` . “Xhemijeti” zë i artikuluar në mbrojtjen e shqiptarëve - TV-SHENJA

“Xhemijeti” zë i artikuluar në mbrojtjen e shqiptarëve

Organizata “Xhemijeti” me seli në Shkup, me veprimtarinë e saj, u tregua mbrojtëse e denjë, për aq sa e lejonin mundësitë e kohës, e interesave shqiptare në Jugosllavinë e periudhës ndërmjet dy luftërave botërore. Sado që “Xhemijeti” për nga emri dukej me karakter fetar, në thelb veprimtaria e udhëheqësve të kësaj organizate u vu në mbrojtjen e interesave kombëtare. 

Shkruan: Nuridin AHMETI, Prishtinë

Njëra nga organizatat politike e themeluar në vitin1919 me qendër në Shkup, nën udhëheqjen e vëllezërve Draga, Nexhip e më pastaj Ferhat Draga, ishte edhe organizata “Xhemijeti”, e cila e kishte emrin e plotë “Islam Muhafaza-yl Hukuk Cemijet”. Përkthimi i saj në gjuhën shqipe i bie “Shoqatë Islamike për Mbrojtje dhe Drejtësi”.

Pas vitit 1945 në ish-Jugosllavi, e rrjedhimisht edhe në Kosovë, periudha e Mbretërisë Serbo –Kroato-Sllovene dhe e institucioneve të themeluara në atë kohë u përshkrua përgjithësisht me tone negative, shumë herë pa bërë asnjë dallim ndërmjet një institucioni të themeluar në atë periudhë dhe pushtetit të kohës.

Së këndejmi, edhe “Xhemijeti”, si një organizatë e themeluar në këtë periudhë, u trajtua me shumë nga prizmi religjioz, duke u bazuar në emrin e saj, të imponuar nga rrethanat politike të kohës, dhe u anashkalua kontributi i kësaj organizate në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve, kundruall pushtetit të atëhershëm.

Disa mendime rreth “Xhemijetit”

Tek ne, nga disa studiues tanë, kësaj organizate herë-herë iu dhanë edhe epitete si: “antikombëtare” etj. Kështu, ndodhi në vitin 1985 në Prishtinë kur u mbrojt tema e doktoratës në Universitetin e Prishtinës me titull: “Formimi dhe veprimtaria e partive politike borgjeze në Kosovë më vështrim të veçantë për “Xhemjetin”. Kjo doktoratë, për aq sa ne jemi në dijeni, nuk e pa dritën e botimit deri me sot, por të tilla mendime te ne mund të hasen edhe sot e kësaj dite nga disa profesorë universitarë.

Por, jo të gjithë studiuesit tanë e kanë përkrahur mendimin e shfaqur në punimin e doktoratës se kjo organizatë ishte borgjeze, antikombëtare etj. Ka edhe nga studiuesit tanë, si Hakif Bajrami e Muhamet Pirraku, që kur flasin për këtë organizate dhe veprimtarinë e saj, nuk pajtohen me konstatimet që jepen në këtë punim doktorate. Ata, pra Hakif Bajrami, qysh në vitet e ‘80-ta, dhe Muhamet Pirraku në vitet e ‘90-ta, ishin të mendimit se “Xhemijeti”, organi i saj “Hak” dhe drejtuesit e saj i mbrojtën të drejtat e shqiptarëve dhe e ngritën zërin kundër padrejtësive të pushtetit të atëhershëm ndaj popullatës së shtypur shqiptare.

Se “Xhemijeti” ishte organizatë e cila luftoi për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Mbretërinë Serbo-Kroato-Sllovene, këtë e thonë troç edhe albanologët e huaj të njohur, në si: Noel Malcolm, Robert Elsie e Oliver Shmit.

Kontributet shkrimore për këtë organizatë, në përgjithësi, mbetën në nivelin e punimeve publicistike, të mendimeve në kuadër të ndonjë monografie etj. Përgjigjen më të plotë rreth disa hamendësimeve në lidhje me veprimtarinë e kësaj organizate, të interesuarit do ta marrin në vitin 2017 përmes monografisë së shkruar dhe vëllimit me dokumente të studiuesit Dr. Skender Asanit me titull: “Veprimtaria e organizatës politike Xhemijeti në trevat lindore (1919 – 1925)”, të botuar nga Shtëpia botuese “Logos-A” në Shkup. Studiuesi, dr. Skënder Asani, duke shfrytëzuar një mori burimesh arkivore të hulumtuara në arkivat rajonale dhe më gjerë, literaturën e botuar rreth kësaj organizate, shtypin e kohës etj., sjell konstatime bindëse se kjo organizatë, e themeluar para 100 vjetësh me mbështetjen intelektuale të Nexhip e Ferhat Dragës, Nazim Gafurrit etj., në mbështetje të organit të saj “Hak”, i cili po i përhapte idetë dhe shqetësimet e artikuluara nga drejtuesit e “Xhemjetit” me qendër në Shkup, pra aty ku gjendej edhe selia e organizatës, kanë luajtur rol të rëndësishëm për propagandimin e të drejtave të shqiptarëve dhe demaskimin e politikës shoviniste serbomadhe ndaj shqiptarëve.

