` . Xhemijeti përfaqësonte dhe mbronte interesat e shqiptarëve - TV-SHENJA

Xhemijeti përfaqësonte dhe mbronte interesat e shqiptarëve

Shkruan: Jusuf Buxhovi

Për shkak të rrethanave të vështira nëpër të cilat kalonte popullata shqiptare, e cila ishte ballafaquar me diskriminim të hapur, pa përjashtuar këtu edhe dhunën dhe terrorin shtetëror që kryhej ndaj saj në emër të zbatimit të “Ligjit për mbrojtjen e shtetit” të shpallur dhe të dekreteve të tjera “kundër terrorizmit”, në Shkup u themelua partia e parë politike me emrin “Shoqata Isla-me muhavazihukug”, ose “Xhemjeti”, që ndër Shqiptarët u quajt edhe “Bashkimi”.

Kuvendi i saj themelues u mbajt më 18 dhjetor 1919. Në kuvendin themelues morën pjesë 64 pjesëmarrës. Kryetar u zgjodh Nexhip Draga, luftëtar i denjë i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare (deputet në Parlamentin Osman), nënkryetar Sheh Sadedini, ndërsa sekretar Aqif Blyta. Politika zyrtare e Mbretërisë SKS kuvendin e vlerësoi “Kongres i Myslimanëve të Jugut”, të përbërë nga “Turq, Sllavë të islamizuar dhe Arnautë”.

Në të vërtetë “Xhemjeti” kishte petkun fetar (islam), orientimin turk (gazeta e saj “Hak” do të botohet në gjuhën turke dhe atë serbe), ndërsa dihej se përfaqësonte dhe mbronte interesat e shqiptarëve.

Ky maskim ishte i domosdoshëm, sepse Mbretëria SKS nuk njihte kombësinë shqiptare, ndërsa lejonte atë turke, pranonte “identitetin islam”, të cilit i lejohej pasqyrimi në planin shoqëror, kulturor, por edhe politik me të cilin duhej të eliminohej, por edhe të luftohej deri në pikë të fundit identiteti shqiptar qoftë edhe si i papranuar.

Natyrisht se brenda këtij konstrukti dhe në këto rrethana, ku “dekori i lirisë së shprehjes fetare” përjashtonte identitetin kombëtar (shqiptar), mbrojtja e interesit të Shqiptarëve, së paku në planin shoqëror dhe ekonomik, ku mbrojtja nga diskriminimi si dhe shpërngulja e organizuar, shfaqej si prioritet kryesor.

Kjo parti, megjithatë, nuk ishte në gjendje që të ruante autonominë e vetë, meqë ajo ndodhej në gërshetimin e ashpër të dy partive rivale serbe në këtë pjesë: asaj Radikale dhe Demokrate, të cilat ishin të interesuara për elektoratin e banovinave ku përfshiheshin shqiptarët (Zetës, Moravës dhe sidomos të Vardarit me kryeqendër Shkupin), por që këtë ta bëjnë disi, duke ruajtur edhe “Xhemjetin”, jo si partner koalicioni, po si një vasal, të cilit i caktoheshin detyrat dhe i jepej ndonjë shpërblim për këtë. Por, edhe si e tillë, “Xhemjetit”, zuri t’i ngushtohej hapësira, veçmas pas prononcimeve kundër shpërnguljes së Shqiptarëve dhe kërkesës për kthimin e muhaxhirëve shqiptarë, të bërë nga deputeti Ferhat Ali Draga në Parlamentin Jugosllav, të cilën ai e deponoi edhe në Konferencën e Hagës.

Kjo deklaratë shtyri Beogradin që të punojë për ta rrënuar nga brenda këtë parti me anën e krijimit të fraksioneve të ndryshme, por edhe me trysni të tjera nga jashtë, që do të çojnë te shkatërrimi i saj katër vjet më vonë, madje edhe te burgosja e Ferhat Ali Dragës.

