` . Zaev: Me Ligjin për Gjuhët, të përmbyllim temat ndëretnike (Video) – TV-SHENJA

Zaev: Me Ligjin për Gjuhët, të përmbyllim temat ndëretnike (Video)

Nëse Ligji për Gjuhët hyn në fuqi do të shohin se nuk ka dhimbje në të, por do të hiqet ngarkesa në planin ndëretnik që ekziston në shtet që nga pavarësia e saj. Kështu ka deklaruar Kryeministri Zoran Zaev, i cili edhe njëherë i bëri apel presidentit Gjorge Ivanov që ta nënshkruaj Ligjin për Gjuhët, duke rikujtuar se ky ligj tre herë është votuar në Kuvend.

Zoran Zaev, kryeministër

“Apeloj edhe njëherë që presidenti Ivanov ta nënshkruaj Ligjin për gjuhët. Ligji tre herë është votuar në Kuvend, dhe me këtë po degradohet dhe shkatërrohet funksioni i Kuvendit, ndërsa ne jemi demokraci parlamentare. Nëse ky Ligj hyn në fuqi të gjithë do të shohin se nuk ka asnjë dhimbje në të, por do të heq ngarkesën e një barre që ekziston në shtet nga pavarësia e saj në planin ndëretnik. Kështu të relaksuar do të mund të gjithë të përkushtohemi punëve kreative, punëve që janë të rëndësishme njëlloj për të gjithë qytetarët”

Zaev nënvizoi se paralelisht po punohet me ekspertët juridik për gjetjen e një zgjidhjeje juridiko-formale, megjithatë shtoi ai, duhet fillimisht të pritet që presidenti Ivanov ta nënshkruaj dekretin.

Zoran Zaev, kryeministër
“Paralelisht punojnë dhe punojnë ekspertët juridik brenda partisë nga institucionet por edhe jashtë tyre, nëse gjejnë ndonjë zgjidhje juridiko-formale menjëherë do ta ndajmë me opinionin, por rendi është që të presim që kryetari i shtetit ta nënshkruaj dekretin” 

Më 14 mars të këtij viti, me 64 vota PËR dhe pa prezencën e deputetëve të VMRO-DPMNE-së është kaluar ligji për së treti herë në filtrin e Kuvendit. Kuvendi i Maqedonisë e kishte miratuar këtë ligj qysh në muajin janar, por ishte presidenti Gjorgje Ivanov ai i cili nuk e kishte dekretuar atë. Me votimin e ligjit, u anashkaluan 35.000 amandamentet e VMRO-DPMNE-së, që do të bllokonin punën e Kuvendit në Maqedoni deri në fillim të shtatorit. Ajnur Bafqari /SHENJA/