` . Zgjedhjet e reja krijojnë kaos politik – TV-SHENJA

Zgjedhjet e reja krijojnë kaos politik

“SHBA-ja jo vetëm që nuk e humb interesimin për Maqedoninë, por pres së shpejti të shihet se ky interesim është rritur pas periudhës së sundimit të Barak Obamës në SHBA, që karakterizohej me një “anemi” demokratike dhe rënie të vigjilencës në institucionet e jashtme politike të Amerikës për atë se çka po ndodhë në pjesën tonë të botës, jo vetëm në Ballkan, por edhe me Bashkimin Evropian, për të cilin SHBA-ja është partneri më i rëndësishëm për mbijetesën e tij”, thotë Ordanovski.

Intervistoi: Ismail SINANI

Analisti i njohur Sasho Ordanovski vlerëson se kriza politike në Maqedoni, megjithatë, do të përfundojë, pasi që – sipas tij – pritet themelimi i qeverisë së re, të udhëhequr nga LSDM. Megjithatë, ai shpreh bindjen se – krahas këtij zhvillimi të ri politik – nga skena politike shumë shpejt do të tërhiqen lideri i VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevski, dhe ai i BDI-së, Ali Ahmeti. Sipas tij, kjo dyshe e politikës e mban vulën e fajit për devijimin e shumë proceseve në këto dhjetë vite. Ordanovski gjithashtu është optimist se shumë shpejt do të ndodhë ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në krizën në vend.

 

SHENJA: Si e shikoni krizën politike? Si analist me përvojë, a keni mundur të supozoni, veçanërisht pas vitit 2001, se Maqedonia do të gjendet ndonjëherë në një qorrsokak të tillë?

ORDANOVSKI: Njohuria mbi thellësinë e krizës së Maqedonisë nuk na erdhi papritur, në një ditë, por është diçka që e kuptuam gradualisht në pesë-gjashtë vitet e kaluara. Prej viti në vit dhe prej dite në ditë u shpeshtuan informatat për atë se si pushteti ngadalë po e robëron shtetin, se si na e kidnapon para syve, se si në mënyrë sistematike e çmonton strukturën e tij të papërsosur dhe të pandërtuar institucionale demokratike dhe se si në vendin e tij monton një aparat të hollësishëm multietnik të njerëzve dhe pseudo-institucioneve që punojnë “me telekomandë”, me të cilin menaxhonte – nuk ka se si ndryshe të quhet – mafia shqiptaro-maqedonase e pushtetit. Unë i kisha të qarta tendencat qysh para shumë vitesh, prej moti shkruaj dhe flas për atë se ku shkojnë dhe ku duan ideologët e Maqedonisë së tillë mafioze korporative t’i përfundojnë punët.

Përsëri nuk mendoj se jemi në qorrsokak. Përkundrazi, më tepër mendoj se arritëm në udhëkryq, në të cilin një shumicë e madhe qytetarësh, të të gjitha kombeve, kulturave dhe feve, në zgjedhjet e fundit qartë treguan se ku duan të lëvizin, kurse përfaqësuesit e votuesve të pakicës etnike të ndarë të votuesve zgjedhorë e bllokojnë këtë udhëkryq, i “rregullojnë” semaforët, janë shtrirë në vendkalimet e këmbësorëve dhe në trotuare, me qëllim që ta pengojnë këtë lëvizje të Maqedonisë drejt demokracisë funksionale dhe multietnike. Nuk them se është mirë dhe se janë anashkaluar çdo lloj ndërlikimesh të mëtejshme, por mendoj se Maqedonia në mënyrë të pandalshme është nisur në drejtim tjetër prej atij në të cilin “e vozitën” Nikolla Gruevski dhe Ali Ahmeti.

 

SHENJA: A konsideroni se kriza e tillë dhe zvarritja e zgjidhjes ka të bëjë me ndryshimet që ndodhën në SHBA – pas zgjedhjeve të fundit presidenciale? Apo, thënë ndryshe, SHBA-ja a është duke e humbur interesimin për Maqedoninë?

