` . Zaev: Rekomandimi, konfirmim se jemi në rrugën e duhur (VIDEO) – TV-SHENJA

Zaev: Rekomandimi, konfirmim se jemi në rrugën e duhur (VIDEO)

Kryeministri i vendit, Zoran Zaev, ka përshëndetur raportin e progresit të publikuar sot nga Komisioni Evropian, duke thënë se vendi është një hap më afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe arritjes së standardeve ekonomike të BE-së, për të gjithë qytetarët e vendit.   Ai shtoi se në dy raportet e kaluara të Komisionit Evropian, për shkak të krizës së thellë politike dhe për shkak të kapjes së shtetit, rekomandimi për fillimin e negociatave u suspendua dhe u kushtëzua me sigurimin e lirisë, demokracisë dhe reformave.  Sipas tij, rekomandimi është konfirmim se vendi është në rrugën e duhur.

Zoran Zaev, Kryeminstri i Maqedonisë
“Këtë vit rekomandimi është i pastër dhe i pakushtëzuar. Kjo do të thotë që Republika e Maqedonisë e plotëson kriterin politik themelor për anëtarësim në Bashkimin Evropian, që duhet të mundësojë fillimin e negociatave për qasje drejt BE-së. Kjo gjithashtu do të thotë se kriza politike është pas nesh, se Bashkimi Evropian ndjek me kujdes proceset reformuese dhe politike në vendin tonë dhe se kemi hyrë në procese të rregullta politike, si çdo shtet funksional demokratik”.

Zaev tha se merita më e madhe për këtë u takon qytetarëve. Ndërkohë, ai përshëndeti edhe kthimin e opozitës në Kuvend, gjë që sipas tij, dëshmoi për klimë të re politike në vend. Ai po ashtu theksoi se kontribut për këtë sukses kanë edhe opozita maqedonase dhe shqiptare.

Zoran Zaev, Kryeminstri i Maqedonisë   
“Maqedonia do të merrte rekomandim për fillim të negociatave madje, edhe nëse opozita nuk do të kthehej në Kuvend. Por, e bënë hapin e duhur. Me kthimin treguan se me të vërtetë ka klimë të re politike në Maqedoni dhe se nuk janë harruar interesat shtetërore. Për këtë, ky është sukses edhe i opozitës e udhëhequr nga VMRO DPMNE. Gjithsesi, kontribut kanë edhe Besa, Aleanca për shqiptarët dhe Partia Demokratike Shqiptare”.

Ai më tej ka theksuar se në frymën e këtij raporti, vazhdon përkushtimi dhe  bisedimet me Greqinë, dhe janë bashëkrisht  të fokusuar në zgjidhjen e kontestit shumëvjeçar për emrin, pasi duan që ta zgjidhin atë sa më shpejtë.

Teuta Buçi /SHENJA/