft të suksesshëm. Them “suksesshëm”, ngase kjo parti, edhe pse nuk arriti të përsërisë rezultatin e zgjedhjeve të 2014-tës sa i përket numrit të deputetëve, përsëri numri i përgjithshëm i votave të fituara është së paku përafërsisht i njëjti me ato paraprake. Suksesi kryesor mund të llogaritet se arriti të fitojë numër të mjaftueshëm të deputetëve, pa të cilin nuk mund të bëhet qeveri. Ose, një qeveri pa të do të ishte shumë labile dhe e varur prej votave të partive të serbëve të Kosovës, të cilët nuk e pranojnë pavarësinë dhe sovranitetin e shtetit. Për këtë rezultat duhet të jetë falënderuese, mes tjerash, ndaj faktit se hyni në koalicion me AKR-në e Behxhet Pacollit dhe me Alternativën e Mimoza Kusarit. Sigurisht se edhe promovimi i Avdullah Hotit për kryeministër, një nga ministrat më të suksesshëm të tij, kishte ndikim në këtë. Megjithatë, veprimi i parë mund të shihet si vendimtar, ngase e detyroi rivalin dhe partnerin e deritanishëm qeveritar – PDK-në, të bëjë koalicion brenda natës, tekstualisht para skadimit të afatit, me AAK-në e Ramush Haradinajt dhe Nismën e Re të Fatmir Limës, përskaj faktit se vetëm disa ditë më parë lëshuan akuza shumë të rënda për të dhe partinë e tij. Ky koalicion jo i natyrshëm menjëherë u quajt nga Vetëvendosja dhe LDK-ja “koalicion i natës dhe frikës”. Me këtë u krijua një situatë e cila vetëm mund të dëshirohej për Vetëvendosjen, e cila me të drejtë vendosi të dalë e vetme në zgjedhje.

Partia që nuk kishte bagazh nga ndonjë qeverisje në pushtet qendror, nuk mund të priste shanse më të mira se kjo për një ofensivë totale. Kësaj partie iu mundësua që me një të gjuajtur të godiste dy caqe. Kur e them këtë, kam parasysh se kundërshtarët e dy koalicioneve mund të identifikohen si “establishment” në terma që sot i përdorin lëvizjet e reja evropiane, kurse Vetëvendosja si antiestablishment. Kjo, për faktin se të gjithë partitë e tjera kishin qenë në qeveri në kombinime dhe variante të ndryshme të përcjella me afera korruptive dhe skandale të çuditshme. Nga ana tjetër, ekipi i Kurtit paraqiteshin si fytyra të reja, si shans i ri, të pakorruptuar e me ambicie për të sjellë një frymë të re dhe një qeverisje të re.

Vetëvendosja pas vetes kishte një storie suksesi me Prishtinën, që menaxhohet nga Shpend Ahmeti e që promovohet si model i qeverisjes së mirë dhe pa korrupsion. Për dallim prej saj, koalicioni PAN bënte kampanjë të ndarë: herë-herë edhe kundër njeri tjetrës, ngase AAK-ja dhe Nisma bënin përpjekje të distancohen prej qeverisjes së keqe të PDK-së, ngase këta nuk ishin pjesë e qeverisë Mustafa, e cila u vlerësua si e keqe. Me këtë formë të paraqitjes ata krijuan te votuesit konfuzion, të cilët me të drejtë shtronin pyetjen: si është e mundur partitë që akuzojnë njëra-tjetrën për korrupsion, keqpërdorim, bile edhe tradhti kombëtare, me rastin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe Bashkësinë e Komunave me shumicë Serbe, të jenë në koalicion bashkë?

