` . Zeman në Beograd: Do të shtroj çështjen për tërheqjen e njohjes së Kosovës - TV-SHENJA

Zeman në Beograd: Do të shtroj çështjen për tërheqjen e njohjes së Kosovës

Presidenti i Çekisë, Milosh Zeman sot në Beograd deklaroi se do të ngritë çështjen e tërheqjes së njohjes së Kosovës brenda një muaji në Pragë, duke thënë se “një vend i udhëhequr nga kriminelët e luftës nuk duhet të jetë në bashkësinë e vendeve demokratike”, raporton AA.

Ai tha se Gjykata e Hagës kishte shprehur më parë dyshime për krimet e luftës të zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës.

“Unë mendoj se pikërisht për këtë Haradinaj dha dorëheqje. Më lejoni të shprehem personalisht, por me këtë edhe bindjen, se një vend i udhëhequr nga kriminelët e luftës nuk duhet të jetë në bashkësinë e vendeve demokratike”, tha Zeman në konferencën e përbashkët për media me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Ai gjithashtu deklaroi se çdo politikan duhet kryesisht të mbrojë interesat e vendit të tij dhe të mos jetë një kukull e autoriteteve të huaja.

Zeman paralajmëroi se brenda një muaji në seancën e Qeverisë në Pragë do të ngritë çështjen e tërheqjes së njohjes të Kosovës.

Sipas tij, ai nuk është diktator dhe nuk mund të imponojë qëndrimin e tij, por mund që gjatë këshillimeve qeveritare të ngritë çështje.

Duke folur për Serbinë, Zeman tha se nëse vazhdon në këtë drejtim, ajo do t’i bashkohet Bashkimit Evropian dhe nuk do të ishte vendi i pari që nuk është në NATO, sepse Austria tashmë ka të njëjtin model.

Ai gjithashtu vlerësoi se Serbia dhe Republika Çeke janë vende të mesme që ndajnë fatin e përbashkët.

Vuçiç deklaroi se “me mikun e sinqertë të Serbisë dhe popullit serb” me presidentin çek biseduan për marrëdhëniet gjithëpërfshirëse dypalëshe të të dyja vendeve si dhe problemet specifike dhe se ndjehen krenarë se tregtia mes tyre ishte trefishuar.

“Ne folëm për politikën, vështirësitë me të cilat përballet sot Serbia, si në rrugën evropiane ashtu edhe në marrëdhëniet me Prishtinën. Unë besoj se mund të mësoj shumë nga ai, dhe besoj se do të jemi në gjendje të ruajmë interesat kombëtare dhe shtetërore, megjithë vështirësitë e shumta dhe që në të njëjtën kohë ne do të jemi në gjendje të sigurojmë jetesë për qytetarët tanë”, tha ai.

Vuçiç theksoi se Serbia i është shumë mirënjohëse Zeman-it për pikëpamjet e tij ndaj Kosovës.

I pyetur në lidhje me zgjedhjen e Komisionerit të ri për Zgjerim të BE-së, Laszlo Trocani, Vuçiç tha se mirëpret zgjedhjet e tij dhe beson se kjo do të thotë shumë për përparimin e mëtutjeshëm të Serbisë në rrugën evropiane dhe se vendi do të ketë mbështetje shumë më të madhe sesa që kishte më parë.

Ndërsa rreth deklaratës së ish-kryeministrit kroat Zoran Milovanoviç se Vuçiç nuk do të shëtiste lirshëm në vendin e tij nëse bëhet president i Kroacisë, presidenti i Serbisë tha se ai gjithmonë ka dëshiruar bashkëpunim më të mirë me Kroacinë në të ardhmen.

“Unë rrallë shëtis kudo, veçanërisht nuk jam që lëvizi e as atlet, nuk shkoj në det në Kroaci, as kam shkuar apo nuk planifikoj të shkoj. Nuk kam nevojë për diçka të tillë. Unë gjithmonë kam dashur bashkëpunim më të mirë dhe do të dëshiroj që edhe ata në të ardhmen të shëtisin lirshëm në Serbi”, tha ai.

Më parë, ministrat e Mbrojtjes të të dyja vendeve nënshkruan një marrëveshje midis qeverive të Serbisë dhe Çekisë për bashkëpunim në mbrojtje si dhe memorandum bashkëpunimi për inovacione, inteligjencën artificiale dhe robotikën.