` . Zgjedhjet e viti 20017 në regjion dhe Evropë, nga ndikohen ato? - TV-SHENJA

Zgjedhjet e viti 20017 në regjion dhe Evropë, nga ndikohen ato?

Kapaku i këtyre parashikimeve ishte komisari Han. Ai deklaroi se Ballkani është një enë me vaj, që mjafton një shkëndijë që të marrë flakën. Se nuk është në rrezik vetëm Ballkani, flet edhe Konferenca e Sigurisë, që u zhvillua nga 17 deri më 19 shkurt në Mynih të Gjermanisë, që konsiderohet si takimi më i rëndësishëm i vitit, kushtuar gjendjes së sigurisë.

Shkruan: Rizvan SULEJMANI, Shkup

Viti 2017 duket të jetë vendimtar për shumëçka në Ballkan, por edhe në Evropë e më gjerë. Gjatë këtij viti do të ketë zgjedhje pothuajse në gjitha vendet e regjionit, që nuk janë konsoliduar as në aspektin e demokracisë dhe as atë të sigurisë. Sivjet zgjedhje presidenciale do të ketë në Serbi, parlamentare në Shqipëri, por është e mundur edhe në Kosovë e Maqedoni. Në disa prej këtyre vendeve mund të ketë edhe nga dy palë zgjedhje lokale dhe parlamentare ose parlamentare e presidenciale. Vala e njëjtë do t’i kaplojë edhe vendet kryesore evropiane, si Gjermaninë, Francën dhe Holandën. Në rrethana të tjera kjo nuk do të paraqiste ndonjë shqetësim ose nevojë për analizë nëse regjioni dhe Evropa, por edhe bota, të mos ishin para turbulencave serioze në rrugën e rirreshtimeve të reja gjeopolitike, por jo vetëm. Në këto shtete shumëçka do të varet nga vullneti i popullit, përfshirë edhe ardhmëria e Evropës dhe regjionit, pse jo edhe rendi botërorë. Pas BREXIT-it, që bëri dridhjen më të madhe të BE-së që prej themelimit, Evropa gjendet para sfidës “Si më andej?”. Në Francë paralajmërohet FREXIT, në Belgjikë gjithashtu, kurse në Gjermani paraqitet shqetësimi se sa do të jetë ndikimi i shërbimeve sekrete ruse në një proces demokratik. Nëse kësaj i shtohen edhe deklaratat kontroverse të Trump-it, se Evropa është një projekt i tejkaluar dhe se duhet ta paguajë nëse do të ketë siguri nga NATO, është për t’u shqetësuar. Në samitin e fundit të kësaj organizate si rreziqe kryesorë u deklaruan terrorizimi, migracioni dhe ekspansioni rus. Mu për këtë, me urdhër të ish presidentit amerikan Obama, Rusia çdo ditë e më tepër rrethohet me trupa amerikane dhe të NATO-s, duke filluar nga Baltiku e deri në Rumani dhe Bullgari. Kjo mund të llogaritet një masë preventive kundër rrezikut nga zgjerimi rus, sikur presidenti i porsazgjedhur amerikan të mos jetë konfuz në hapat e mëtejshëm, që do të merren ndaj këtij shteti. Dorëheqja e këshilltarit të tij për siguri, Majkëll Flin, për shkak të kontakteve me ambasadën ruse në SHBA, sa me dije po aq edhe pa dijen e vet kryetarit dhe nënkryetarit, raportet ndërmjet këtyre dy vendeve i bën edhe më të paparashikueshme. Pas paralajmërimeve të para se Trump-i do të kishte mund të merret lehtë vesh me Putinin, tani sikur tërhiqet prej këtij qëndrimi.

