` . Zaev: Pranoj të jem dëshmitar në rastin “Monstra” – TV-SHENJA

Zaev: Pranoj të jem dëshmitar në rastin “Monstra”

Do tëparaqitem si dëshmitar në rastin “Monstra” nëse gjykata e kërkon këtë nga unë, tha kryeministri Zoran Zaev. Në lidhje me deklaratat e familjeve të fëmijëve të vrarë dhe akuzave kundër tij se po i fsheh bombat e “Monstrës”, Zaev tha se të gjitha materialet u janë dorëzuar organeve kompetente nga ana e LSDM-së.

Në lidhje me dëshmitë për bisedën mes Fejzi Azirit, njëri nga të akuzuarit për këtë rast, dhe ish kryetarit të Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, Zaev deklaroi se në bombat ka pas bisedë mes tyre ku Aziri ka kërkuar subvencione bujqësore. Siç tha Zaev, këtë ua ka thënë edhe prindërve të fëmijëve të vrarë. Ai shtoi se nuk ka për qëllim të bëhet hetues dhe se ia len gjyqësorit ta bëj punën e vet.

VMRO-DPMNE-ja opozitare edhe sot e akuzoi Zaevin se po fsheh informacione për rastin “Monstra”.

“Para zgjedhjeve i gënjeje prindët e të vrarëve si dhe gjithë opinionin se do ta publikojë të vërtetën për Liqenin e Smillkovës. Tani kur u ul në karrigen e kryeministrit, Zaev i harroi premtimet e tij. Tani ai po e fsheh të vërtetën. Zoran Zaev patjetër të ndalojë me fshehjen e dëshmive dhe të largohet nga rruga e drejtësisë. E vetmja gjë që është ndryshuar në rastin “Monstra” që kur Zaev është kryeministër, është ajo se të akuzuarit u liruan ashtu siç parashikonte platforma e Tiranës”. thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.