Si rrjedhojë e këtyre presioneve, kur do të dalin në pah dy-tri fraksione, që do të kërkojnë që partia t’i kthehet çështjes fetare, në Kongresin e Dytë më 1921, partia ndërroi emrin në “Organizata Myslimane e Serbisë Jugore e Mbretërisë SKS”, gjë që tregonte qartë se Beogradi nuk dëshironte kurrfarë organizimi politik të Shqiptarëve, pos atij fetar, i cili ishte i domosdoshëm që atyre, në njërën, t’u çrrënjosej çfarëdo vetëdije kombëtare dhe në tjetrën anë, t’u forcohej ajo fetare dhe e të qenit “turq”. Me anën e saj mund të shpërnguleshin lirisht, çështje kjo që për një pjesë të popullatës që nuk mund t’i bënte ballë diskriminimit dhe dhunës së përhershme shtetërore që ushtrohej ndaj saj, ose që nuk mund t’u përshtateshin rrethanave të reja, të fitonin mundësinë për t’u larguar nga vendi.

Në përputhje me këtë orientim që iu imponua nga shteti, struktura organizative e kësaj partie, rrumbullakohet në Kongresin e Tretë, më 4 prill 1922, me ç’rast ajo tashmë kishte karakterin e një shoqate të gjerë, në të cilën përfshiheshin që të gjitha rrymat politike në të cilat ishin të përfshirë Shqiptarët pa pasur të drejtë që politikisht të identifikohen si të tillë. Kështu, në këtë kongres morën pjesë 11 deputetët shqiptarë që ishin zgjedhur në parlamentin jugosllav. Kongresi zgjodhi kryetar Qenan Zijanë nga Manastiri, nënkryetar Ismet Bej Kemalin, deputet nga Gjakova dhe arkëtar Kemal Osmanin nga Shkupi. Nga viset e Kosovës, përfaqësues në kongres ishin: nga Prishtina Haxhi Xhemajl Efendija dhe Sylejman Haxhi Efendija, nga Gjilani Hysein Agë Okllani dhe Sherif Bajrami, nga Peja Nazif Bej, nga Pazari Aqif Haxhi Ahmeti. Në Kongres mori pjesë edhe Sali Jusufi si përfaqësues i Llapit. Në Kongres u vendos që “Hak” të dalë çdo ditë në gjuhën turke, kurse dy herë në javë në gjuhën serbe. Gazeta duhej të redaktohej dhe të botohej në Beograd.

Ky përcaktim kishte rëndësi për pushtetin jugosllav, që me anën e një gazete të tillë, te Shqiptarët të imponohej vetëdija turke bashkë me atë serbe, pikërisht siç do ta thotë edhe Çubrilloviqi “Shqiptarëve t’u krijohet bindja se i takojnë Lindjes dhe vetëdijes islame”.

Para se të ndodhin këto zhvillime, Kosova dhe Maqedonia, të shpërndara tashmë administrativisht në disa qarqe të lidhura me rrethe në Serbi (të Zetës, Moravës dhe Vardarit), do të futen në zgjedhjet e para parlamentare: në ato komunale në gusht të vitit 1920 dhe ato parlamentare të 28 nëntorit 1920, të cilat njëherësh duhej të shfrytëzoheshin për demonstrimin e politikës hegjemoniste të Beogradit në këto anë, e cila duhej të shkonte në dobi të krijimit të mëtutjeshëm të psikozës për shpërnguljen e Shqiptarëve.

Në këto rrethana, në rrethet e Graçanicës, të Zveçanit, të Shkupit dhe të Manastirit, në të cilat ishin të përfshira të gjitha vendbanimet e deridjeshme të Kosovës dhe të Maqedonisë Perëndimore, në zgjedhjet parlamentare u paraqitën katër parti: Partia Radikale, Partia Demokratike, Partia Komuniste dhe “Xhemjeti”. Kjo e fundit ishte në koalicion me Partinë Radikale, dhe ia doli të fitojë tre deputetë, njëri prej tyre Shqiptar (Mehmet Ali Mahmuti). Këto katër parti fituan 18 deputetë, prej tyre 10 Serbë dhe 8 Shqiptarë. Vlen të theksohet se në Kosovë ishin 85.159 zgjedhës të regjistruar, ndërsa në zgjedhje dolën 46.561 vetë. Më së shumti deputetë fitoi Partia Demokratike 9 sish (katër Shqiptarë: Sherif Bajrami, Ramush Osmani, Sefedin Mahmutbegu dhe Ismet Karabegu), Partia Radikale fitoi tre deputetë (një shqiptar: Musa Sheh Zade), Partia Komuniste fitoi tre deputetë (një Shqiptar: Ethem Bylbyli i Zveçanit).