ORDANOVSKI: SHBA-ja jo vetëm që nuk e humb interesimin për Maqedoninë, por pres së shpejti të shihet se ky interesim është rritur pas periudhës së sundimit të Barak Obamës në SHBA që karakterizohej me një “anemi” demokratike dhe rënie të vigjilencës në institucionet e jashtme politike të Amerikës për atë se çka po ndodhë në pjesën tonë të botës, jo vetëm në Ballkan, por edhe me Bashkimin Evropian, për të cilin SHBA-ja është partneri më i rëndësishëm për mbijetesën e tij. Kjo “tërheqje” relative amerikane nga ngjarjet e rëndësishme gjeopolitike të Ballkanit kontribuoi që “vakuumin” e shkaktuar përsëri ta mbushin aventuristë dhe kleptomanë të ndryshëm politikë të Ballkanit, struktura me “kompase” të prishura gjeo-politike dhe demokratike, të ndihmuara nga “turbulluesit” e jashtëm rajonalë tradicionalë të Ballkanit, prej Putinit deri te Erdogani. Do të na merrte pak hapësirë t’i analizojmë shkaqet dhe pasojat e kësaj situate të sapondodhur, si dhe fuqia tërheqëse e internacionales populiste konservatore, që është në ofensivë globale në dekadën e fundit, por pa dallim se çka mendoni për kapacitetin presidencial dhe metodat për sundimin e Donald Trampit, është fakt se ai është rrethuar me shumë funksionarë “të fortë” republikanë, të cilët vendosmërisht u nisën në “demarkacionin” e sërishëm dhe të qartë të interesave të forcës së vetme globale në rajone të ndryshme nëpër botë, duke e përshirë edhe Ballkanin. Kjo politikë është më se e qartë: ajo që ka të bëjë me Ballkanin, ndarja e sferave perëndimore të ndikimit, për një kohë të shkurtër, do të jenë kufijtë jugorë të Bullgarisë dhe Greqisë. Në të vërtetë, atë që para ndonjë viti vetëm e fliste sekretari i atëhershëm amerikan i Shtetit, Xhon Keri, tani administrata e Trampit pa dyshim do ta zbatojë me buxhet të rritur në mënyrë të konsiderueshëm për Pentagonin, i ka pëlqyer kjo dikujt këtu apo jo. Andaj edhe habitem me Gruevskin, që e shpenzon këtë kohë të shkurtër që i ka mbetur, me përpjekje për komprometimin e vazhduar të ambasadorit të këtushëm amerikan, Xhes Bejli, në vend që t’u lutet miqve të tij në Moskë që më tepër të mos lëshojnë kurrfarë njoftimesh me të cilat e mbështesin vizionin e tij për Maqedoninë. Kështu, tregohet se Gruevski dhe bashkëpunëtorët e tij janë amatorë plotësisht të rrezikshëm politikë.

 

SHENJA: Në vitet e nëntëdhjeta një pjesë e maqedonasve, të nxitur nga nacionalizmi folklorik, u orientuan kundër shqiptarëve dhe kundër realizimit të të drejtave të tyre. Ndërkohë ishim dëshmitarë të shumë ngjarjeve në rajonin tonë. Luftëra, masakra, shpërngulje të popujve… dhe në fund krejtësisht një shtet i ri, Kosova. Duke e rezymuar tërë këtë histori të re, a është e logjikshme dikush në vitin 2017 t’i nxisë maqedonasit me idetë antishqiptare?

ORDANOVSKI: Kuptohet se është e logjikshme, nëse bërthama ideologjike prej së cilës politikisht ushqeheni është nacionalizmi dhe shovinizmi. Dhe, përsëri zgjimi i platformave të tilla politike nacional-shoviniste të veprimit nuk është rast vetëm në Maqedoni, por edhe në të gjitha vendet fqinje, me të cilat ajo është e rrethuar, duke përfshirë edhe në rrethet nacionaliste shqiptare rajonale. Bota kapitaliste neo-liberale, në të cilën aventuristë dhe kriminelë të ndryshëm politikë e shohin mundësinë e tyre për sukses, u bë një vend jostabil për të jetuar, kurse frika çdoherë zgjon nacionalizëm dhe urrejtje ndaj atyre që janë të ndryshëm prej teje.

Ajo që ka të bëjë me Maqedoninë, këtu Gruevski qe dhjetë vjet, mes tjerash, sundon edhe me një “lajmërim” të pashqiptuar te mbështetësit e tij, se do të vijojë “pjesa e dytë”, madje edhe me paqe, prej konfliktit në vitin 2001 në Maqedoni, në të cilin shqiptarët e Maqedonisë do të jenë, pa dyshim, të dështuar shpirtërisht dhe moralisht e politikisht dhe do t’u caktohet vendi i vërtetë i nënshtrimit, të cilin duhet ta kenë në shoqërinë e Maqedonisë, sipas mendimit të nacionalistëve maqedonas. Për këtë arsye, Gruevski në të gjitha zgjedhjet e kaluara vazhdimisht kërkonte të fitojë shumicë absolute në Kuvend, që të mos „shantazhohet” dhe mos të jetë i detyruar të bëjë “lëshime” ndaj shqiptarëve. Pas vitit 2001 nacionalistët maqedonas e mësuan agresionin ndaj shqiptarëve që ta zëvendësojnë me përbuzje ndaj tyre, me sundim të përbashkët vetëm nga shkaku që duhet, e jo se duan. Tek Ali Ahmeti gjetën një viktimë dhe bashkëpunëtor të jashtëzakonshëm për një bashkëpunim të tillë në pushtet, me një rreth të ortakërisë së njerëzve me dhe përreth Ahmetit, të cilët edhe sot përpiqen, duke e shpëtuar veten, ta shpëtojnë edhe Gruevskin nga përgjegjësia e pashmangshme politike dhe penale. Rezultati do të jetë i atillë që edhe Gruevski edhe Ahmeti, si ortakë, do të shkojnë në histori. Në pikëpyetje është vetëm se çfarë çmimi duhet të paguajë Maqedonia për të.

