` . Zaev dhe Vuçiq promovojnë një degë të Korridorit 10 (Video) - TV-SHENJA

Zaev dhe Vuçiq promovojnë një degë të Korridorit 10 (Video)

Hapja solemne e degës jugore të Korridorit 10 në pjesën nëpër Grykën e Gërdelicës në Serbi është arsyeja për të cilën do të takohen Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq. Siç kanë njoftuar nga kabineti i kryeministrit, Zaev sonte në ora 20:00 do të mbajë fjalim në ceremoninë solemne me rastin e hapjes për komunikacion të autostradës në Korridorin 10 te Gryka e Gërdelicës, në Vlladiçin Han, ndërsa do të shoqërohet nga ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugarevski.

Korridorin 10 për komunikacion do ta hapë presidenti serb Vuçiq, ndërsa në ceremoninë solemne, siç kumtuan nga Kabineti i tij, do të marrin pjesë edhe kryeministrja Ana Bërnabiq dhe ministrja e Ndërtimtarisë, Komunikacionit dhe Infrastrukturës, Zorana Mihajlloviq.

Presidenti serb, Vuçiq duke folur për autostradën ka nënvizuar se nga Beogradi deri në Maqedoninë e Veriut do të arrihet për tre orë. Ai përkujtoi se hapjes së pjesës së autostradës përmes Grykës së Gërdelicës prej 26,3 kilometrave, i ka paraprirë hapja e pjesës nga Grabovnica prej 5,6 kilometra pastaj Vlladiçin Han – Vranje prej 28 kilometrave dhe Levosoje -Sërpska Kuqa prej 10 kilometrave.

Sipas ministres së Ndërtimtarisë, Komunikacionit dhe Infrastrukturës, Zorana Mihajlloviq, punët në Grykën e Gërdelicës kushtojnë pothuaj 400 milionë euro dhe kjo ishte vend ndërtimi më i vështirë në Evropë.
Me hapjen e pjesës në grykën e Gërdelicës, Serbia përmes Korridorit 10 tërësisht do të lidhet me 600 kilometra autostradë nga kufiri me Maqedoninë e Veriut deri në kufirin me Hungarinë.

Në pjesën përmes Grykës së Gërdelicës të gjatë 26,3 kilometra, shoferët nga Maqedonia e Veriut dhe Serbia do të kenë mundësi të kalojnë nëpër dy tunele të reja dhe 33 ura. Tunelet Predejane dhe Manajle janë me gjatë të përgjithshme prej 2,8 kilometrave, ndërsa 33 urat janë me gjatësi të përgjithshme prej 5,7 kilometrave.

Korridori 10 është një nga korridoret më të rëndësishme transportuese panevropiane, që kalon përmes Serbisë dhe i lidh Austrinë, Hungarinë, Slloveninë, Kroacinë, Serbinë, Bullgarinë, Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë. Ajnur Bafqari /SHENJA/