` . Xhaxha Ibrahimi dhe Xhadi - TV-SHENJA

Xhaxha Ibrahimi dhe Xhadi

Shkruan: Eljesa ISMAILI

“Fto në rrugën e Zotit tënd me urtësi e fjalë të mirë. Debato me ta me atë që është më e mirë. S’ka dyshim se Zoti yt i di më së miri të shmangurit nga rruga dhe të udhëzuarit.” Nahl-125

Ndonjëherë ndodhin gjëra të tilla që njeriu e ka të vështirë t’i bëjë të flasin fjalët, t’i ngjeshë ato në një vend të caktuar. Masakra e tmerrshme që ndodhi në Zelandën e Re na trishtoi thellësisht të gjithë, na e copëtoi zemrën. Na llahtarisi, or miq…

Ajo që u ndodhi vëllezërve tanë në Zelandën e Re qe shprehja e fundit e antimuslimanizmit që ka filluar të përhapet si virus dhe e qëllimeve e përpjekjeve për ta vënë në lëvizje më me forcë këtë damar. Mesazhi që u jepet muslimanëve në katër anët e botës ishte ky: “Nuk jeni të sigurt as në vendin më të qetë!”

Një pjesë e medias sonë, në mënyrë të neveritshme përdori fjalët “agresori”, “vrasësi”, “i krisuri”, “sulm”. Ndërkohë që e gjithë bota e di se ky ishte terror në plot kuptimin e fjalës. Le të shkruajnë ashtu si duan, ne megjithatë do të vazhdojmë të rrojmë me moralin tonë dhe t’u japim mesazhe respekti, tolerancë, paqe e dashurie njerëzve të çdo feje e kombësie.

Sot do të përpiqem të përcjell historinë e një jete, më saktë një ngjarje të ndodhur vërtet. Ndonëse një vëllai ynë nga Kosova e tregoi para disa kohësh duke i qëndruar besnik vendit dhe kohës, kuptova se kjo histori mbetet ende e freskët dhe duhet mbajtur në vëmendje, prandaj vendosa t’ia përcjell lexuesit me shkrim. Një gotë histori o miq.

Ishte viti 1957, xhaxha Ibrahimi ishte në pesëdhjetat dhe jetonte në Francë. Ishte turk dhe kishte një market të vogël. Në apartamentin mbi dyqan banonte një familje hebreje. Familja kishte një djalë shtatë vjeç që quhej Xhad. Çdo mëngjes vinte në dyqan dhe bënte pazarin. Çdo ditë pa përjashtim vidhte nga një çokollatë. Një ditë prej ditësh Xhadi bën pazarin dhe harron ta vjedhë çokollatën. Ndërkohë që djali po dilte nga dyqani, xhaxha Ibrahimi i thërret nga pas: “Xhad! Nuk e more çokollatën sot, harrove.” Xhadi trembet dhe i thotë: “E a dije? A më ke parë çdo ditë?” “Po,” i përgjigjet xhaxha Ibrahimi, “mos vidh më kurrë Xhad! Vjedhja është mëkat i madh. Është t’i hysh në hak tjetrit! Kur të vish herë tjetër, prapë merre çokollatën, por merre si dhuratë prej meje. Na, kjo është çokollata për sot,” dhe i dha djalit çokollatën që kishte harruar ta merrte. Atëherë Xhadi i tha xhaxha Ibrahimit se nuk do të vidhte më kurrë. Xhaxha Ibrahimi i kërkoi t’i premtonte se nuk do të vidhte më. Kështu Xhadi, përditë pasi bënte pazarin, merrte çokollatën dhe i thoshte xhaxha Ibrahimit: “E mora çokollatën,” e shkonte. Xhaxha Ibrahimi dhe Xhadi u bënë shokë, madje miq, dhe kjo vazhdoi për vite me radhë. Kaluan vite. Sa herë që kishte ndonjë hall Xhadi, shkonte tek xhaxha Ibrahimi e gjente ngushëllim në dhembshurinë e tij. I rrëfente këtij miku të gjitha problemet që kishte me familjen, shokët, etj. dhe ia dëgjonte me admirim e ia zbatonte këshillat. Mes të dyve zhvilloheshin dialogje të bukura dhe Xhadi ndante me xhaxha Ibrahimin çdo problem që kishte e gjithçka tjetër.

