` . Zdravev: Ta kthejmë besimin te gjyqësori (Video) - TV-SHENJA

Zdravev: Ta kthejmë besimin te gjyqësori (Video)

Gjykatësi suprem, Kiro Zdravev është kryetari i ri i Këshillit Gjyqësor. Anëtarët e Këshillit Gjyqësor njëzëri me 12 vota “për” e kanë zgjedhur Zdravevin për pasardhës të kryetarit të deritanishëm, Zoran Karaxhovski të cilit tashmë i ka skaduar mandati. Propozimi për Zdravevin erdhi nga anëtari i Këshillit Gjyqësor Sashko Georgiev. Zëvendës i kryetari të Këshillit u zgjodh anëtari i deritanishëm shqiptar Selim Ademi.

Kiro Zdravev, kryetar i Këshillit Gjyqësor

“Pres që në periudhën në vazhdim ta kthejmë besimin tek profesioni. Sigurisht në mesin e gjykatësve ndaj Këshillit Gjyqësor, por edhe të qytetarëve ndaj Këshillit. E dimë se ky besim i qytetarëve është lëkundur shumë seriozisht, por edhe më tej zotohem për punë të paanshme dhe objektive në gjykata”

Zdravev u zotua për të hetuar deri në fund edhe përgjegjësinë eventuale të gjykatësve të cilët lejuan arratisjen e Sead Koçanit, Goran Grujovskit e Nikolla Boshkovskit.

Kiro Zdravev, kryetar i Këshillit Gjyqësor

“Çdo procedurë që është ngritur në Këshillin Gjyqësor për përgjegjësi të gjykatësve, ne do ta përfundojmë. Ky do të jetë prioriteti jonë. Kjo punë do të përfundohet në vjeshtë pasi tani vijojnë pushimet e verës. Derisa të fillojnë pushimet e verës do të tentojmë të bëjmë emërimin e gjashtë gjykatësve në Gjykatën e Apelit, dy gjykatësve në Gjykatën Administrative dhe kryetarëve të dhjetë gjykatave”

Kryetari i ri i gjykatës ishte i vetëdijshëm edhe për raportin e Prokurorisë Speciale në të cilin përmenden emra konkret që lidhen me politikën dhe vendimet e dirigjuara,  por ai nuk dha përgjigje konkrete se si do të veprojë ndaj atyre emrave të gjykatësve. Ai citoi një mendim të filozofit Sokrat, sipas të cilit, shumë më rëndë është që të shkaktohet padrejtësi se sa të durohet padrejtësi, pasi që ai që e shkakton padrejtësinë e bën me mëkat shpirtin e tij, ndërsa shpirti është personifikim i ndërgjegjes. Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/