Në koalicionin e LAA-it kishte më pak disonanca. Ata ishin më tepër bashkë në kampanjë, por herë pas here në debate paraqiteshin plasaritje. Dallimet te këta të fundit më lehtë kapërdiheshin, ngase ata sikur e kishin caktuar fajtorin kujdestar – kryeministrin e deritanishëm Isa Mustafa, që nuk ishte kandidat për kryeministër, bile fare nuk ishte as në listë. LDK-ja, duke e nxjerrë Isa Mustafën nga lista për kryeministër dhe për deputet, me mjeshtri e zhvendosi tragetin e sulmeve të kundërshtarëve te KadriVeseli. Kështu gjithë fokusi i kritikës për qeverisje të keqe, bile edhe nga vetë LDK-ja, u orientua tek PDK-ja dhe Kadri Veseli. Fundja, rezultatet e mandateve të fituara e tregojnë atë. PDK humbi më së shumti vota dhe mandate, ngase koalicioni në tërësi fitoi 39 mandate, që është vetëm 2 më tepër seç ka pasur vet PDK-ja në zgjedhjet e 2014. Koalicioni tjetër, LAA, fitoi 30 mandate, kurse fitore të padiskutueshme pati Vetëvendosja, e cila si e vetme në garë mori 31. Kjo është më tepër se dyfishim nga numri i mandateve nga zgjedhjet e fundit. Shikuar për nga rezultatet jozyrtare, Vetëvendosja si parti me 31 mandate është e para, pasohet nga LDK-ja me 24 mandate e dyta, kurse PDK-ja me vetëm 21 mandate del e treta. Rritje serioze pas Vetëvendosjes pati Nisma me 8 mandate, kurse AAK-ja e Ramush Haradinajt ka 10 mandate. Në fund janë AKR-ja me 4 mandate dhe Aleanca e Kusarit me 2 mandate. Gjithmonë flasim vetëm për mandatet që u takojnë shqiptarëve pa ato të garantuara për pakicat.

Ky rezultat nga shumëkush u pa si befasi, madje dikush e quajti tërmet. Por, a është kështu? Për ata që i kanë ndjekur pak më me kujdes rrjedhat para dhe gjatë kampanjës, një kthesë e tillë ose e përafërt është pritur. T’i analizojmë me radhë rrethanat. Disa muaj para zgjedhjeve sondazhet e nxirrnin Vetëvendosjen si parti të parë ose që lufton për vend të parë me PDK-në kurse, LDK-ja duhej të luftonte për rezultat që në përplasjen e këtyre dy forcave politike të jetë parti pa të cilën nuk do të mund të bëhet qeveria. Nga aspekti i kampanjës, Lëvizja Vetëvendosje, përskaj faktit se nuk mori shërbime nga konsulentë të huaj dhe nuk iu lejua qasje e duhur në media, pati një kampanjë mirë të organizuar. Vetë kandidati për kryeministër dhe lideri shpirtëror i kësaj partie që në fillim çoi mesazhe të qarta. Duke vendosur kollare për së pari herë, ai bëri me dije se ai nga një rebel rruge, revolucionar e anarkist, transformohet në burrështetas, që do të merret me punë publike serioze. Po ashtu i shkurtoi flokët e gjata të revolucionarit, bëri disa tërheqje nga pozicionet e më hershme rigide sa i përket pikave të nxehta politike, siç është demarkacioni dhe Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe, duke i vendosur ato në pjesë periferike të kampanjës dhe duke u dhënë prioritet çështjeve ekonomike dhe sociale si nevoja urgjente të popullatës. Ai filloi të mos i refuzojë simbolet shtetërore dhe çoi porosi se është i gatshëm të bashkëpunojë me serbët vendorë. Përfaqësuesit e kësaj partie nëpër tubime paraqiteshin me fjalime të shkruara, përsëritnin të njëjtat porosi dhe promovonin sukseset e Prishtinës. Se Kurti e di saktë se cilat grupe i targeton, u pa edhe nga prononcimi i tij lidhur me mbajtjen e shamive në shkollë. Me këtë qëndrim kërkon votë edhe nga ajo kategori njerëzish që mund ta perceptonin si antifetar e komunist.

Nga ana tjetër, Ramush Haradinaj i kthyer nga Franca si viktimë, por gjithmonë i gatshëm të sakrifikohet për Kosovën, përskaj shumë vërejtjeve, e ktheu simpatinë te popullata. Ai nuk mundi të largohet nga pika e nxehtë të opozitarizmit, e quajtur Demarkacion, që do t’i mbetet si litar për fyti nëse do të bëhet kryeministër. Bëri një shëtitje jo të qartë lidhur me politikën e jashtme, duke e vënë herë si prioritet dhe herë si dytësore. Deklarata se karshi faktorit ndërkombëtar do të sillet në mënyrë simetrike, që mund të përshkruhet si “ata që më duan do t’i dua, ata që nuk më duan nuk i dua” është së paku kontroverse. Sa u përket çështjeve të hapura me Serbinë, faktorit ndërkombëtar i përcolli këtë porosi: ose me ne, ose me ata!