Zgjedhjet parlamentare të vitit 1920, edhe pse do të duhej të mbeteshin në kuadër të një kornize të garës zgjedhore, megjithatë, gjatë dhe pas mbajtjes së tyre, u kthyen në një manifestim të hegjemonizmit serbomadh, ku u demonstrua fryma antishqiptare. Kjo atmosferë doli në pah, veçmas pas shpalljes së rezultateve përfundimtare. Radikalët e Pashiqit, të dëshpëruar që nuk kishin marrë më shumë se tre deputetë (kishin llogaritur se do të merrnin 12-13), do t’u kthehen metodave të njohura të qërimit të hesapeve me Shqiptarët. Këtë herë, në shkurt 1921, pasi që do të kenë demonstruar në Prishtinë dhe rrugët e tjera të qyteteve të Kosovës, duke u kërcënuar me gjakderdhje, policia e Beogradit që drejtohej nga Radikalët, me pretekst të pastrimit të vendit nga kaçakët, që ato ditë kishin vrarë një xhandar (ndonëse kjo nga popullata shqiptare nuk konfirmohej dhe thuhej se as që kishte pasur “luftë” me kaçakët siç alarmohej në të katër anët), hyri në Llap dhe bëri një gjenocid të vërtetë, duke vrarë e masakruar qindra Shqiptarë. Ngja-shëm u veprua edhe në disa qytete e katunde shqiptare, ku aksionet e xhandarmerisë të shoqëruara nga çetnikë vendorë të mbledhur rreth shoqatës “patriotike” “Bela ruka”, themeluar nga Radikalët “për mbrojtje nga terroristët”, arsyetoheshin me “terrorin” e kaçakëve.

Legjislatura e parë e cila u mblodh më 8 dhjetor 1920, solli ndryshimet e para, të cilat shkuan në dëm të demokracisë dhe në dobi të forcimit të unitarizmit, të cilin e drejtonin partitë serbe (Radikale dhe Demokrate). Këto parti imponuan kushtetutën e re, me të cilën u nxor edhe ligji “Për mbrojtjen e shtetit”, me të cilin u përjashtuan nga demokracia lëvizja punëtore dhe e majta. Me këtë ligj, po ashtu, pakicave iu ndaluan partitë politike, siç u krijua edhe një platformë diskriminuese për pjesëmarrjen e tyre politike në partitë e “popujve shtetformues”. Ndër to ishte nënshkrimi i deklaratës së lojalitetit shtetëror, deklarimi i gatishmërisë së përfshirjes në luftë “kundër terrorizmit” dhe njohja e gjuhës serbe dhe e shkrim leximit. Kjo e fundit përjashtonte një pjesë të madhe të popullatës shqiptare nga çdo aktivitet politik të kësaj natyre si dhe të drejtën për t’u zgjedhur, meqë në gishta numëroheshin ata që mund ta plotësonin këtë kusht.

