` . Zgjedhje pa zgjidhje - TV SHENJA

Zgjedhje pa zgjidhje

Ortakja-hyzmeqare BDI e Ali Ahmetit nuk e ka më atë numër deputetësh në parlament sa ta shpëtojë e vetme nga mbytja partinë e Gruevskit. Humbësja e dytë është LSDM e Zoran Zaevit, sfidantja e zhurmshme dyvjeçare kundër pushtetit të Gruevskit. Me gjithë përmirësimin e pozitave të saj në parlament, LSDM-ja përsëri nuk e arriti atë që e shpresonte – për ta fituar të drejtën të jetë e para që të ngarkohet me formimin e qeverisë.

Shkruan: Abdi BALETA, Tiranë

Vetëm kështu mund ta vlerësoj rezultatin që dhanë votimet e 11 dhjetorit 2016 në FYROM. Procesin përgatitor të këtyre zgjedhjeve nuk e kam ndjekur me interesim, as me kërshëri. Nuk prisja që zgjedhjet të përfundonin me ndonjë zgjidhje për t’u gëzuar. Kam bindjen se nga proceset zgjedhore në FYROM asnjë zgjidhje reale nuk do të vijë për pozitën dhe të drejtat kombëtare të shqiptarëve, për sa kohë që FYROM-i të jetë ndërtuar e të funksionojë si shtet kombëtar unitar i sllavomaqedonasve.

Por, nuk më shkonte në mendje se nga zgjedhjet do të gatuhej një “sallatë maqedonase” dhe “nga kumbullat që hanin sllavomaqedonasit, dhëmbët do t’u mpihen shqiptarëve”. Tani dimë se nga zgjedhjet e jashtëzakonshme, që u reklamuan si shpëtim i demokracisë në Maqedoni, realisht nuk ka ardhur kurrfarë zgjidhje që t’i përligjë ato politikisht. Ato nuk rezultuan “historike” sikurse dëgjonim, por zgjedhje rutinore që e futën luftën politike në një kaos të ri dhe i ngritën tensionet. Pati vetëm humbës dhe asnjë fitimtar real. Humbësi i parë i madh është VMRO-DPMNE-ja, që nuk i ka më votat parlamentare për të formuar e vetme qeverinë, si në legjislaturat e para. Kësaj radhe partisë përfaqësuese më të hapur të shovinizmit maqedonas, për të marrë përsëri qeverisjen, i duhet t’u lëpihet atyre që i ka zhagmitur pa pushim, partive shqiptare. Por, ortakja-hyzmeqare BDI e Ali Ahmetit nuk e ka më atë numër deputetësh në parlament sa ta shpëtojë e vetme nga mbytja partinë e Gruevskit. Humbësja e dytë është LSDM e Zoran Zaevit, sfidantja e zhurmshme dyvjeçare kundër pushtetit të Gruevskit. Me gjithë përmirësimin e pozitave të saj në parlament, LSDM-ja përsëri nuk e arriti atë që e shpresonte – për ta fituar të drejtën të jetë e para që të ngarkohet me formimin e qeverisë. Edhe LSDM-ja duhet t’u lëpihet partive shqiptare, sikurse iu lëpi elektoratit shqiptar. Mirëpo, LSDM-ja e ka më të vështirë, sepse pa mbështetjen e BDI-së nuk siguron dot numrin e votave që i duhen, edhe sikur me të të bëhen tri partitë e tjera shqiptare. Kështu, BDI-ja e vetme nuk shpëton dot Gruevskin, por e fundos Zaevin. Nuk e dimë ende nëse BDI-ja mund të veprojë kështu me inat për ta zhvlerësuar kapitalin politik të partive të tjera shqiptare, për t’u hakmarrë ndaj elektoratit shqiptar që ia hoqi 8-9 deputetë. Humbësi i tretë janë partitë politike shqiptare, sidomos BDI-ja dhe PDSH-ja, që kanë histori jo të këndshme bashkëpunimi me partitë kryesore maqedonase. I humbur duhet quajtur edhe elektorati shqiptar, që u përça edhe më shumë seç ishte, që ka çuar në uljen e peshës specifike të faktorit shqiptar në parlament. Madje, në këto zgjedhje u shfaq një dukuri e re elektorale shqiptare, që unë do ta quaj negative: një pjesë e dukshme e elektoratit shqiptar (afër 70.000 votues) votoi në mënyrë të organizuar për partinë maqedonase LSDM. Pra, tashmë në FYROM ka dhe një parti të dytë, LSDM, me petk kombëtar shqiptar. Se si do të dalë ky “tëhuajësim elektoral” në radhët e shqiptarëve, këtë do ta shohim më vonë. Tani bën përshtypje që zëdhënësit e kësaj sozie shqiptare të LSDM-së paraqiten tejet entuziastë. Ata sikur po ia rrëmbejnë flamurin e integrimit nga duart BDI-së. E parë në përgjithësi, politika e shqiptarëve dëshmoi mungesë vizioni, mungesë serioziteti, mungesë përcaktimi, amatorizëm inatçor e çorganizim partiak. Shqiptarët kanë humbur një të tretën e vendeve që i kishin në parlamentin e mëparshëm. Po të gjykohet nga numri i deputetëve që i kanë në parlament, mund të mendohet se shqiptarët nuk përbëkan më as një të katërtën e popullsisë në Maqedoni, por qenkan diku tek një e gjashta.

