` . Ylli i ragbit nuk fsheh lotët për sulmin në xhamitë e Zelandës së Re - TV-SHENJA

Ylli i ragbit nuk fsheh lotët për sulmin në xhamitë e Zelandës së Re

Ylli i ragbit Sonny Bill Williams, i tronditur thellë dërgoi sot lutjet e tij viktimave të sulmit të dyfishtë të armatosur në xhamitë në Christchurch të Zelandës së Re, duke mos fshehur lotët në një video, raporton Anadolu Agency (AA).

“Sapo dëgjova lajmet. Nuk mund të gjej fjalë që të përshkruaj ndjenjat e mia, ua dërgoj lutjet e mia familjeve të tyre … InshAllah (Dhashtë Zoti) të gjithë ata që u vranë sot … InshAllah, të gjithë ju jeni në parajsë”, tha Williams, i cili gjithashtu është musliman.

“Unë jam thellësisht, thellësisht i pikëlluar për këtë që ndodhi në Zelandën e Re”, tha ai.

Për të paktën 49 persona u konfirmua se janë vrarë në dy sulmet terroriste mbi në xhamitë në Christchurch ë Zelandës së Re.

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern para gazetarëve tha se vendi i saj të shtënat i trajton si “incident terrorist”.

“Nuk ka vend në Zelandën e Re për akte të tilla të dhunës ekstreme dhe të pashembullt, siç ishte ky akt”, tha Ardern. “Është e qartë se kjo është një nga ditët më të errëta të Zelandës së Re”.

Kryeministri i Australisë, Scott Morrison u tha gazetarëve se një i dyshuar për vrasjet në sulmin e dyfishtë vdekjeprurës është shtetas australian.

Komisari i Policisë së Zelandës së Re, Mike Bush, tha se tre burra dhe një grua u arrestuan pas të shtënave.