Në këto rrethana, në Kosovë dhe Maqedoni filloi dhuna e Radikalëve, të cilët, si parti në pushtet, në përbërje të së cilës ishin edhe deputetet e “Xhemjetit”, ndërmori një fushatë të gjerë të demonstrimit të fuqisë si parti shtetërore, e cila kërkonte që Shqiptarëve t’u imponohej dhunshëm pa u lënë alternativë. Në përputhje me këtë përcaktim, Radikalët themeluan degët e partisë në të gjitha qytetet e Kosovës dhe të Maqedonisë, duke përfshirë dhunshëm në udhëheqjen e saj njerëzit me ndikim, por edhe të tjerët, të cilët detyroheshin të deklaroheshin se “me vullnet” i bashkoheshin kësaj partie. Falanga e saj “Bela Ruka” (njësi paramilitare çetnike e lidhur me oborrin mbretëror), sillte qytetarët nëpër tubimet e kësaj partie dhe i detyronte që të anëtarësoheshin. Madje, në këshillat vendorë të radikalëve, Shqiptarët detyroheshin që të mbanin fjalime përshëndetëse në dobi të kësaj partie.

Kjo bëri që në zgjedhjet e vitit 1923 “Xhemjeti” të futet në koalicion me Radikalët, “lidhje” kjo që ishte fare e panatyrshme dhe e dëmshme për të, por ajo ishte e imponuar dhe e paraparë që ashtu edhe të shkatërrohej. Kjo ndodhi pas dy vitesh, kur Radikalët nuk do të jenë në gjendje që t’i mbikëqyrin të gjitha veprimet e liderëve të tij, veçmas të autoriteteve, siç ishte Ferhat Ali Draga, i cili do të përpiqet që hapësirën parlamentare ta shfrytëzojë për të nxjerrë në pah gjend-jen e rëndë të Shqiptarëve si dhe dhunën shtetërore ndaj tyre.

Të njohura do të jenë qëndrimet e tij kundër shpërnguljes së Shqiptarëve në Turqi dhe reformën agrare, e cila ishte vënë në shërbim të kolonizimit të Kosovës me Serbë dhe në dëm të Shqiptarëve, por po ashtu, të njohura janë edhe deklaratat dhe protestat me rastin e dhunës së organizuar që ushtrohej ndaj Shqiptarëve nga militantët e radikalëve dhe të demokratëve si dhe të “Dorës së Bardhë”, e cila organizonte fushata “patriotike” kundër “terroristëve”, me ç’rast për militantët e saj “terroristë” ishin gjithë ata Shqiptarë që nuk pajtoheshin me politikën shtypëse të Beogradit dhe kundërshtonin shpërnguljen në Turqi. Edhe pse ishte në koalicion me Radikalët, Ferhat Draga, i cili nga Demokratët dhe të tjerët cilësohej “vegël e radikalëve”, do të fillojë të nxjerrë në pah ujdinë e këtyre dy partive “armike” në vend, rreth terrorit shtetëror në Kosovë, të cilat bashkëpunonin ngushtë në këtë çështje. Si dëshmi për këtë, para parlamentit jugosllav ai solli rastin e zgjedhjeve komunale të gushtit 1923, kur në gjithë Kosovën, veçmas në Prishtinë dhe Mitrovicë, këto parti organizuan terror shtetëror ndaj Shqiptarëve. “Të gjithë ata që përdorën terrorin gjatë zgjedhjeve komunale nuk i konsideroj as radikalë e as demokratë, sepse ata janë gjakpirës, sepse një shtypës gjithmonë është shtypës. Është turp dhe marri që ndër ne të derdhet aq shumë gjak në Prishtinë dhe Mitrovicë, dhe kjo të ndodhë ditën e zgjedhjeve”.

Me këtë rast Draga shpjegoi edhe arsyet pse ishte përcaktuar për lidhjen me Radikalët, që sipas tij ishte e pashmangshme për t’i arritur disa qëllime. “Ne prej Partisë Radikale nuk kemi kërkuar asgjë më tepër veç asaj që na garanton Kushtetuta dhe lejojnë ligjet ekzistuese. Prej tërë kësaj ne nuk kemi fituar asgjë, edhe pse Kushtetuta na garanton. Ne nuk mund të hapim shkollat në gjuhën amtare, megjithëse ligji na i lejon.”