Për çudi, një shtet joevropian, si Turqia, tani paraqitet të jetë shumë me rëndësi për rrjedhat në vijim. Si u gjend Turqia në këtë pozicion? Do të mundohemi ta shpjegojmë. Pasi u definua se migracioni dhe terrorizmi janë realë, vërehen lëvizje shumë të çuditshme. Merkeli pati shumë kritika dhe akuza për Erdoganin, duke e kualifikuar atë si autokrat dhe jodemokrat, ndërsa tani shkon e merr dorë në Ankara, bile dëgjon edhe një ligjëratë publike në konferencën për shtyp se si duhet të përdoret termi “Islam”. Paraprakisht me të njëjtin qëllim në Maltë u mbajt samiti, i cili u quajt si vendimtar për ardhmërinë e Evropës, ku u mor vendim që afër 200 milionë euro të ndahen për kampet e Libisë për t’i ndalë refugjatët e Afrikës. Sebastian Kurc është bërë një vizitor i rregullt i kotës kryesore në kufirin Maqedoni-Greqi, nga i vëzhgon refugjatët që pritet t’i sjellë pranvera. Duket se Austria është e vetëdijshme se nëse bie “fronti i Vardarit”, ai i Drinës nuk do të mund t’i ndalë “barbarët e Lindjes” që ta “sulmojnë” Vjenën si shumë shekuj më parë. Sido që të jetë, dominon bindja se rritja e numrit të refugjatëve në këtë kohë parazgjedhore seriozisht do t’u ndihmonte radikalëve, islamofobëve dhe partive të ekstremit të djathtë, që kërcënohen me braktisjen e BE-së, që ta marrin timonin me shtetet kryesore të kontinentit të vjetër.

Shikuar nga lëvizjet diplomatike dhe figurat kyçe që merren me sigurinë, qendra ose fronti, prej ku varet ardhmëria e kontinentin në këtë vit zgjedhor nga tre rreziqet tanimë të definuara është Turqia. Ky shtet, që u akuzua për thyerje të lirive dhe të drejtave njerëzore, si dhe për ndalim të fjalës së lirë, bëhet vendtakimi kryesor i burrështetasve, gjeneralëve dhe udhëheqësve të shërbimeve sekrete. Vetëm disa muaj më parë, pas sulmeve të njëpasnjëshme terroriste, shtrohej pyetja: a do të jetë apo nuk do të jetë Turqia? Tani kur pas shumë paraburgimeve, ku të ligjshme dhe ku të paligjshme, duket se konsolidohet dhe shndërrohet në qendër kryesore të rëndimit. Me nënshkrimit e marrëveshjes me Rusinë për bashkëpunim në luftën kundër terrorizmit në Siri dhe pas armëpushimit që u arrit me tendencë që kjo të sjellë një zgjedhje afatgjate për paqen në këtë vend, Ankaraja edhe më e sforcon pozicionin e vet. Turqia jo vetëm që merr një rol vendimtar në luftën kundër terrorizmit, menaxhimin me refugjatët dhe migracionin, por paraqitet edhe si nyje lidhëse e civilizimeve. Ajo tani duket të jetë vendi i vetëm që mund t’i mbajë lidhjet me besimet monoteiste: hebraizmin, krishterimin, ortodoksinë dhe islamin. Vetëm Erdogani mund të komunikojë me Putinin, me Trampin, me shtetin islamik të Iranit, por edhe me vendet kryesore të Evropës, madje edhe me atë Izraelit. Jo shumë nga dashuria, por nga interesi. Me një fjalë, ka vetëm një pikë nga mund të kontrollohen tri rreziqet e definuara për Evropë: ekspansioni rus, terrorizmi dhe migracioni.

Nuk ishte e rastësishme që një shtet me nuhatje të jashtëzakonshme diplomatike siç është Britania e Madhe të vendosë që Tereza Mej, pas vizitës që i bëri Trump-it, rrugës ta takojë Erdoganin dhe ta shpallë atë për partner strategjik. Telefonata e presidentit turk me atë amerikan, që ishte paraparë të zgjasë 20 minuta, por i kaloi 45 minutat, pas së cilës ky shtet u quajt aleate dhe partner strategjike, e bënë të qartë pozicionin e këtij vendi për ngjarjet në vijim. Se Ankaraja shihet si një qendër e rëndësishme strategjike për sigurinë e regjionit më të gjerë tregon edhe vizita e shefit të CIA-s, por edhe e shefit të shtatmadhorisë së Britanisë. Këto takime mund edhe të duken koincidencë, por se do të kenë kontinuitet mund të nuhatet edhe nga telefonata e kryeministrit turk me zëvendësin e Trump-it, gjeneralin Majk Pens.

