` . Zgjedhjet, çka mund të pritet? | TV SHENJA
sulejmani

Zgjedhjet, çka mund të pritet?

Në rast se do të ishte përcaktuar BDI-ja të shkojë në koalicion me VMRO-DPMNE-në, kjo do ta ballafaqonte me opinionin publik shqiptar që është kundër një bashkëpunimi të tillë. Me një veprim të pamenduar mirë, BDI-ja do ta vinte në rrezik seriozisht fitoren e komunave, nëse nuk do të përjetonte edhe debakël, pas së cilës vështirë se do të mund të parandalohej edhe rrënimi i plotë i partisë deri në shkatërrim.

Shkruan: Rizvani SULEJMANI, Shkup

Sovrani e tha fjalën e vetë. Ai foli, por kush e dëgjoi. Tanimë kur zgjedhjet mbaruan dhe vullneti politik u përkthye në numra, më tepër vjen në shprehje matematika sesa politika. Politika matematikore duket se është më e komplikuar se fushata parazgjedhore dhe numërimi i votave. Vullneti politik i shprehur në numra e ndau Maqedoninë pothuajse për gjysmë, në pozitë dhe opozitë. Kjo duket kështu vetëm në shikim të parë.

Meqë ekuacioni me më shumë të panjohura është i komplikuar, shtabet zgjedhore të partive politike këtë e thjeshtojnë në vetëm në të njohura, duke mos operuar fare me të panjohurat. Opozita, veçanërisht ajo maqedonase, do të potencojë se vota popullore – shikuar në tërësi si demos (populli) – ishte pro ndryshimit ngase gjitha partitë politike opozitare, kumulaivisht, shqiptare e maqedonase, kanë më shumë vota se ato të pozitës, gjegjësisht VMRO-DPMNE dhe BDI bashkë. Nga kjo ata nxjerrin konstatimin se opozita është fituese, andaj dhe duhet ta formojë qeverinë. Ky vullnet politik në mandate me metodën e D’Hontit rezulton krejt ndryshe. Të gjitha partitë politike opozitare, LSDM-ja, Besa, LR-PDRSH-ja dhe PDSH-ja kanë gjithsej 59 mandate, që i lë pakicë në parlament, kurse partitë në pushtet VMRO-DPMNE dhe BDI bashkërisht i kanë 61 mandate, të mjaftueshëm që ta kalojnë pragun e shumicës që garanton qeveri. Me këtë raport të forcave në parlament, nëse partitë opozitare do të donin të bënin koalicion, detyrimisht u duhet BDI-ja, parti e cila pothuajse 13 vite është në pushtet. Shikuar në vija etnike, maqedonasit, megjithatë votuan pro pozitës, qoftë si votë popullore, qoftë si mandate. Nga ana tjetër, shqiptarët edhe si votë popullore edhe si mandate, nëse llogariten edhe votuesit shqiptarë që votuan LSDM-në, dhe dy deputetët shqiptarë në listën e tyre, votuan për opozitën. Kjo matematikë mandatesh bën që shumë shqiptarë t’i fërkojnë duart dhe të deklarojnë zëshëm “erdhën pesë minutat tona”.

Megjithatë, nëse pak më me kujdes analizohet skena politike, ajo është më e komplikuar sesa duket. Të mundohemi pak t’i analizojmë rrethanat. Të përkujtoj se teksti është shkruar para se të ndodhë rivotimi në një vendvotim në fshatin Tearcë, por lëshohet për shtyp vetëm disa orë pasi dihen rezultatet preliminare, andaj edhe teksti fare nuk është ndryshuar pasi shpërndarja e mandateve ka mbetur e njëjtë. Në këtë rast do t’i analizojmë dy opsione, kurse të tretin vetëm do ta paralajmërojmë.