Por, Ferhat Draga, më shumë se për të tjera armiqësohet me “aleatët” e tij pse do ta kritikojë, por edhe do ta frenojë shpërnguljen e Shqiptarëve në Turqi, këtë objektiv shumë të rëndësishëm të politikës hegjemoniste të Beogradit. Krahas denoncimit që do t’ua bëjë militantëve të shtetit, të cilët veprojnë haptas për ta terrorizuar popullatën shqiptare, siç ishte Miliq Kërsta në rrethin e Istogut, për të cilin thotë se “i armatosur deri në dhëmbë vret sipas dëshirës”, Draga do të denoncojë edhe Reformën Agrare, e cila haptas përdorej si mjet për kolonizimin e Kosovës me Serbë dhe popujt e tjerë sllavë. “Ne nuk jemi kundër reformës agrare. Le të zbatohet ajo në ato vende ku ka pak popullsi. Konsiderojmë se së pari duhet t’u jepet tokë vendasve tanë, që janë bujq e nuk kanë mjaft tokë, e pastaj ç’tepron të sillen kolonët, bujq të vyeshëm, nëse është nevoja. Por në radhët e kolonëve që sillen tash, pjesa më e madhe prej tyre, nuk janë për bujqësi, si për shembull në Dukagjin, ku ka aso rastesh që koloni merr pushkën, lahutën dhe ulet nën hije, ndërsa tokën ia punojnë Shqiptarët nën presionin e “autoritetit” të pushkës. Ka raste kur Shqiptari e mbjell, e korr dhe e bën duaj, pastaj ia beh koloni i merr duajt dhe i çon në lëmë të vet. Të gjitha këto bëhen me qëllim të caktuar që të tronditet popullsia shqiptare dhe të shpërngulen”.

Draga do të protestojë me fjalët se “problemi i pakicave, në këtë rast i Shqiptarëve, po sjell rrjedhime të kobshme për ta. Tendenca që Shqiptarët të shkrihen, nuk është e mundur të realizohet. Shkrirja e kësaj popullate dhe shpërngulja nuk do të bëhet realitet kurrë”.

Këto dhe deklaratat e ngjashme të Ferhat Ali Dragës, si dhe shkrimet e vazhdueshme të gazetës “Hak” rreth krimeve të organizuara ndaj popullatës shqiptare në Kosovë, që bëheshin nën direktivat e shërbimeve speciale ushtarake dhe policore, të cilat megjithatë nuk mbeteshin pa jehonë në opinionin e brendshëm të vendit, por edhe në atë të jashtmin, bënë që “Xhemjeti”, por edhe drejtuesit e saj, Ferhat Draga dhe të tjerët, që nuk pajtoheshin me atë që ndodhte në Kosovë dhe pjesët e tjera të banuara me Shqiptarë, Radikalët dhe Demokratët (veçmas këta të parët që kontrollonin pushtetin), të fillojnë skenarin për shkatërrimin e “Xhemjetit” dhe likuidimin politik të Ferhat Ali Dragës dhe liderëve të tjerë, edhe pse ata, që nga fillimi i bashkëpunimit të detyrueshëm me këto parti, kishin fituar anatemën e “bashkëpunëtorëve” të Radikalëve, gjë që ua kishte ulur autoritetin te një pjesë e Shqiptarëve, të cilët i shihnin “vegla të tyre”.