Operacioni i suksesshëm për marrjen e Al-Bab-it i rrit ambiciet për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet këtyre dy shteteve dhe jorastësisht shefat e shtatmadhorive të këtyre dy vendeve takohen për aksionin e radhës të Raka-s. Nëse këto që i numëruam i përshkruajnë pozicionet e Turqisë me Perëndimin dhe Amerikën, incidenti që ndodhi në Siri, ku u vranë tre ushtarë turk dhe njëmbëdhjetë të tjerë u plagosën nga forcat ajrore ruse, flet për marrëdhëniet Moskë-Ankara. Këto dy vende ndoshta nuk duhen, por respektohen. Një garë ndërmjet Putinit dhe shefit të shtatmadhorisë së ushtrisë së tij se kush i pari do t’i kërkoj falje homologut të vetë, Putini Erdoganit apo shefi i shtatmadhorisë ruse atij turk, flet mu për këtë. A ishte incident, matje forcash apo definim i vijës kufitare të ndikimit të këtyre dy vendeve në Siri, kjo pritet të shihet, por aktivitetet për konferencën e Gjenevës për paqen në Siri do të mbahet. Në këtë takim, përveç tre shteteve garantuese, është e mundur edhe prezenca e amerikanëve dhe evropianëve.

Ky rol i ri i Turqisë nuk mbet pa u nuhatur edhe në regjion. Pas Edi Ramës, që pati një pritje madhështore nga Erdogani, me po të njëjtën ceremoni dhe madhështi u prit edhe Hashim Thaçi, i cili në kapacitetin e kryetarit të shtetit deri më tani nuk është pritur nga asnjë vend tjetër. Dreka misterioze e Ramës me Erdoganin në Stamboll bëri bujë, veçanërisht në Serbi dhe Greqi. Për çfarë u bisedua nuk dihet saktë, por spekulohet për dhënien e aeroportit të Vlorës për Turqisë, kjo për qëllime ushtarake.

Në Maqedoni shohim që për së pari herë ish kryeministri i Maqedonisë, Gruevski ta vizitojë Ambasadën e Rusisë, por menjëherë pas saj edhe atë të Turqisë. Ambasadorja e këtij vendi, Erkal Kara, shihet në selitë e partive politike shqiptare, por jo vetëm. Derisa të tjerët aktivizohen, Evropa pasivizohet. Vizita e shumëpritur e komisarit Han, që shihej si udhërrëfim për daljen nga kriza e rëndë politike në Maqedoni, nuk solli asgjë të re. Hani erdhi me porosinë të ketë qeveri shpejt dhe me bazë të gjerë, bile kushtetuese, por shkoi me porosinë se është në duart e liderët se si do të qeverisin, porse nuk duhet të nguten. Ashiqare, Bashkimi Evropian nuk ka një ide të qartë se çka duhet bërë me shtetet e Ballkanit.

Nga ana tjetër, tanimë është zyrtare se Vuçiqi, një kryeministër shumë i popullarizuar, kandidon për kryetar shteti të Serbisë dhe pritet me siguri të fitojë, kurse ai me gjasa shumë të mëdha do të pasohet nga Daçiqi. Ky i fundit shquhet për lidhje serioze me Rusinë. Në këtë vend situata komplikohet. Paraprakisht Nikoliqi kishte paralajmëruar se, nëse Vuçiqi kandidohet për postin e kryetarit, ai nuk do të jetë kundërkandidat, por tani këtë e kushtëzon me marrëveshje paraprake mes vete. Takimi u mbajt dhe doli se janë pajtuar që bashkërisht ta udhëheqin shtetin. Presim të shohim. Në vigjilje të këtyre zgjedhjeve në regjion përvilen edhe skenarë dhe strategji të ndryshme për të ardhmen e Ballkanit. Pas incidentit me trenin e Serbisë, të cilin nuk dihet saktë se kush e ndaloi, Thaçi apo Mustafa, u spekulua se atë e ka bërë një telefonat kërcënuese nga Erdogani, që nuk konfirmohet nga asnjë palë. Pasuan propozime për këmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë prej intelektualëve, opinionistëve, por edhe politikanëve me shumë influencë.

