` . Zgjedhje s’kishte, zgjidhje ka ende – TV-SHENJA

Zgjedhje s’kishte, zgjidhje ka ende

Shkruan: Agim BAÇI, Tiranë

Zgjedhja e kandidatëve shqiptarë nën flamurin e LSDM-së dhe mbështetja e kësaj të fundit për kandidatët e BDI-së në rrethin e dytë të zgjedhjeve përballë rivalëve shqiptarë, lë të hamendësosh se është vetëm maja e ajsbergut për panoramën e konflikteve të ardhshme politike në vendin e vogël ballkanik. Sidomos pas deklaratave të Zaevit se, pas këtyre zgjedhjeve kishte fituar qytetaria dhe jo nacionalizmat, duket se ka nisur një platformë e re: çështja shqiptare dhe të drejtat e shqiptarëve si element shtetformues të kalojnë në një shtojcë të mazhorancës.

Heshtja e Zaevit dhe partisë së tij ndaj hapave shumë të ngadaltë lidhur me zgjidhjen e çështjes “Monstra”, ku ende të akuzuarit nuk kanë një proces të qartë ose edhe ndaj procesit të kontestuar gjyqësor lidhur me të ndëshkuarit e “Grupit Kumanova” në fillim të nëntorit 2017 – raste që Zaevi i denonconte me forcë kur ishte në opozitë, bashkë me rastet e “Sopotit” dhe “Brodecit” – vënë në dyshim premtimet e mëhershme të liderit të LSDM-së se dëshiron të shohë shqiptarët në startin si bashkëqytetarë të barabartë të vendit të tij.

Nisur nga ky mosangazhimi hapur i kreut të LSDM-së ndaj çështjeve të agravuara me elementin shqiptar në Maqedoni, është e lehtë të besohet se edhe çështja e përdorimit të gjuhës shqipe do jetë e pazgjidhshme ose e paaplikueshme. Deri më tani nga Zaevi është rrëzuar hapur mundësia që gjuha shqipe të jetë në uniforma ose kartmonedha. Si për ironi, edhe përfaqësuesit shqiptarë pranë tij, të zgjedhur në emër të bashkëjetesës, e kanë mbështetur Zaevin në këtë projekt, ndërkohë që BDI-ja duket se është e kënaqur vetëm me vazhdimin e të qenurit në pushtet.

Por, ç’mund të ndodhë kur zgjedhjet nuk pasqyruan vullnetin e zgjedhësve, të paktën në përballjen e dytë mes shqiptarësh?

Logjika politike tashmë kërkon zgjidhje, e cila nuk ka të bëjë më me ardhjen ose jo në pushtet të partive humbëse shqiptare, por me pengimin e avancimit të politikës asimiluese, e cila fshihet pas gjuhës internacionaliste-marksiste të integrimit në bashkëqytetari – domethënë në lënie identiteti.

Pikëpyetjet mbi të ardhmen politike vihen më së shumti ndaj Lëvizjes BESA, e cila është edhe forca e vetme që, edhe pse ka votuar qeverinë për t’u formatuar, ka mbetur jashtë formacionit që ka ndërtuar Zaevi. Nga ana tjetër, një marrëveshje me partinë e Gruevskit, kur ky i fundit është ende drejtues që nuk ka kërkuar asnjë ndjesë ndaj dhunimit të shqiptarëve, është aktualisht jomorale. Në këtë situatë kur nuk është më në lojë përballja politike, por mbijetesa si element identitar, “Lëvizja Besa” ka nevojë për një rifomatim të elementit shqiptar, sidomos me “Aleancën për Shqiptarët” të drejtuar nga Zijadin Sela. Ky i fundit, pas humbjes së bashkisë së Strugës për shkak të marrëveshjes BDI-LSDM, duhet të lexojë të ardhmen e tij, që shumë shpejt mund të shkojë drejt një zvogëlimi edhe më të madh, nëse nuk rigjen rrugët për një ringritje të elementit shqiptar.