Urdhri për rrënimin e “Xhemjetit” dhe të liderëve të tij, në radhë të parë të Dragës, erdhi nga Pashiqi, i cili kishte dërguar në Kosovë dhe Maqedoni emisarin e tij, Toma Popoviqin, që një pjesë të “Xhemjetit” nga radhët e fanatikëve myslimanë, të lidhur për klerin, ta bëjë për vete, duke e lidhur drejtpërdrejt me Radikalët. Natyrisht se kjo lidhje duhej të bëhej me premtime dhe disa favore që do t’u jepeshin atyre, ndërsa përçarja nga brenda, me akuza dhe kundër akuza të ndërsjella midis tyre, të mbetej mjet i përhershëm. Meqë ndër Shqiptarë tashmë kishin filluar t’i fusin gishtat edhe faktorët e tjerë (veçmas Kroatët të cilët kërkonin aleatë kundër prirjeve gjithnjë e më të theksuara të politikës hegjemoniste serbe), Radikalët e Pashiqit po edhe Demokratët, kërkonin që këtë ta pengonin me çdo mjet. Kjo shtoi edhe më shumë përkushtimin e këtyre partive të rrënonin çfarëdo autoriteti midis Shqiptarëve, i cili sado pak do të denjonte që skenën politike jugosllave ta shfrytëzonte për këtë qëllim. Në këtë drejtim partitë politike serbe pajtoheshin plotësisht, dhe si do të shihet, u mbetej që t’i ndanin detyrat, që kjo të arrihej sa më shpejt dhe me mjete sa më brutale, në mënyrë që me rrënimin e autoriteteve shqiptare të arriheshin dy qëllime njëherësh: likuidimi nga skena politike i atyre që ishin jashtë mbikëqyrjes serbe dhe për t’i dëshpëruar Shqiptarët me çka ata, duke humbur çdo shpresë se mund të mbijetojnë disi duke iu bashkuar aleancave në vend kundër hegjemonizmit serbomadh, do të detyrohen të shpërngulen përfundimisht. Këtu, pra del në pah, ajo që më vonë do të dëshmohet fund e krye, se për hegjemonizmin serbomadh skena politike në Kosovë, Maqedoni dhe pjesët e tjera të Jugosllavisë, nuk ishte për qëllime politike, e aq më pak për të mirën e parlamentarizmit, por për t’u demonstruar dhuna me anën e së cilës aktrimi i demokracisë duhej të kthehet në mjet për përmbushjen e programeve nacionale hegjemoniste, të shprehura qysh nga “Naçertanja” e Garashaninit për të arritur te elaboratet morbide që elita intelektuale serbe do t’i hartojë, siç ishte ai i Çubrilloviqit, që do të shfaqet pak më vonë në “Klubin Kulturor Serb”, për të cilin u bë fjalë  më parë.

Në të vërtetë, ky përcaktim, që pak më vonë do të bëhet shkaktar edhe i shkatërrimit të Jugosllavisë së Versajës, do të fillojë të sprovohet në Kosovë dhe Maqedoni dhe ndaj Shqiptarëve për t’u zgjeruar pastaj edhe ndaj të tjerëve (Kroatëve, Sllovenëve), siç do të jetë rasti edhe me likuidimin e liderit politik kroat, Stjepan Radiçit, në parlamentin jugosllav. Kjo “mostër” do të fillojë me “Xhemjetin” dhe liderët e saj kryesorë, edhe pse ata gjatë gjithë kohës do të shfrytëzohen “si partnerë” koalicioni, por që do të rrëzohen, pikërisht ngase partitë unitariste dhe hegjemoniste serbe do të kuptojnë fare mirë se edhe në rrethanat e një “bashkëpunimi” të dhunshëm me këto parti, edhe në rrethanat e një sjellje vasale të tyre, kjo jo vetëm që nuk u shkonte përshtati, por bënte të kundërtën, ngaqë te Shqiptarët, siç do të konstatojë Çubrilloviqi në elaboratin e tij të njohur “Shpërngulja e Shqiptarëve” gjendja e mbijetimit edhe si të shtypur do të “rrisë vetëdijen nacionaliste të Shqiptarëve e me të edhe irredentizmin si fenomen të pashmangshëm”.

Ky vlerësim dëshpërues, i cili politikën hegjemoniste serbe do ta drejtojë drejt hapave më radikalë, pra të zhdukjes së çështjes shqiptare me anën e dhunës shtetërore dhe të shpërnguljes në masë të tyre, siç do të veprohet në të vërtetë gjatë gjithë kohës, për Pashiqin dhe të tjerët, mund të kalonte paraprakisht nëpër disa shkallë: nga ajo e përdorimit të tyre për qëllime të partive politike serbe, siç do të ndodhë deri në vitin 1925, likuidimi i partive të tyre politike në tërësi dhe shkrirja e elektoratit shqiptar në partitë serbe, siç do të ndodhë nga vitit 1925 e deri në vitin 1938 dhe së fundi, përcaktimi për largimin e tyre të plotë nga çfarëdo animimi politik, siç do të ndodhë nga viti 1938 e deri në vitin 1941.