Cilat janë kalkulimet elementare? Nëse dy partitë që deri tani ishin në koalicion duan të mbeten në pushtet edhe më tutje, ato mund të vazhdojnë, por me një qeveri tejet labile, së paku në numra. Për ta rritur stabilitetin, por edhe për ta zgjeruar legjitimitetin, ato duhet të kyçin deputet shtesë, qoftë nga partitë më të vogla, qoftë duke i trafikuar. Përskaj përshtypjes se BDI-ja e ka timonin e udhëheqjes me shtetin, atë e presin shumë sfida. Nëse do të vazhdojë qeverisjen me partnerin e gjertanishëm, së pari i duhet ta qetësojë opinionin publik, së paku në pjesën shqiptare, ngase edhe sipas rezultateve zgjedhore, por edhe nga matjet e tjera, rezulton të jetë kundër vazhdimit të koalicionimit me VMRO-DPMNE-në. Votat që shkuan në partinë e LSDM-së janë më tepër kundër Nikolla Gruevskit sesa pro Zoran Zaevit. BDI-ja është nën presion të hatashëm nga opinioni publik shqiptar, por edhe nga strukturat e veta, veçanërisht nga kryetarët e komunave, që të mos hyjë në koalicion me VMRO-DPMNE-në, ngase vetëm pas disa muajsh ata duhet të dalin në zgjedhje. Ali Ahmetit më tepër se kurdoherë i duhet një rezultat i shpejtë dhe i dukshëm nga një koalicion i mundshëm nëse dëshiron që sadopak ta ruajë besimin e humbur te shqiptarët. Por, a mundte – përskaj rrethanave në shikim të parë shumë të favorshme – realisht të shpresojë të bëjë çudira dhe ta kthejë besimin te shqiptarët? Ta analizojmë opsionin e parë – koalicioni me LSDM-në.

Asimetria në përkrahje që e kanë partitë politike maqedonase te elektorati i vet, ku edhe më tutje dominon VMRO-DPMNE-ja, nuk i garanton Ahmetit se me një opinion të tillë maqedonas, që kontrollohet nga kjo parti nacionaliste, të ketë rezultate të shpejta dhe të dukshme në një koalicionim të mundshëm me LSDM-në. Shikuar sipas gjysmës së të vërtetave që qarkullojnë në dy kampet maqedonase, nuk mund të konkludojmë se ato janë të gatshme për ndonjë koncesion më serioz. LSDM-ja do të kishte preferuar një qeveri me gjithë shqiptarët për një kohë të shkurtër prej gjashtë muaj deri një vjet, me një agjendë strikte. Në të do të mund të përfshiheshin këto veprime: para së gjithash t’i shtyhet mandati Prokurorisë Speciale, të formohet gjykata e posaçme ose edhe një njësi gjyqësore e veçantë për këto raste, kurse shqiptarëve do t’u kishte ofruar rebalanc të buxhetit, me të cilën do të plotësoheshin disa kërkesa të tyre për barazi në shpërndarjen e buxhetit. Ndoshta do të kishte pranuar t’i jepej një post i lartë si kryetarë i parlamentit, por jo edhe ndryshimin e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe, që ishte tema kyçe tek partitë politike shqiptare gjatë fushatës parazgjedhore. Bile edhe me këto minimum lëshime që do t’i bënte LSDM-ja, do të ballafaqohej me reagime të ashpra nga VMRO-DPMNE-ja, që do ta cilësonte si një qeveri të shqiptarëve me “tradhtarët maqedonas”. Gjykoj se këto goditje ajo do të mundohej t’i amortizojë me ngritjen e fletë-padive ndaj funksionarëve të lartë të kësaj partie nga ana e Prokurorisë Speciale, duke tentuar që populli ata t’i perceptojë si hajdut e të korruptuar, me çka do të mundohej t’i demaskonte thirrjet e tyre në patriotizëm dhe nacionalizëm. Kjo strategji gjatë aplikimit do të ballafaqohej me disa probleme. Së pari autoriteti i Prokurorisë Speciale do të vihej në pikëpyetje nëse do të paraburgoseshin vetëm funksionarë të VMRO-DPMNE-së dhe jo të BDI-së. Këtë partia e Gruevskit do interpretonte lehtë si komplot të shqiptarëve dhe faktorit ndërkombëtar me “tradhtarët maqedonas” për ridefinimin e Maqedonisë. Supozoj se në këso rrethana efikasiteti i një qeverie të tillë të brishtë, me përkrahje të ulët tek popullata shumicë, do të ishte shumë i ulët, veçanërisht nëse prezenca e faktorit shqiptar do të ishte më e dukshme. Problemi i dytë me të cilin do të ballafaqoheshin janë obstruksionet gjatë procesit të izolimit ose edhe arrestimit – nëse kemi parasysh procedurat gjyqësore dhe pengesat tjera procedurale. Do të jetë vështirë që me procedurë të shpejtë të arrestohet një Sasho Mijallkov ose Nikolla Gruevskin – nëse dihet se policia funksionon si klienteliste. Prandaj lirisht mund të thuhet se brenda saj ekzistojnë tri polici: ajo e VMRO-DPMNE-së, e LSDM-së dhe e BDI-së. Për më tepër, në momentin kur do të shpallen rezultatet zyrtare të zgjedhjeve, me të “de jure” do të udhëheqë zëvendësministri Agim Nuhiu, kuadër i BDI-së, kurse “de fakto” Mitko Çafkov, një funksionar i VMRO-DPMNE. Gjyqësia gjithashtu është e politizuar dhe e kontrolluar nga partitë në pushtet, që një aksion të tillë e bën pothuajse të pamundur.