 

SHENJA: Insistimi në shtet binacional përmban në vete një dozë të lartë të nacionalizmit, por sërish është fakt i pakontestueshëm se maqedonasit dhe shqiptarët janë faktorët kryesorë të proceseve politike dhe shoqërore. Pa i ofenduar kombet e tjera, sipas jush, ku gabojnë shqiptarët, e ku maqedonasit?

ORDANOVSKI: Maqedonia do të jetë shtet binacional nëse edhe maqedonasit edhe shqiptarët nuk përpiqen më tepër në integrimin multietnik në shoqëri. Kjo mund të ndodh vetëm me një insistim të madh të të drejtave individuale, përkundër të drejtave kolektive, pikërisht siç është modeli i shtetit i promovuar në Marrëveshjen Kornizë të Ohrit. Pasi, nëse përforcohet karakteri binacional i shtetit, kjo në mënyrë të pashmangshme shpie në ndonjë formë të federalizmit territorial ose joterritorial, që është formula e vetme, sipas së cilës, mund të sundojnë VMRO-DPMNE-ja dhe BDI-ja, që në mënyrë katastrofale humbi në zgjedhje: në mënyrë proporcionale të ndahemi, një periudhë secili të sundojë me njerëzit e vet (dhe me “të veten”), pastaj në kohë të shkurtër, nëse krijohen kushtet për të, edhe të ndahemi, e ndërkohë “bashkërisht” të punojmë që ta bindim Perëndimin se kjo është zgjidhja “më e mirë” për të gjithë, sepse pa pëlqimin e Perëndimit nuk ka ndryshim të kufijve të Ballkanit. Këtë projekt, hap pas hapi, Gruevski dhe Ahmeti e sollën në maksimumin e tyre në ditët para zgjedhjeve, por në zgjedhjet e fundit të dyja palët, faktikisht, pësuan humbje politike pikërisht në esencën e këtij koncepti. Me të vërtetë, votuesit shqiptarë, në mënyrë instinktive politike, në zgjedhjet e fundit treguan se më mirë e kuptuan tragjedinë e pashmangshme që e barti ky projekt politik me vete, kurse te një pjesë e madhe e votuesve maqedonas duhet të kalojë një periudhë e “devmroizimit” themelor të shoqërisë, që t’u hyjë “prej prapanicës në kokë” se receta e VMRO-DPMNE-së për të ardhmen e Maqedonisë është dështuese pikërisht për vetë maqedonasit. Kjo, përfundimisht, si kristali iu bë e qartë edhe Brukselit, ku u pastruan të gjitha dilemat rreth asaj se çfarë do të jetë ardhmëria e Maqedonisë nëse mafia e Gruevskit mbetet në pushtet.

 

SHENJA: Ekziston një fakt që e dinë të gjithë: prej të gjitha shteteve që e rrethojnë Maqedoninë, vetëm Shqipëria dhe Kosova nuk kanë kurrfarë problemi me gjuhën maqedonase, Kishën Ortodokse Maqedonase dhe kombin maqedonas. Mirëpo, duke e përfshirë edhe fushën intelektuale, të gjitha akuzat janë të orientuara për shqiptarët, pastaj duke harruar se rreziku “të jesh apo jo” rrjedh pikërisht nga shtetet dhe popujt që këta i konsiderojnë miq. Ku është logjika e tërë kësaj?