Megjithatë, Pashiqi dhe bashkëmendimtarët e tij, nga vitit 1925 ia dolën që të rrënojnë nga brenda “Xhemjetin”, edhe pse qysh më 1922 me ndërrimin e emrit në “Organizata Myslimane e Serbisë së Jugut në Mbretërinë SKS”, ia kishin imponuar karakterin fetar dhe identitetin turk duke e detyruar që këto t’i kutivojë vetëm brenda identitetit fetar dhe kombësisë turke, me çka duhej t’i përgatitej terreni shpërnguljes masive me anën e marrëveshjeve me Turqinë. Ky veprim, megjithatë, duhej të shoqërohej me masa të ashpra të terrorit shtetëror ndaj Shqiptarëve, në mënyrë që ato të kurorëzoheshin edhe me eliminimin dhe burgosjen e liderëve të kësaj partie. Paralajmërimin e këtij veprimi do ta bëjë gazeta “Hak”, e cila, po ashtu do ta përjetojë fatin e “Xhemjetit”. “Ka kaluar një decenie qysh se shkopi i oligarkisë radikale pa mëshirë ka rrahur e ndjekur çdo gjë që nuk kryqohet më në mënyrë radikale dhe nuk merr frymë sikundër bëjnë radikalët. Posaçërisht në kohën e fundit, ithtarët e radikalëve po armatosen për të vazhduar terrorin. Pushteti i radikalëve njihet për të keq, sepse shpërndahej prona shoqërore nga pushteti i saj, nxitej shovinizmi fisnor (popullor), ndiqeshin të gjithë njerëzit e ndershëm në anët jugore”.

Terrorin shtetëror të Radikalëve e vërteton edhe një letër e konsullit gjerman në Beograd, Wolfbeck që ia kishte dërguar Ministrisë së Jashtme gjermane, ku bëhet e ditur se para zgjedhjeve qeveria kishte filluar terrorin dhe se në të drejtpërdrejt ishin përfshirë Pashiqi dhe Pribiçeviqi. Aty thuhet se terrori i ashpër ishte evident sidomos në regjionin e Kosovës dhe të Dukagjinit.

I njëjti burim bën të ditur se terror po ushtrohej edhe ndaj këshillave të “Xhemjetit” nëpër qytete, me ç’rast shkatërrimin e tyre qeveria e arriti duke detyruar udhëheqësit e tyre që të shpërngulën në Turqi. Kishte raste, si në Gjakovë, Pejë, Istok. Drenicë dhe të tjera, që ata shpallen kaçakë.

Që të shuhet “Xhemjeti”, ose siç quhej ndër Shqiptarë “Bashkimi”, Pashiqi vendosi që së pari të burgoset Ferhat Ali Draga. Draga u burgos më 21 janar 1925 me urdhrin e prefektit të Mitrovicës, i cili ia komunikoi vendimin personalisht. Atij iu bë një gjykim i shpejtë, kryesisht politik, që e shpalli “fajtor” dhe e dënoi me 20 vjet burg. Aktakuza e ngarkoi se gjatë Luftës së Parë Botërore kishte vrarë Serbë, por pas pak u amnistua nga mbreti bashkë me Bedri Pejanin. Ai u burgos edhe në vitin 1927, por prapë u lirua nga dënimi me “anën e faljes”. Pos Dragës u burgosën edhe disa persona me autoritet. Policia ndërmori masa të gjera bastisjeje edhe ndaj disa deputetëve shqiptarë, duke vënë në shënjestër autoritetet kryesore…

Marrë nga libri MAQEDONIA, nga antika deri te koha jonë

P.S.

Për shkaqe teknike poshtëshënimet janë mënjanuar