` . Zaev: Kushdo që ka shkelur ligjin duhet të mbajë përgjegjësi - TV-SHENJA

Zaev: Kushdo që ka shkelur ligjin duhet të mbajë përgjegjësi

“Kushdo që ka shkelur ligjin duhet të mbajë përgjegjësi. Jemi krenarë që si ekzekutiv kemi siguruar kushtet për një gjyqësor të pavarur të funksionojë dhe të rivendoset sundimi i ligjit. Të tregojmë se Maqedonia e Veriut po ndryshon dhe askush nuk ushtron ndonjë ndikim ose presion mbi prokurorët ose gjykatat, ata marrin vendime të pavarura”, ka thënë sonte kryeministri Zoran Zaev pas përfundimit të seancës së Këshillit Qendror të LSDM-së.

“Ne besojmë në prezumimin e pafajësisë dhe besojmë në drejtësinë e pavarësisë me fuqinë e argumenteve për të provuar procedura të mundshme penale për këdo që mund të ketë shkelur ligjin. Unë mendoj se këto janë hapat e duhur. Raste të tilla janë problem dhe vështirësi për të gjithë në shoqëri, një sfidë në të njëjtën kohë, ato ekzistojnë në shumë vende dhe në vendin tonë. Pyetja qëndron aty se si ekzekutivi, por mbi të gjitha gjyqësori ballafaqohet me këtë. Unë besoj se Maqedonia e Veriut dhe qytetarët do të dalin fitues dhe të gjithë ata që kanë shkelur ligjin duhet të përgjigjen”, tha Zaev.

Ai i bëri thirrje se për këdo qoftë, mundësia e përfshirjes në krim dhe korrupsion, të hetohet plotësisht.

Zaev, në lidhje me vendimin për pasardhësin e Katica Janeva, bëri thirrje për veprime të menjëhershme në përputhje me ligjet për ushtruesin e detyrës prokuror special publik dhe i bëri apel edhe VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së që të afrojnë pikëpamjet e tyre mbi ligjin për Prokurorinë Publike.

“Kjo është një arsye tjetër veçanërisht për politikanët që ta miratojnë Ligjin për Prokurorinë Publik sa më shpejt. Unë i inkurajoj të gjithë si në VMRO-DPMNE ashtu edhe në LSDM që të vazhdojnë të punojnë shpejt, pasi ditët janë të numëruara dhe ligji tashmë është dorëzuar në Parlament të martën, dhe mandati i PSP-së skadon në 15 shtator. Ne kemi aftësinë si shtet ta kalojmë këtë ligj, një arsye më shumë është se tani PSP-ja është pa drejtues, dhe kjo është arsyeja që më shumë institucione të sistemit të vazhdojnë të punojnë”, tha Zaev.

I pyetur nga gazetarët se një gazetar italian kishte njoftuar “bomba” të reja dhe se Zaev dyshohej se ishte përfshirë personalisht në furnizime në shëndetësi, kryeministri u përgjigj se nëse ka prova të përfshirjes së paligjshme, ato duhet të publikohen menjëherë.