Veseli duket se ishte i vetëdijshëm se në një betejë të tillë ka pak gjasa për të, andaj në moment të fundit, edhe pse gjatë kohë përgatitej për kryeministër, i frikësuar nga koalicioni i LDK-së, ia dorëzoj mandatin për kryeministër RamushHaradinajt. Si lider partie, ai bënte fushatë vetë, por nuk arriti të dërgojë ndonjë porosi që do të përkapet lehtë dhe mbahet mend nga votuesit. Ai bëri përpjekje për promovim të një programi ekonomik, por jo edhe aq bindës sa ishte ai i Thaçit në zgjedhjet e 2014-tës.

Grumbullimi i tre partive të dala nga lufta dhe të atyre që veten e promovonin si rugovista përkrah LDK-së, e bëri luftën politike shumë të qartë. Zgjidhja duhej të bëhej ndërmjet të korruptuarve dhe të akuzuarve për krime, që i udhëhiqte PDK-ja, pastaj të lodhurve dhe atyre pa karizëm, siç e quante Mulliqaj, Hotin të grumbulluar rreth LDK-së, në njërën anë, dhe të rinjve të pakorruptuar, me elan dhe me prova nga qeverisje në Prishtinë, nga ana tjetër, të Vetëvendosjes.

Hoti, që me paraqitjen e vetë si politikan i gjeneratës së re dhe shembull i suksesit që duhej ta demantonte plogështinë e LDK-së, shpejt u identifikua si administrator dhe jo si politikan. Ai këtë edhe vete e pranoi, duke thënë se nuk është politikan, por njeri që punon. Kalimthi bëri disa gafe në lëmin ku ishte më i forti, duke u deklaruar për një herë buxhet prej tre miliardë eurosh, ndërsa pastaj e rriti premtimin në pesë miliardë. Kjo shkaktoi reagim dhe mospranim në sferën e financave, ngase është e parealizueshme dhe shumë diskutabile. Ai nuk arriti sa duhet dhe qartë ta promovojë suksesin e tij në zvogëlimin e papunësisë dhe rritjen ekonomike. Një gabim tjetër që duket se i kushtoi shumë LDK-së ishte kalkulimi i gjatë me listat e votimit dhe vonesa në fillimin e kampanjës. Por, mbi gjitha nuk do t’i falet që fytyrat e reja dhe karizmatike, si Vjosa Osmani, që duhej ta ndërrojnë imazhin e pleqërisë, gjatë kohë ishin temë debati se duhet apo nuk duhet të jenë në listë. Vjosa, edhe pse u bë pjesë e ekipit, u la poshtë në listë, por populli e votoi. LDK-ja e promovoi veten për akademi politike, por kjo nuk i solli shumë dobi, ngase jetojmë në demokraci dhe jo në akademikokraci ose filozofokraci. Në momente të caktuara kjo u tregua si handikap, ngase gjatë kampanjës nuk mund të identifikohej një porosi e qartë dhe e kuptueshme për masat. Folësit jepnin mesazhe të disperzuara që votuesin më tepër e dezorientonin sesa që e orientonin. Kjo ia lehtësoi punën Vetëvendosjes. Në fund çdonjëri e kori atë që mbolli, ndërsa tani i presim rezultatet.

Pas gjithë kësaj që u tha, mund të nxirret një konstatim i përgjithshëm: populli është kundër establishmentit dhe kërkon gjak të ri. Në koalicionin e PDK-së ka humbur mandatin e deputetit një Haredin Kuçi e Edita Tahiri. Tek LDK-ja më së shumti ka grumbulluar vota Vjosa Osmani, edhe pse e radhitur në numrin 81, dhe Driton Selmanaj e Lumir Abdixhiku, që janë përfaqësues të një gjenerate që shquhen me dije, shkathtësi dhe konsistencë. Jashtë parlamentit mbeten emra që gjatë kohë kanë bërë politikën e këtij vendi, si: Skënder Hyseni, Sabri Hamiti, Ali Sadriu, Melihate Tërmkolli… Mesazhi është i qartë për partitë. Ky është realiteti politik me të cilin tani e tutje duhet të jetojmë.