Funksionimi i një qeverie të tillë dhe zbatimi i kësaj strategjie, që qarkullon në kampin opozitar maqedonas, duket të jetë shumë më e komplikuar seç paraqitet. Nëse me qëllim të ruajtjes së balancave, kredibilitetit dhe objektivitetit, Prokuroria Speciale do të kishte bërë përpjekje që ta arrestojë edhe ndonjë funksionar të BDI-së, ajo do të haste në rezistencë nga kjo parti, pasi do t’i krijonte përçarje të brendshme mu para zgjedhjeve lokale. Cilido që të jetë ai, do të kishte parashtruar pyetjen “pse unë?”. Të konkludojmë: koalicioni me LSDM-në do të ishte mirëpritur nga shqiptarët, por është vështirë të parashihet nëse do t’i mjaftonte BDI-së që në zgjedhjet lokale ta kthejë rezultatin, veçanërisht nëse LSDM-ja do të hezitonte së paku deklarativisht, të shprehej se do t’i vinte në agjendë çështjet shqiptare. Këtu duhet cekur edhe një fakt tjetër: për koalicion me LSDM-në, BDI-së, detyrimisht do t’i duhet edhe një ose edhe dy parti politike shqiptare, të cilat do t’i krijonte shqetësime shtesë. Çmimi i partisë që do t’i bashkëngjitej do të ishte shumë i lartë dhe jo pa arsye. Të gjitha partitë politike shqiptare opozitare para zgjedhjeve deklaruan se assesi nuk do të kishin koalicionuar me BDI-në, kurse nga ana tjetër votat e këtyre partive janë të domosdoshme për një qeveri të tillë. Pastaj do të ballafaqohej me sfidën se si do t’i sistemojë të gjithë ata funksionarë që tani duhet t’ua lëshojnë vendin partive të tjera shqiptare. Prapë secili do ta shtrojë pyetjen “pse unë?”. Kështu, mbetet opsioni i dytë – koalicioni me VMRO -DPMNE-në

Në rast se BDI-ja do të ishte përcaktuar të shkojë në koalicion me VMRO-DPMNE-në, kjo do ta ballafaqonte me opinionin publik shqiptar, që është kundër një bashkëpunimi të tillë. Me një veprim të pamenduar mirë, BDI-ja do ta vinte në rrezik seriozisht fitoren e komunave – nëse nuk do të përjetonte edhe debakël, pas së cilës vështirë se do të mund të parandalohej edhe rrënimi i plotë i partisë deri në shkatërrim. Për ta parandaluar këtë, BDI-së do t’i nevojiten së paku disa veprime: një – të bëjë përpjekje që t’i fus në koalicion të gjitha partitë politike shqiptare ose, së paku, dy prej tyre, me çka do ta amortizonte presionin e opinionit publik shqiptar dhe ta ndante përgjegjësinë me ta; dy – të prodhojë rezultate shpejt dhe që bien në sy; dhe tre – t’i amortizojë goditjet nga Lëvizja BESA si parti opozitare që do të mbetej. Për të arsyetuar këtë veprim do t’i duhen shumë më tepër efekte se në variantin e parë. Përskaj kësaj, ajo duhet t’u japë përgjigje sfidave si këto: sa do të jetë çmimi që duhet t’ua paguajë partive të tjera shqiptare që do t’i bashkëngjiteshin, që do të ishte po aq i lartë – në mos më tepër – se në rastin e parë, por për motive tjera.

Kur i shkrova këta reshta, nuk e kisha idenë se Ali Ahmeti do t’i ftonte në takim liderët shqiptarë për platformë të përbashkët, por më 24 dhjetor 2016 ajo ndodhi, gjë që e vërteton paralajmërimin tim dhe shikuar nga ajo se kush iu përgjigj ftesës, duket se vërtetohet edhe supozimi se asaj do t’i bashkëngjiten LRPDSH-ja dhe UNITETI. Në ditët në vijim do të shihet se a është ky koalicion vetëm për pushtetin qendror ose prej tani do të ketë marrëveshje edhe për zgjedhjet lokale dhe si do të veprojnë dy deputetët e PDSH-së kur kryetari i tyre Menduh Thaçi është në dorëheqje. Nuk duhet të habitemi nëse ata i shohim në qeveri, qoftë direkt në marrëveshje me VMRO-DPMNE-në, qoftë nëpërmjet BDI-së. Çmimi i lartë që do ta paguajë BDI-ja në këtë rast është për dy arsye tjera: një – pse këta që aq shumë e kanë kritikuar VMRO-DPMNE-në hynë në koalicion me të? dhe dy – pse shkelin mbi premtimin parazgjedhor se kurrë nuk do të bashkëpunojnë me BDI-në? Për këtë veprim ata duhet të kenë një justifikim serioz.