Se “Xhemijeti” veproi në mbrojte të interesave kombëtare, ky është argumenti tjetër që ofrohet edhe nga studiuesi Dr. Skender Asani në studimin e tij në lidhje me bashkëpunimin e “Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” më seli në Shkodër dhe “Xhemijetit” më seli në Shkup. Pra, dy organizata që kishin seli në qytete të ndryshme, por që vepruan në periudhë kohore të njëjtë.

Historiografia shqiptare është unike në mendimin se “Komiteti Mbrojta Kombëtar e Kosovës” me qendër në Shkodër ishte organizata që i demaskoi fuqishëm padrejtësitë ndaj shqiptarëve jashtë kufijve politikë të Shqipërisë. Pra, ajo organizatë i mbrojti interesat kombëtare. Prandaj vetvetiu lind pyetja: po qe se drejtuesit e “Komitetit Mbrojta Kombëtare e Kosovës” nuk do të kishin bashkërendim pikëpamjesh me drejtuesit “Xhemijetit”, a do të bashkëpunonin udhëheqësit e tyre ndërmjet vete? Mendimi im është pa fije dyshimi Jo! Por, ajo që i shtyri të kenë kontakte të mira pjesëtarët e këtyre dy organizatave, ishin pikërisht pikëpamjet e tyre në mbrojte të interesave shqiptare, veçanërisht të popullit shqiptar jashtë kufijve të Shqipërisë politike. Kuptohet, secila organizatë e dha kontributin e saj, duke i shfrytëzuar rrethanat politike të vendeve ku vepruan. Sigurisht, ndikimi i drejtuesve të “Komitetit Mbrojta Kombëtar e Kosovës” te drejtuesit e “Xhemijeti” nuk do të shihet me sy të mirë nga pushteti i atëhershëm.

Si përfundim, mund të thuhet se organizata “Xhemijeti” me seli në Shkup, me veprimtarinë e saj, u tregua mbrojtëse e denjë, për aq sa e lejonin mundësitë e kohës, e interesave shqiptare, në Jugosllavinë e periudhës në mes dy luftërave botërore. Sado që “Xhemijeti” për nga emri dukej me karakter fetar, në thelb veprimtaria e udhëheqësve të kësaj organizate u vu në mbrojtjen e interesave kombëtare.

Duke mos dashur t’i anashkalojmë disa nga autorët dhe kontributet e tyre shkrimore të lartcekura, duhet të theksojmë edhe kontributet qëjanë bërë në këtë temë. Së pari është organizimi i konferencës shkencore, më 17 dhjetor 2017 në Shkup, me temën: “Organizata “Xhemijeti” dhe rezistenca e saj kundër kolonizimit”, kumtesat e të cilit organizim u botuan në vitin 2018. Më pastaj vijnë botimet e viteve të fundit, si:  “Veprimtaria e organizatës politike Xhemijeti në trevat lindore (1919 – 1925)”, të botuar nga Shtëpia botuese “Logos-A” në Shkup me 2017, me autor, dr. Skënder Asani; “Ferhat Bej Draga – shembull atdhetarie”  (përmbledhje dokumentesh), botuar nga Kolegji AAB në Prishtinë me 2018, me autorë Dr. Jusuf Osmani dhe Mulla Asllan Murati; “Aqif Blyta: Kolos i Pazarit të Ri”, botuar nga Shtëpia Botuese “Logos-A” në Shkup me 2019 me autor Ismet Azizi; libri i cili ka dalë këto ditë nga shtypi me titull: “Shpërngulja e shqiptarëve në Republikën e Turqisë 1922-1941” (përmbledhje dokumentesh), botuar nga Instituti i Historisë në Prishtinë nën përgatitjen e Dr. Qerim Litës. Për më tepër, studiuesi dr. Qerim Lita në këtë përmbledhje dokumentesh e boton, mes tjerash edhe një shkresë që i dërguari jugosllav nga Stambolli më 1924 ia dërgon Ministrisë së Punëve të Jashtme në Beograd, ku ankohej për botimet e shkrimeve në gazetën “Hak”, që, sipas tij, kjo gazetë e paraqet pushtetin e atëhershëm si të dhunshëm dhe plaçkitës ndaj popullatës shqiptare.

Këto organizime, duke përfshirë edhe organizimin e disa javëve në Shkup, si dhe botimet e lartcekura, kanë hedhur dritë mjaftueshëm për punën e kësaj organizate dhe drejtuesve të saj. Por, njëkohësisht, këto organizime dhe botime janë edhe përgjigje për të gjithë ata që “Xhemijetin” dhe drejtuesit e saj i shikojnë njëanshëm, sepse siç thoshte dijetari ynë i Rilindjes Kombëtare Sami Frashëri, për historinë: “Aa më shumë që ndryshojnë burimet e saj, po aq ndryshon edhe interpretimi”. Në fakt, burimet nuk kanë ndryshuar për këtë organizatë dhe personalitetet me peshë në këtë organizatë, por burimet janë nxjerrë nga sirtarët dhe i janë ofruar lexuesit, pa ngarkesa ideologjike, që për shkaqe objektive e subjektive, deri me sot për pjesën dërmuese të këtyre burimeve, nuk është ditur në këtë masë.