` . Zgjedhjet parlamentare, betejë vendimtare për partitë shqiptare (VIDEO) - TV SHENJA

Zgjedhjet parlamentare, betejë vendimtare për partitë shqiptare (VIDEO)

Zgjedhjet e ardhshme lokale të cilat janë caktuar për më 15 tetor janë marrë me shumë seriozitet nga partitë politike shqiptare dhe duket që këto zgjedhje do të jenë vendimtare për fatin e tyre dhe përcaktimin e skenën politike në të ardhmen. Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara lokale, kësaj radhe partitë shumë më herët kanë filluar përgatitjet, por kanë shtuar edhe veprimet dhe strategjinë me të cilën do të hyjnë në këtë cikël zgjedhor.

Që të gjitha partitë para fillimit të fushatës dhe zgjedhjes së kandidatëve do të realizojnë edhe disa aktivitete të tjera paraprakisht. Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet më e mbyllur në këtë temë dhe nga kjo parti ende nuk ka asnjë informatë lidhur me organizimin për pjesmarje në zgjedhjet lokale. Jozyrtarisht mësohet se kjo ngurtje bëhet për shkak të tensionit që edhe në të kaluarën ka shkaktuar kjo temë në radhët e kësaj partie, gjegjësisht në degët dhe strukturat e tjera lokale gjatë fazës së përzgjedhjes së kandidatëve.

Lëvizja BESA, e cila për herë të parë merr pjesë në zgjedhje lokale, ndërsa ky do të jetë procesi i dytë zgjedhor në përgjithësi për këtë parti. Nga kjo parti thonë se në radhë të parë janë duke përgatitur një strategji për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale dhe më pas do tu qasen aktiviteteve të tjera të zakonshme. Nga Lëvizja për Reforma PDSH thanë për Televizionin SHENJA se fillimisht janë të koncentruar në riorganizimin e brendshëm të strukturave partiake.

Në Kuvendin e fundit të mbajtur në Tetovë është vendosur që në disa degë dhe nëndegë të ketë rizgjedhje dhe pasi të përfundojnë do të thirret një mbledhje tjetër e Kuvendit në të cilën do të vendoset për fillimin e përgatitjeve për zgjedhjet lokale. Përveç rizgjedhjeve të brendshme, LR-PDSH do të duhet që të përcaktojë edhe mënyrën e garimit në zgjedhjet lokale pas përçarjeve të fundit në koalicionin Aleanca për Shqiptarët.

RDK e Vesel Memedit ka shumë gjasa që të garojë e vetme, ndërsa nuk dihet fati i Unitetit, ku një pjesë e strukturave kanë pranuar të shkrihen në Aleancë, ndërsa kreu i partisë, Gëzim Ostreni dhe disa mbështetës të tij kundërshtojnë shkrirjen. Për Partinë Demokratike Shqiptare të drejtuar nga Menduh Thaçi, këto zgjedhje do të jenë vendimtare edhe për fatin e partisë për shkak të rënies drastike të numrit të votave në zgjedhjet parlamentare ku nga shtatë deputetë, kjo parti ra në vetëm dy deputetë. PDSH është riaktivizuar ditëve të fundit përmes disa takimeve me anëtarësinë, por shikuar sipas aktiviteteve duket që kjo parti koncentrimin kryesor e ka në Komunën e Tetovës ku ndodhet dhe selia qendrore e partisë e që njëherit është komuna që shikohet me interes më të madh nga të gjitha partitë shqiptare.

Arben Zeqiri /SHENJA/

Zgjedhjet parlamentare, betejë vendimtare për… by tvshenjaofficial

Postime të Ngjajshme