Për të pasur sadopak një parashikim për rrjedhat politike në të ardhmen në regjion do të bëjmë një përshkrim të shkurtër të tre grupimeve politike që sot e dominojnë Kosovën dhe pritet ta bëjnë qeverinë. Sa i përket pikëpamjeve ideologjike dhe çështjeve kombëtare, nacionale, si dhe marrëdhënieve me grupimet e jashtme politike, kjo mund të përshkruhen si më poshtë:

Të parët janë nacionalistët marksistë-leninistë, të transferuar në integristë, që e përbëjnë koalicionin PAN. Këta e kanë zëvendësuar idenë e shtetit kombëtar me idenë e integrimit evropian si zgjidhje për çështjen kombëtare. Janë shumë më lojal ndaj Brukselit dhe Uashingtonit se ndaj premtimeve para elektoratit dhe përgjegjësisë historike. Nuk kanë ndonjë vizion të qartë për politikën e jashtëm nëse merret si rast i izoluar thënia e Haradinajt se do të bëjë politikë gjithëshqiptare, por si kosovar. Ata do të bisedojnë me Serbinë dhe nga përvoja e gjertanishme duket se do të pranojnë çdo gjë që lidhet me organizimin shtetëror dhe marrëdhëniet me fqinjët e, veçanërisht, me atë verior, natyrisht nëse vjen prej Brukselit dhe Uashingtonit. Për ta këto qendra e bëjnë historinë, kurse shqiptarët i shohin si konsumatorë të saj, që do të shpërblehen për aq sa do të jenë lokalë, e jo sa do të kontribuojnë.

Grupi i dytë, që janë rreth LDK-së, është ai që e shpallin veten konservatorë dhe rugovistë. Këta bëjnë çmos që sa më parë ta konsolidojnë shtetësinë, duke i mbyllur çështjet e hapura me fqinjët, si me Serbinë, që ka të bëjë me Bashkësinë e Komunave, ashtu edhe me Malin e Zi me demarkacionin. Janë më tepër autonomista dhe politikën e Kosovës e shohin si autoktone – nuk kërkojnë ndonjë afërsi më të madhe me shtetin shqiptar dhe me shqiptarët në përgjithësi. Ata shumë më tepër janë për një ekuidistancë me fqinjët, duke iu përmbajtur parimit të tre JO-ve, si parakusht për pavarësi të Kosovës. Për ta status qou-ja e bën historinë, kurse këta duhet vetëm ta ruajnë atë.

Vetëvendosja paraqet subjekt në vete dhe mund të definohen si social-nacionalistë të moderuar, që interesat kombit dhe shtetit synojnë t’i mbajnë lart në agjendën politike. Janë për qasje asimetrike ndaj fqinjëve, duke i dhënë përparësi afrimit me Shqipërinë dhe bashkëpunimit ndërshqiptar, kurse Serbinë e shohin me prirje armiqësore ndaj Kosovës dhe shqiptarëve. Janë për integrime, por më tepër preferojnë partneritet strategjik me Gjermaninë e Amerikën, kurse prej fqinjëve me Bullgarinë, Kroacinë e Turqinë. Janë më tepër për politika aktive sesa pasive, por nuk arrijnë të krijojnë partneritete të afërta ose strategjike me partitë e tjera shqiptare, por edhe partitë e tjera simotra në regjion. Ata duan të jenë pjesëtarë të historisë, por mbi parimet e socialdemokracisë.

Ky mund të jetë një përshkim i shkurtër i hartës politike, që mund të ketë implikime në vetë Kosovën, por edhe ndër shqiptarët dhe në regjion.

Pasi politika e bëri të vetën, tani duhet të shihet si do të veproj matematika. Haradinaj thotë se i ka votat, kurse Kurti pret t’i vijë shansi – pasi është i bindur se Haradinaj nuk do të mund të bëjë qeveri. Përflitet për lëvizje të partive më të vogla brenda dy koalicioneve, por informatat janë kontroverse dhe nuk mund të parashikohet me saktësi. Pa marrë përsyshë se kush do ta bëjë qeverinë, situata politike në Kosovë do të pësojë ndryshime që do të kenë refleks edhe në regjion. Fundja, gjithë regjioni është në një fazë të transformimit, ku disa elita bien e disa të reja ngrihen. Jemi në kalim nga një politikë e pritjes dhe ruajtjes së një paqeje të ftohtë kah një politikë më aktive e më e nxehtë, që duhet ta ndërtojë paqen. Nuk është pa sfida. Presim e shohim!

Postime të Ngjajshme