Ndërkaq BDI-ja, pas këtij veprimi në afatshkurtër, do të kishte problem t’i sistemojë njerëzit e vet dhe ambiciet e tyre, që nuk janë mësuar ta ndajnë pushtetin me dikë tjetër, megjithëse në plan afatmesëm ajo do të mund të llogariste se këto parti të vogla opozitare, që sot i bashkëngjiten, në të ardhmen edhe mund të shkrihen në të. Koalicioni me këto parti shqiptare do të ishte i domosdoshëm edhe për të pasur një kontroll mbi atë që njihet si Badinter, gjegjësisht për të pasur shumicën e dyfishtë (shumicën e komuniteteve që nuk janë shumicë në vend). BDI-ja, nëse do të futej në një kombinim të tillë, do t’i duhet të bëjë çmos që të marrë pjesë ma të madhe të kulaçit qeveritarë, që besoj se do ta mund ta bëjë, për shkak të peshës specifike që e kanë deputetët e kësaj partie edhe sepse në numër janë shumë më pak se në mandatet paraprake. Por, kjo nuk do t’i mjaftonte me një parti politike shqiptare në opozitë, siç është BESA, sado e re dhe e pastrukturuar dhe ideologjikisht e pakonsoliduar që është. Çka duhet të bëjë? Që të mund t’i përballoj këto presione, asaj do t’i duhet rezultat i shpejtë, evident dhe i dukshëm. Këtë besoj se do të mund ta sigurojë më lehtë me VMRO-DPMNE-në sesa me LSDM-në. Një efekt i tillë mund të arrihet nëse do të mund të bëheshin së paku këto veprime: a) menjëherë pas konstituimit të parlamentit të bëjë ndryshime në rregulloren e parlamentit, por edhe në ligjin për përdorimin e gjuhëve; b) kryetari i ri i parlamentit, që pa probleme do të mund të ishte shqiptar, të mund të fliste që në seancën e parë shqip; c) me ndërhyrjen në ligj duhet të krijohen parakushte që edhe në qeveri të përdorej gjuha shqipe, jo në formë imperative, por së paku si mundësi. Çështje tjetër që do të mund të kalonte shpejt, por që efektet do të shiheshin më vonë, do të ishte ndryshimi i ligjit për buxhetin, ku një pjesë e parave që sot shkojnë në pushtetin vendor, për zhvillim regjional, të shpërndahet me formulë sipas nivelit të zhvillimit, që nuk ka qenë rast deri më tani, pastaj të bëhet rritja e përqindjes së TVSH-së për komunat, por edhe zgjerimi i gamës së burimeve financiare vetanake për komunat. Me një rebalancë të buxhetit duhet të sigurohet ndarje e drejtë, jo detyrimisht proporcionale e parave për arsim, shkencë e kulturë. Ajo duhet të sigurojë edhe intervenim në ligjin zgjedhor dhe në ligjin e punëve të brendshme, ku ndoshta më mirë do të ishte të miratohen ligje të reja. Në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka shumë pushtet të përqendruar pa kontroll të mjaftueshme civile, kurse shërbimet sekrete pothuajse janë të mbyllura për shqiptarët, andaj kjo duhet të rregullohet. Me ligjin zgjedhor duhet të garantohet që përfaqësimi i shqiptarëve në parlament të jetë i drejtë dhe adekuat, kurse bipartizmi i krijuar te partitë maqedonase të dekonstruohet. Ai prodhon gjithmonë parti politike maqedonase shumë të fuqishme, që e topitë forcën politike të partive shqiptare, gjë që bën ata të lindin, zhvillohen dhe për një kohë të zhduken. Kjo nuk nënkupton detyrimisht sistem proporcional me një njësi zgjedhore, siç e protezhojnë shumë, madje mund të jetë e kundërta. Në fakt, duhet të gjendet edhe një model adekuat nga mbi 2400 të mundshmit që i njeh praktika parlamentare, që është më i përshtatshëm për Maqedoninë si shtet multietnik.  “Plafoni” i realizimit të objektivave do të arrihej nëse ajo do t’ia dilte ta ndërrojë ligjin për zgjedhjen e presidentit, me çka do të krijohet baza ligjore që kryetari i ardhshëm të zgjidhet me dy shumica, megjithëse më e preferueshme do të ishte në zgjedhje të drejtpërdrejta, por në instancë të fundit mund të pranohet edhe zgjedhja në Parlament. Këto koncesione besoj se nuk do të mund t’i realizonte me LSDM-në në rrethana edhe më të favorshme dhe, më së paku, në rrethanat ekzistuese.

