` . Zagrebi riparon dëmet e tërmetit në rrugët e boshatisura - TV-SHENJA

Zagrebi riparon dëmet e tërmetit në rrugët e boshatisura

Në pjesët e Zagrebit të prekura nga tërmeti i së dielës në vijim e sipër është mënjanimi i pjesëve të rrezikshme të ndërtesave, të cilat në rast të ndonjë ere apo tërmeti tjetër mund të rrezikojnë qytetarët, kurse në fuqi ende janë masat për parandalimin e përhapjes së infeksionit të koronavirusit, raporton AA. 

Tërmeti që tronditi Zagrebin dhe zonën përreth në orën 06:24 të mëngjesit të së dielës, epiqendra e të cilit ishte nën pjesën periferike Markuçevec, kryesisht goditi qendrën e Zagrebit, ndërtesat rreth Sheshit Ban Josip Jelaçiç, sepse pothuajse të gjitha këto ndërtesa u ndërtuan para vitit 1965, kur standardet për tërmetet u ngritën në nivele më të lartë.

Kryesisht, këto janë ndërtesa që datojnë nga fillimi i shekullit të 20-të ose ndërtimet e hershme ku janë përdorur tullat. Epilogu i tërmetit ishte një i vdekur dhe dhjetëra të tjerë të plagosur, ndërsa Zagrebi ende vlerëson masën e dëmeve materiale të shkaktuara nga tërmeti që nuk është regjistruar në këtë zonë në 140 vitet e kaluara.

Qytetarët kërcënohen nga shembja e oxhaqeve dhe çatitë, si dhe pjesët e fasadave që varen mbi rrugët e qytetit, që në rrethana të zakonshme është mjaft e frekuentuar nga këmbësorët dhe makinat.

Epidemia e koronavirusit dhe masat e vendosura kanë zvogëluar numrin e qytetarëve në rrugë, ashtu që më së shumti mund të vërehet policia, zjarrfikësit, mbrojtja civile, dhe punëtorët e kompanive private të ndërtimit, të cilët me ndihmën e vinçave dhe pajisjeve të tjera, riparojnë dëmet në pjesët e rrezikshme të qytetit

Kreu i Shtabit të Mbrojtjes Civile, Davor Bozhinoviç, sot hoqi masat e ndalimit për dyqanet me pajisje ndërtimore në Qytetin e Zagrebit dhe një pjesë të Qarkut të Zagrebit, në mënyrë që të mund të riparojnë ndërtesat e rrënuara pjesërisht.

Në Kroaci, sipas të dhënave të fundit, 551 persona janë infektuar me koronavirus, me 3 të vdekur deri më tani, kurse numri i personave të infektuar është ende në rritje.