ORDANOVSKI: Logjika është në propagandën e fuqishme shtetërore dhe para-shtetërore nacional-shoviniste, propagandën “serbe të memorandumit” në projektin që ua përshkrova më lart: në VMRO, historikisht, ekzistojnë ide të ndryshme përçarëse, që janë të papastruara edhe sot e kësaj dite, rreth asaj se çfarë duhet dhe me kë duhet “të shkojë” apo të jetë Maqedonia, por konsiderohet se më e dobëta është ajo e Ilindenit, e cila e konspiroi Maqedoninë si bashkësi të “vëllezërve dhe motrave” të të gjitha etnive që jetojnë në territorin e saj. Për fat të keq, fakti që Republika e Ilindenit zgjati vetëm dhjetë ditë tregohet si periudhë e pamjaftueshme për kujtesën dhe sistemin e vlefshëm të nacionalistëve modernë maqedonas. Nuk është mirë që sot të jesh shqiptar i rëndomtë në Maqedoni, sepse për të gjitha krizat ekonomike, sociale, të identitetit dhe krizat tjera politike nëpër të cilat kalon shteti, në fund, VMRO-ja të akuzon ty, shqiptarin, si dikush i cili vazhdimisht e mban thikën ndër sqetull që ta dënojë maqedonasin! Mirëpo, edhe shqiptarët nuk janë “të përsosur” politikisht, budallenj ka nga të gjitha anët, vetëm çështja çdoherë është afërsia e tyre në qendrën e politikës: nëse budallenjtë e tillë janë në margjinat e ngjarjeve apo janë në qendrën e miratimit të vendimeve? Për shembull, çdoherë dhe çdokund keni nga ndonjë Milenko ose Janko nëpër medie, por problemi ndodh kur kryeministri dhe presidenti i shtetit janë mysafir disa herë brenda vitit nëpër emisione, që krijon huti objektive rreth peshës politike specifike të budallenjve. Por, ka edhe politikanë shqiptarë me qëllime të këqija, madje edhe politikanë shqiptarë të pavëmendshëm. Ja, mua mund të më vijë vetëm keq, dhe nuk dyshoj, që Edi Rama ka qëllim të mirë, me qëllim t’u ndihmojë përfaqësuesve politikë të shqiptarëve të Maqedonisë të vijnë te një platformë e përbashkët themelore për veprimin e ardhshëm politik në Maqedoni, është pajtuar me prezencën e tij “të jetë kumbar” në dokumentin e tillë me shumë pika të dyshimta në atë deklaratë shqiptare, pastaj edhe është fotografuar me të gjithë përfaqësuesit tanë shqiptarë para hartës së konstruktit politik serb të “Shqipërisë së Madhe” që i rri pezull diku në kabinet. Për këtë shkak, ju them, ka edhe shumë të mësohet në të gjitha anët se si të jetohet bashkërisht në Ballkan.

 

SHENJA: A është platforma politike rrezik për Maqedoninë apo kjo është vetëm paravan për të fituar vota përmes etno-nacionalizmit?

ORDANOVSKI: Për mua, si maqedonas etnik, me rëndësi është të dëgjoj se cilat janë dilemat politike dhe kërkesat politike etnike të bashkëqytetarëve të mi shqiptarë. Në këtë situatë politike në të cilën gjendet Maqedonia, nuk habitem që edhe te shumë maqedonas “normalë” përjetohet si provokim politik që Ali Ahmeti tani, pas një dekade të sundimit miqësisht me Gruevskin, iu kujtua se nevojitet të dërgojë ndonjë etno-platformë të hollësishme për formimin e qeverisë së re, kur 95 për qind të shqiptarëve, por edhe pjesa më e madhe e maqedonasve, kanë prioritete politike krejtësisht të tjera, për të cilat votuan në zgjedhjet e kaluara. Gruevski dhe Ahmeti na e “përgatitën” këtë “gjellë” që të gjithë duhet ta hurbatim. Edhe kjo do të kalojë, ngadalë po pastrohen të gjitha “mjegullat” që i prodhojnë njerëzit të cilët shkojnë në historinë politike të Maqedonisë.

 

SHENJA: Fitohet përshtypja se lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, nuk dëshiron zgjedhje të reja. Cilat janë shkaqet për të?

ORDANOVSKI: Së pari, dihet se si shkohet në zgjedhje: nëse dëshiron shumica në Kuvend, duhet ta votojë shpërndarjen e Parlamentit. Së dyti, përse të shkojmë në zgjedhje të reja kur ende zgjedhjet paraprake nuk kanë përfunduar? Zgjedhjet përfundojnë me konstituimin e pushtetit të ri, andaj në Maqedoni ka dëshirë të qartë dhe të shprehur politike të shumicës demokratike. Çdo analizë e arsyeshme tregon se zgjedhjet e reja janë vetëm thellim i krizës dhe hyrje në kaosin praktik, pra jo vetëm në kaosin politik në shtet. Në terrorin politik kushtetues në të cilin jemi ekspozuar në periudhën pas zgjedhjeve, pasi mafia është e shprehur në aspektin politik, nuk do të thotë se duhet t’u lëshohet dhunuesve vetëm sepse kërcënohen se do ta ndezin shtetin. Nëse mendojnë se kanë forcë dhe mbështetje vendore ose mbështetje të huaj për të, le të urdhërojnë, ashtu zgjidhja do të jetë më e shpejtë dhe shumë e pakëndshme për të gjithë. Mirëpo, për ta nuk ka shpëtim.

