` . Zgjedhjet në Maqedoni, rikthim në të drejtën e munguar të shqiptarëve - TV-SHENJA

Zgjedhjet në Maqedoni, rikthim në të drejtën e munguar të shqiptarëve

Shkruan: Redi SHEHU

Më 11 dhjetor mbahen zgjedhjet parlamentare në Maqedoni. Datë e cila shënon ciklin katërvjeçar të testimit të pushteteve politike, siç ndodh rëndom në të gjitha vendet demokratike. Si në çdo cikël testimi politik, edhe shqiptarët e Maqedonisë do zgjedhin përfaqësuesit e tyre në parlament, për t’u dhënë zë kërkesave të tyre, të cilat në pjesën më të madhe kanë të bëjnë me formulën rregullatore të të drejtave në një hapësirë e cila është thelbësisht e tyrja, por që për shkak të historisë, politikisht dhe administrativisht ndodhet nën qeverisjen maqedone.

Për shkak të keqadministrimit konstant të kësaj hapësire të përbashkët mes dy popujve me etni të ndryshme nga ana e qeverive maqedonase përgjatë historisë moderne të bashkekzistencës reciproke, konfliktualiteti arriti kulmin me përplasjen e armatosur mes shqiptarëve dhe forcave  maqedone në vitin 2001. Përplasje, e cila për shkak të intensitetit dhe precedentit që mund të sillte për rajonin, u shpejtua të neutralizohej nga faktori ndërkombëtar me anë të një marrëveshjeje si ajo e Ohrit, ku në letër shqiptarët preknin disa të drejta të cilat më parë nuk i kishin pasur. Që nga kjo periudhë e deri më tani, sfida e partive shqiptare në këtë shtet është përqendruar në aftësinë e tyre për të bërë presionin e duhur që kjo marrëveshje të realizohej në çdo detaj të saj.

Me një distancë prej 15 vitesh nga firmosja e Marrëveshjes së Ohrit, realiteti i shqiptarëve në Maqedoni është shumë larg plotësimit të kushteve të kësaj marrëveshjeje, dhe kontributorët më të mëdhenj të këtij degradimi janë liderët e partive kryesore shqiptare, të cilët, referuar edhe “bombave” të Zaevit, ishin kokë e këmbë të kapur nga regjimi maqedon në kurriz të së mirës së përbashkët shqiptare. E gjithë kjo politikë sedative e lidershipit shqiptar përmblidhet në një kompromis të madh të bërë në kurriz të asaj që quhet autenticiteti i shqiptarit si entitet historiko-kulturor në atë rajon. Është pikërisht ky autenticitet shqiptar që e bën të detyrueshëm akumulimin e të drejtave rreth tij pikërisht për shkak të ekzistencës së këtij autenticiteti, i cili është unik dhe homogjen, i pacenueshëm dhe intensiv, i pakomprometuar etnikisht dhe as kulturalisht, duke e transformuar realitetin shqiptar në një komunitet me autenticitet  krejtësisht të pastër. Për shkak të intensitetit që ky tipar shfaq, e bën shqiptarin të marrë kuptim vetëm në kuadër të të drejtave njerëzore që i takon një komunitetit të madh e të pastër etnikisht.

Shqiptarët janë elementi më i rëndësishëm në Maqedoni parë në këndvështrimin shtetformues, për të mos thënë që janë faktori që e mban në këmbë sot Maqedoninë si shtet, prandaj zgjidhja e problemit shqiptar në të njëjtën kohë do të thotë edhe zgjidhje e problemit me stabilitetin në Maqedoni. Fakti tregon se një rrugë tjetër është ndjekur deri më tani, pavarësisht presionit ndërkombëtar: qeveria VMRO-DPMNE ka zbatuar projektet e saj deshqiptarizuese, që fillojnë nga statistikat e mbarojnë në sheshet me emra rrugësh, simbole fetare dhe arkitekturë e buste, të cilat qëllimshëm mundohen të instalojnë një realitet të ri, të paqenë, në këto troje.

Shteti maqedonas është përpjekur të shfaqet gjithmonë e më tepër si shtet monoetnik falë edhe lejimit që partitë e deritanishme shqiptare i kanë bërë përhapjes së këtij nocioni në jetën e përditshme të realitetit maqedonas. Elektorati shqiptar, në këtë distancë 15 vjeçare nga ideali i luftës, shikon se Marrëveshja e Ohrit është instrumentalizuar në funksion të forcimit më të madh të identitetit maqedon dhe tkurrjes e rrudhosjes të përfaqësimit shqiptar në institucionet e këtij vendi. Sulmet e shpeshta policore, gjyqet e inskenuara ndaj tyre, si dhe mijëra episode që grumbullohen përditë, përfundojnë në një irritim popullor ndaj paaftësisë së lidershipit shqiptar për ta ndryshuar këtë realitet humbës.

Këtu, në këtë fazë, elektorati shqiptar po përpiqet  gjithnjë e më shumë të gjejë veten në lëvizje apo përfaqësi të cilat nuk e komprometojnë vizionin e përbashkët për një shtet të barabartë e konsensual të shqiptarëve dhe maqedonësve, tashmë jo në letër, por në një terren konkret të të drejtave dhe detyrimeve respektive. Me këtë arsyetim mund të gjejë përgjigje pyetja se pse shqiptarët masivisht po rreshtohen krah një lëvizjeje të re në skenën politike maqedonase, si ajo e “Lëvizjes Besa”, ku shpresa për t’u rikthyer tek e drejta shqiptare formulohet me tezën e Ridefinimit, që kjo lëvizje e ka sjellë në qendër të sipërmarrjes së vet politike. Në një mënyrë apo tjetër, boshllëqet e lëna nga formacionet e tjera politike shqiptare përgjatë historisë së tyre të këtyre viteve do të duhej të mbusheshin nga lëvizje apo parti politike të cilat do t’i ktheheshin idealit të së drejtës shqiptare në këto troje. Ndryshimi mes tyre dhe kësaj lëvizjeje është retorika dhe praktika, ku kjo e fundit duket se do të gjejë zbatim sapo vullneti shqiptar të shprehet përmes kutive të votimit.

Postime të Ngjajshme