Për Maqedoninë doli iniciativa e një kongresmeni, se ajo duhet të ndahet ndërmjet Kosovës dhe vendeve të tjera përreth. Të gjithë këto skenarë dhe parashikime sa e bëjnë interesante jetën politike, aq e bëjnë edhe të rrezikshme. Kapaku i këtyre parashikimeve ishte komisari Han. Ai deklaroi se Ballkani është një enë me vaj, që mjafton një shkëndijë që të marrë flakën. Se nuk është në rrezik vetëm Ballkani flet edhe Konferenca e Sigurisë, që u zhvillua më 17 deri më 19 shkurt në Mynih të Gjermanisë, e cila konsiderohet si takimi më i rëndësishëm i vitit kushtuar gjendjes së sigurisë. Drejtuesi i Konferencës, WolfgangIschinger, në fjalën hyrëse shkruan se siguria ndërkombëtare aktualisht është në gjendjen më të rëndë që nga koha e Luftës së Ftohtë. Kjo ka të bëjë ndoshta me tezën kryesore se ka përfunduar era perëndimore në dominimin e rendit liberal botëror. Autorët e kësaj teze si shkak për këtë e shohin dobësimin e unitetit brenda Bashkimit Evropian dhe riorientimin e politikës amerikane pas ardhjes së Donald Trump-it në postin e presidentit të SHBA-së.

Përskaj këtyre shikimeve pesimiste në këtë konferencë, evropianët – nëpërmjet gojës së zëvendësit të Trump-it – e morën lajmin e shumëpritur: NATO dhe BE-ja do të jenë partnerë shumë të rëndësishëm për Amerikën, por duhet të paguajnë për këtë. Në këto rrethana duket se zgjedhjet që do të mbahen në vitin 2017 janë vendimtare jo vetëm për Ballkanin, por edhe për Evropën dhe me gjerë. Nga ajo që u tha mund të konkludohet se rezultati do të varet nga shumë faktorë, por para së gjithash nga efikasiteti i Turqisë në parandalimin e terrorizmit dhe emigracionit, por edhe nga ajo sesa shërbimet sekrete ruse do të jenë aktive në aktivitetet parazgjedhore të këtyre vendeve.

Nuk dua të duket fataliste por kam përshtypje se gjithë skenarët janë të mundshëm. Më së paku kisha dashur që kriza politike në Maqedoni të jetë pikënisja për një proces për të cilin shqiptarët nuk janë të përgatitur. Kur e them këtë, më vjen ndër mend një intervistë e WolfgangIschinger-it në Al-Xhezaira Balkan në prag të konferencës, ku lavdëroi disa herë Serbinë për rrugën e mbarë që ndjek dhe shprehi pakënaqësi për situatën në Maqedoni, Bosnjë dhe Kosovë. Ajo që më se shumti më shqetësoi ishte trajtimi i këtij regjioni në të njëjtin nivel si shtetet e Magrebit, duke i vënë në rangun e komshiut dhe jo në perspektivën evropiane.

Vuçiqi që në një spot parazgjedhor tregon se kur shteti, institucionet shtetërore, nuk ka të njëjtin orientim strategjik, duket si një avion që udhëhiqet nga dy pilotë në drejtime të kundërta, sikur bën me dije se ai dhe Nikoliqi, Serbinë e kanë orientuar në drejtime të kundërta. Paraprakisht në një intervistë lamtumirës në RTS shprehu shqetësimin e tij për sigurinë dhe tërthorazi tha se me shqiptarët edhe mund të ndahemi, por shtroi pyetjen: çka bëjmë me Bosnjën?

Nga do të shkoj Serbia dhe Shqipëria pas zgjedhjeve nuk e dimë, por mbetet të shohim a do të realizohet ideja e Vuçiqit dhe Ramës për një union të përbashkët doganorë, që u bë e ditur nga kryeministri aktual serb apo do të nxjerrin në treg ndonjë ide e re të tipit “ndarje dhe këmbim të territoreve”.

Sido që të jetë, të gjithë skenarët varen nga aftësia e Turqisë për t’i parandaluar tri rreziqet tanimë të definuara, ambiciet e Rusisë për zgjerim, por edhe relacionet e tyre me Evropën dhe rolin që do ta kenë në regjion.

 

Postime të Ngjajshme