` . Zaev në ditën e ARM-së: Po hymë në NATO (VIDEO) – TV-SHENJA

Zaev në ditën e ARM-së: Po hymë në NATO (VIDEO)

Ministrja e mbrojtjes Radmilla Shekerinska e sheh Armatën si një diplomat të heshtur të Maqedonisë në botë e cila për 26 vite me radhë, e siguron stabilitetin e shtetit. Gjatë shënimit të ditës së Armatës, Shekerinska kujtoi se ARM është një prej institucioneve në të cilat qytetarët kanë më së shumti besim, pasi çdoherë kur ata gjenden në situata kaotike, detyra e tyre është që tu dalin në ndihmë. Shekerinska u zotua edhe për përmirësimin e kushteve për punë të ushtarëve.

Radmilla Shekerinska, ministre e Mbrojtjes: “ARM-ja ishte një diplomat i heshtur i cili në prapavi siguroi ftesën tonë për antarësim në NATO. Prandaj edhe sot po i japim respektin tonë dhe mirënjohjen secilit ushtar. Armata ekziston për qytetarët. Armata ishte lënë pas dore për një kohë të gjatë, dhe duhet të rikthehet me hapa konkrete. Këtë vit Qeveria ka siguruar 15 përqind rritje të buxhetit për mbrojtje. Kemi siguruar edhe rritje të rrogave për ushtarët për 10 përqind. Por e kemi përmbushur edhe premtimin për pagesën shtesë për të gjithë ata që do të shënojnë 15 vjetorin e shërbimit të tyre në Armatë, gjë që nuk është bërë për vite me radhë.”

Ministrja e mbrojtja u tha ushtarëve se së shpejti do të kenë edhe pajisje dhe uniforma të reja dhe do tu paguhet çdo kohë e kaluar jashtë orarit dhe për festa.

Përveç Shekerinskës, aktivitetin e Armatës e lavdëroi edhe kryeministri i cili tha se ushtria është pasqyra e shtetit. Nëpërmjet një prononcimi me video, Zaev e inkurajoi ushtrinë që të vazhdojë të qëndrojë krenare se po bëhet pjesë e grupit të parë të ushtarëve që do të ushtrojë detyrën në NATO.

Zoran Zaev, kryeministër: “Po hymë  në  NATO si vend i 30-të anëtar i Aleancës. NATO është siguri dhe mbrojtje për një shtet dhe qytetarët e saj, por NATO është edhe standard më i lartë jetësor dhe investime, vende të reja të punës, paga më të mëdha, dhe shëndetësi më moderne dhe arsim më cilësor. Ju, të cilët me vite qëndroni krah për krah me kolegët e juaj nga NATO, më së miri e dini se sa është e rëndësishme të jemi nën kulmin e NATO-s, që falë jush u hap edhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë. Shpreh respekt dhe njohje për gjithë mundin tuaj, durimin, netët pa gjumë, dhe para së gjithash shpresën dhe besimin – se një ditë Republika e Maqedonisë do të bëhet. Se do të respektohet sipas standardeve botërore puna juaj profesionale, dhe do të jetë mirë për të gjithë qytetarët.”

26 vjetori i  Armatës u shënua me një sërë aktivitetesh për disa ditë me radhë. Sot u zhvillua një ekspozitë me pajisjet ushtarake dhe me demonstrime të aksioneve të ndryshme në të cilën erdhën një numër i madh qytetarësh. Ditë më parë, u ngritën në detyrë disa ushtarë, por numri i shqiptarëve të avancuar ishte simbolik, dhe kjo nxiti reagime të shumta tek publiku shqiptar. Por të pakënaqur nga kushtet në ushtri ishin edhe pjesëtarët e sindikatit të ushtarëve profesionist të cilët denoncuan një sërë problemesh që i hasin në punë.

Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/