Sa i përket çështjes së emrit, integrimit në NATO dhe avancimit në drejtim të BE-së, nuk besoj se do të mund ta bënte shumë as me LSDM-në as me VMRO-DPMNE-në, jo aq për fajin e tyre sa për shkak të konstalacioneve të reja gjeopolitike si në regjion, ashtu edhe në Evropë dhe më gjerë. Vetëm duhet bërë çmos që ëndrra evropiane edhe më tej të mbetet madje si iluzion deri në një moment të ri. Këto ndryshime duhet dhe mund të bëhen vetëm me VMRO-DPMNE-në, si parti e kauzës kombëtare maqedonase, ngase çfarëdo që të bëhej me LSDM-në, nuk do të pranohen nga kjo e para. Ajo do të shihej prej maqedonasve si imponim dhe nuk do të llogaritej si marrëveshje ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve, që është problemi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, pasojat e të cilës i shohim gjatë implementimit. A do ta pranonte këtë Gruevski dhe partia e tij? Do të rezistojë, do ta ketë shumë vështirësi, por nëse do të bëhej një strategji adekuate dhe do të viheshin në përdorim gjitha resurset, do të detyrohet. Për momentin nuk mund të kërkohet as më shumë e as më pak se kjo. Përndryshe ekuilibrat politike sërish mund të çrregullohen, me çka vihet në pikëpyetje stabiliteti i vendit. Besoj se këto do t’i përkrahte edhe Lëvizja BESA edhe si pari jashtëqeveritare. Pas kësaj mund t’u jepet amnisti të gjithë të inkriminuarve, me kusht që të mos merren me politik së paku në dhjetë vitet e ardhshme. Prokuroria Speciale duhet të vazhdojë, por jo me Katica Janevën, sepse ajo është prodhim i këtij mish-mashi, bile tani është pjesë përbërëse e saj. Një prokuror i tillë duhet të zgjidhet mbi parimin e meritokracisë dhe nga organe të pavarura dhe jo nga ata që duhet t’i përndjekë. Katër “kriminelë” nuk e bëjnë një të drejtë (virtytshëm) – ata edhe më tutje mbeten katër “kriminelë” që duhet ndjekur, por ja nga ai/ajo që ata do ta përzgjedhin.

A do të mjaftonte kjo? Nuk do të mund ta eliminonte padrejtësitë historike, por do ta frenojë mllefin e qytetarëve shqiptarë dhe nuk do t’i dëmtojë qytetarët maqedonas. Ndërkaq me një menaxhim më të mirë me opinionin publik tensionet ndëretnike do të mund të mbaheshin në nivel të tolerueshmes. Në këtë mënyrë marrëdhëniet ndëretnike sadopak do të relaksoheshin dhe do të krijohej mundësi që në plan afatmesëm forcat politike në vend të angazhohen për çështje më prioritare, siç janë problemet ekonomike, me çka shoqëria do të imunizohej prej radikalizmave dhe ndikimit të forcave regjionale dhe globale. Në këso rrethana BESA, si partia e vetme opozitare shqiptare, do ta priste shansin e vet në rirreshtimet e reja gjeopolitike, por edhe në dështimin eventual të këtij projekti. Në rast të dështimit ose ndryshimit dramatik të situatave në regjion, shqiptarët te kjo parti opozitare do të kishin alternativë sa të dëshiruar, po aq edhe të imponuar, por më mirë se pa hiç.

Opsioni i fundit, ndoshta edhe më i mundshëm, është mbajtja e status quo-së, duke e shtyrë zgjedhjen e qeverisë me taktizime dhe me obstruksione të menaxhueshme dhe me PR (relacionet publike) deri në zgjedhjet lokale, ku edhe një herë do të mateshin forcat dhe ku pozicionet e partive do të jenë më të qarta. Por, edhe ky opsion është me shumë sfida dhe me shumë të panjohura, që nuk janë më pak të rrezikshme. Këtë nuk do ta dëshiroja, andaj kësaj radhe as nuk do ta analizojmë, por nuk do të thotë se e përjashtojmë.

Postime të Ngjajshme