Megjithëse përfaqësia shqiptare në parlament është tkurrur shumë, përhapen fjalë gajretdhënëse se shqiptarët kanë përfituar një gjë të madhe, ngaqë për herë të parë prej tyre varet nëse do të formohet ose jo një qeveri në FYROM. Është e qartë se teknikisht, pa pjesëmarrjen e partive shqiptare, nuk mund të formohet një qeveri e tillë. Por, kjo nuk i bën partitë shqiptare automatikisht partnerë të dëshiruar, të vlerësuar e përcaktues në qeverisjen e FYROM-it. Pjesëmarrja e shqiptarëve në krijimin e qeverisë nuk do të vijë në mënyrë normale, si vullnet i lirë i partive shqiptare ose si kompromis i ri politik e përputhje programesh politike, por do të vijë si detyrim i shqiptarëve nën shtrëngim ndërkombëtar e premtime boshe nga partitë sllavomaqedonase. Unë nuk besoj se politikanët shqiptarë janë të vendosur ta luajnë këtë kartë, që u ra në dorë me mendjen e tyre dhe për ndonjë ndryshim thelbësor të pozitës së shqiptarëve në shtetin, që realisht nuk është i tyri. Ata do të zbatojnë si përherë “porositë” (urdhrat) e faktorëve ndërkombëtarë dhe nuk do të kursejnë demagogjinë se këtë e bëjnë në frymën e demokracisë e të integrimeve europiane. Pra, shqiptarët do të përdoren edhe një herë për t’ia shpëtuar faqen e forcuar FYROM-it, siç ndodhi në kohën e pranimit të pavarësisë së këtij shteti para 25 vitesh nga faktorët ndërkombëtarë, siç ndodhi më 2001 kur shqiptarëve u thanë “merrni armët se duhej përmbysur regjimi i Georgievskit!”, siç u kanë thënë “futuni në qeveritë maqedonase që FYROM-i të duket shtet demokratik!” etj. Pra, shqiptarët tani janë të thirrur ta bëjnë edhe një herë FYROM-in shtet me qeveri, por nuk do të qeverisin edhe sikur partitë shqiptare ta mbështesin LSDM-në.

Humbës janë edhe ata faktorët ndërkombëtarë euro-atlantikë, që shpresonin dhe punuan shumë me qëllim që sfidanti Zoran Zaev ta hidhte në tapet Gruevksin qysh në ditën e zgjedhjeve. Nuk doli kështu. U provua se rryma më kryeneçe e nacionalizmit sllavomaqedonas nuk i lëshon kaq lehtë pozitat e veta.

Pakësimi i peshës specifike të shqiptarëve nuk ka për t’u kompensuar nga roli ekuilibrues në qeverisje, me të cilin po i joshin shqiptarët nga zori, në rast se ndërkombëtarët nuk duan që të bëhen menjëherë zgjedhje të reja. Por, nuk përjashtohet që brenda një kohe të shkurtër sllavomaqedonasit të bezdisen nga roli i ri qeverisës i shqiptarëve dhe të bëjnë marifete për t’ua hequr këtë mundësi. Kështu partitë politike shqiptare, që do të detyrohen të hyjnë në qeveri, nuk duhet ta shohin veten në rolin e fitimtarit e të partnerit të vërtetë e të dëshiruar.

Nga çdo pikëpamje që ta analizosh, gjendja e krijuar në FYROM nga zgjedhjet është mjaft paradoksale.  BDI-ja e PDSH-ja me siguri do të ndruhen kësaj radhe të bashkohen me VMRO-DPMNE-në, sepse kjo nuk do të shihet me sy të mirë nga elektorati shqiptar dhe nga mjediset politike ndërkombëtare, që duan ndryshim kuajsh në karrocën e pushtetit në Shkup. Përkrahja nga BDI-ja e PDSH-ja nuk i mjafton LSDM-së të formojë qeverinë. Duhet që edhe një tjetër parti shqiptare të mbështesë LSDM-në. Unë do të uroja që Lëvizja “Besa” të mos e bëjë këtë, sepse do ta ulte vlerën politike të rezultatit të dukshëm që e arriti qysh në pjesëmarrjen e saj të parë në zgjedhje dhe mund t’i kthehet më vonë në pengesë. Shprehem kështu, sepse vë re që nga Shqipëria ka shumë yshtje e trysni mbi partitë shqiptare në Maqedoni, duke përfshirë edhe Lëvizjen Besa”, që t’i bëhen krahë LSDM-së. Kjo do të thotë që forcat politike shqiptare në FYROM të mos dalin nga skemat e deritanishme politike.

Postime të Ngjajshme