 

SHENJA: A besoni se skena politike do të jetë “e sterilizuar” nga kriminelët, posaçërisht kur do të kihet parasysh fakti se “aktivitetet kriminele” të disa anëtarëve të VMRO-DPMNE-së nuk do të mund të kryheshin pa mbështetjen e BDI-së, parti me të cilën LSDM-ja, përkatësisht Zaevi, është në marrëdhënie të mira paszgjedhore?

ORDANOVSKI: Vështirë se marrëdhëniet ndërmjet LSDM-së dhe BDI-së pas zgjedhjeve mund të përshkruhen si të mira ose me besim të plotë, veçanërisht që BDI-ja nuk është grupacion politik koherent në të cilin përfaqësohen qëndrimet e njëjta. Në LSDM supozoj se ekziston edhe një hidhërim nga sundimi i BDI-së së bashku me VMRO-në në dhjetët vitet e kaluara, edhe në këtë parti ekziston një numër i mjaftueshëm i nacionalistëve maqedonas, të cilëve do t’u duhet kohë “ta përpijnë” faktin se duhet të sundojnë me koalicion të gjerë me përfaqësuesit e votuesve shqiptarë në Maqedoni. Mirëpo, keni të drejtë, me siguri nuk do të jemi të gjithë të kënaqur deri në fund nga pastrimi me krimin e tanishëm në shtet. Shoqëria sërish do ta paguajë çmimin politik, kurse shumë të tjerë besoj se do të përgjigjen penalisht.

 

SHENJA: Cila është analiza juaj në marrëdhënien e relacionit Zaev-Ahmeti, veçanërisht pasi BDI-ja mori vendim të jetë pjesë e pushtetit me LSDM-në? A mendoni se BDI-ja është e sinqertë në këtë relacion dhe Zaevi a i beson shumë Ahmetit, me çka i dobësoi marrëdhëniet e tij me partitë tjera politike shqiptare, veçanërisht me BESËN, e cila ishte shumë e drejtë dhe korrekte me LSDM-në dhe Zaevin?

ORDANOVSKI: Politika është art në të mundurën, e jo sferë në të cilën realizohen zgjidhjet ideale. Kjo është “derë e vogël” nëpër të cilën depërtuan mijëra dëmtues në historinë e demokracive. Unë besoj se Ahmeti së shpejti politikisht do të pensionohet, ndoshta këtë vit, kurse BDI-në e pret një introspeksion brendapartiak personal, nëse duan politikisht të mbijetojnë në plan afat mesëm. Përndryshe, nëse nuk e bëjnë këtë, duhet ta konsultojnë Menduh Thaçin për këshilla për mbijetesë politike.

Sa i përket BESËS, ata kanë të drejtë të zgjedhin nëse do të zhvillohen në modelin politik të “vëllazërisë myslimane”, një lloj i filialit të këtushëm oriental të AKP-së së Erdoganit apo në modelin e partisë laike politike perëndimore moderne, në të cilën do të ketë respekt të plotë për elementet fetare, por këto nuk do të mbizotërojnë në miratimin e vendimeve për veprimin e tyre politik. Nuk është e lehtë kjo sfidë, veçanërisht që opinioni i gjerë ende nuk ka kontroll transparent në financimin dhe marrëdhënien e forcave në këtë grupacion politik.

 

SHENJA: Ndoshta vështirë është të parashikohet, por si e shikoni daljen nga kriza politike në Maqedoni?

S. ORDANOVSKI: Do të ketë qeveri të re, të udhëhequr nga LSDM-ja, e cila do ta stabilizojë dhe reformojë shtetin sipas rekomandimeve të Pribesë, me një rol të rëndësishëm të organeve speciale dhe organeve të rregullta për ndjekjen e krimit. Kjo nuk është as agjenda e vetme, e as agjendë e shpejtë dhe parashikoj se do të ketë shumë situata “të rënies dhe të ngritjes” në zhvillimin e tillë. Mirëpo, kjo është agjenda që do të mbështetet ndërkombëtarisht edhe me ndihmë politike edhe me ndihmë financiare. Nuk ka opsione të tjera për Maqedoninë.