Padyshim, mund të ketë hendeqe e mosmarrëveshje mes dy formateve politike, por ideja se së bashku mund të mbijetojnë në betejën e tyre të ardhshme politike është një premisë për zgjidhje. Të dyja së bashku, “Besa” dhe “Aleanca për Shqiptarët”, kanë nevojë për një start të ri të marrëdhënieve me votuesit shqiptarë, për t’u kthyer atyre besimin se nuk do të jenë pjesë e një plani që kërkon asimilimin e tyre, e që nuk do të vazhdojnë të konsiderohen si një vazhdimësi banale e përditshmërisë së partive maqedonase që marrin pushtetin.

A ka shanse për zgjidhje? “Besa” dhe “Aleanca për Shqiptarët” janë tashmë padyshim nën presionin se kanë qenë euforike në atë që kanë kërkuar të arrijnë. Konfirmimi i BDI-së si një forcë e mazhorancës së shqiptarëve, edhe pas bashkëpunimit me të dy forcat kryesore maqedonase, është element joshës për ata që janë në kufijtë e mbijetesës sociale. E që të tillë nuk janë pak, po të kemi parasysh se politikat e punësimit nuk kanë qenë në favor të shqiptarëve.

Ndërkaq, Zaevi ka treguar se, në emër të “politikës së qytetarisë”, siç e quan ai përfshirjen e shqiptarëve në forcën e tij politike, mund të joshë elemente që përgjithësisht i largohen traditës dhe elementit të shqiptarizmës. Mbështetja e elementëve që nuk kërkojnë të drejtat e shqiptarëve, por flasin si internacionalistë, si “qytetarë të botës”, është një shaka e hidhur që tashmë ka mbërritur në dyert e partive shqiptare. Sepse është pikërisht elementi identitar që i ka mbajtur fort shqiptarët përballë një politike që ka ushqyer urrejtjen, e cila pasqyrohej me tabela që jo pak herë janë shfaqur me moton “Shqiptar i mirë është shqiptar i vdekur”!

Përballë kësaj panorame që mund të rikthejë shqiptarët në kërkesa minimaliste, si ato të para vitit 2001, është me rëndësi që forcat politike si “Besa” e “Aleanca për Shqiptarët”, pa përjashtuar as forca të tjera, të rikërkojnë një kontratë të re politike në komunikimet me shqiptarët. Politikisht ata mund të jenë faktor që Zaevi të rrëzohet nga pushteti, duke parë numrin e votave në Kuvend. Ndërkohë që çdo marrëveshje me mazhorancat maqedonase duhet të jetë me kusht zgjidhjen e çështjeve pezull të shqiptarëve, si dhe heqja dorë nga politikat asimiluese dhe që frymëzojnë urrejtje.

Pasi kanë kapërcyer përvojën e zgjedhjeve parlamentare dhe përvojën e zgjedhjeve lokale,  përfaqësuesit e “Besës” kanë nevojë për një lexim të ri të realitetit dhe për një marrëveshje të re me ata që e kanë votuar. Ndërkaq, edhe “Aleanca për Shqiptarët”, si pjesë e përvojës së dy zgjedhjeve të fundit me siglën e re, ka nevojë të rishikojë faktorët që paralajmëruan thellimin e  humbjes në të ardhmen.

Në këtë përballje, “Besa” dhe “Aleanca për Shqiptarët” nuk kanë pse ta shpallin pushtetin si qëllimin e tyre, por ruajtjen e identitetit të shqiptarëve, si elementi i vetëm kyç që mund t’i japi jetë një bashkëjetese në respekt reciprok, në një vend me etni shtetformuese. Në të kundërt, të kthyer si shtojcë të mazhorancës, e vetmja gjë që mund të ridalë në horizont mund të jenë përballjet e reja, jo përmes politikës por përmes konfliktit.