Xhaxha Ibrahimi e dëgjonte përherë me vëmendje. Sa herë që Xhadi rendte me vrap tek xhaxha Ibrahimi, ky i fundit nxirrte nga sirtari një libër, ia jepte Xhadit dhe i thoshte: “Hape diku.” Xhadi mbyllte sytë dhe e hapte librin ku ta zinte dora. Xhaxha Ibrahimi i lexonte ç’shkruhej në atë faqe, ia shpjegonte Xhadit dhe kështu e zgjidhnin bashkë problemin e diskutonin për atë që kishin lexuar. Dhe diagnoza e zgjidhja ishin gjithmonë të qëlluara…

Kështu kaluan plot 17 vjet. Xhaxha Ibrahimi mbushi 67 vjeç. Xhadi ishte një djalosh 24 vjeç, kurse xhaxha Ibrahimi po i afrohej udhëtimit të përtejmë. Por miqësia e tyre vazhdoi po njësoj. Shkonin shumë mirë e kishin shumë besim tek njëri-tjetri. Por ia behu ëngjëlli i vdekjes dhe xhaxha Ibrahimi ndërroi jetë.

Para se të vdiste xhaxha Ibrahimi u la të bijve një sënduk për Xhadin dhe u la amanet: “Sënduku i vogël t’i jepet Xhadit pa u hapur.” Të bijtë ia çuan në vend amanetin dhe ia dhanë Xhadit sëndukun. Me hidhërimin fillestar, nga pezmi e të qarët Xhadi harroi ta hapte sëndukun.

Vdekja e mikut të tij më të ngushtë e dërrmoi Xhadin. Qau e derdhi lot shumë. Nuk e kishte më mikun për kokë me të cilin ndante hallet, që i fliste me zemër e i gjente zgjidhje për problemet. Hallet e problemet për Xhadin u shtuan. Njëherë kur u ngushtua shumë e nuk po gjente dot rrugëdalje, iu kujtua xhaxha Ibrahimi, iu mbushën sytë dhe iu drejtua me vete: “Ah, xhaxha Ibrahim, ah! Sikur të ishe këtu e të më dëgjoje! Do të ma kuptoje hallin! Do të më ndihmoje! Ah sikur të ishe këtu e të më gjeje zgjidhje! Pa shiko, kam mbetur vetëm! Do ta hapje sirtarin e do të nxirrje librin!” E në atë çast iu kujtua sënduku. Vrapoi menjëherë, e mori sëndukun dhe e hapi. Në të gjeti Librin që xhaxha Ibrahimi ia jepte për ta hapur e pastaj e lexonte dhe kështu i gjente gjithmonë zgjidhje për problemet që kishte.

Kur e pa librin, i mbylli sytë, e vuri dorën në një faqe dhe kur e hapi, pa se ishte në arabisht. Vajti menjëherë tek një shok tunizian dhe i kërkoi t’i lexonte nga ai libër. Shoku e lexoi faqen që kishte hapur Xhadi dhe ia përktheu. Xhadi e mori librin dhe nisi të mendonte për problemet e tij. Çfarëdo problemi që kishte pasur, përgjigjen e kishte gjetur në këtë libër. Falë atij Libri sërish kishte gjetur zgjidhje.

Xhadi e pyeti shokun e tij se çfarë libri ishte ai. Tuniziani i tha: “Ky është Kur’ani Fisnik, Libri i muslimanëve.”

Xhadi shtangu nga habia. Domethënë se ai libër misterioz që e kishin lexuar për vite me radhë, që ofronte zgjidhje për çdo problem, ishte Kur’ani! Nuk ngurroi aspak por e pyeti menjëherë shokun: “Ç’duhet të bëj për t’u bërë musliman?” Tuniziani ia shpjegoi se ç’duhej të bënte dhe Xhadi u bë musliman. Edhe emrin e bëri Xhadullah el-Kur’aniu. Studioi dijet islame e krye doktoraturën. U bë thirrësi më i madh në Islam në Evropë. Më shumë se pesëmijë hebrej e të krishterë në Evropë u bënë muslimanë nëpërmjet tij.

Kur e pyesnin cilat ishin çastet e tij më të lumtura në jetë, thoshte se kur dikush bëhej musliman nëpërmjet tij. “Sepse atë çast ndjej sikur kam kthyer një pjesë të bukurisë që kam marrë prej xhaxha Ibrahimit,” përgjigjej. “Kam qëndruar plot 17 vjet me xhaxha Ibrahimin. Asnjëherë nuk më tha, ‘Ti je hebre, unë jam musliman.’ Nuk më tha, ‘Ti je jobesimtar.’ Madje nuk më tregoi as se çfarë libri ishte ai që më lexonte. Kurrë nuk u mërzit me mua dhe me elegancë të madhe më lidhi me Kur’anin. Shenja e Zotit tek robtë e Tij është të përpiqen në këtë rrugë e jo të shohin rezultatin.”

Thirrësi egjiptian Dr. Saffet Hixhazi njihet personalisht me të dhe dëgjon historinë e tij. Kur e pyet për Kur’anin e rrëgjuar të cilin nuk e lëshonte kurrë nga dora, Xhadullahu i thotë:

“Ky është Kur’ani që më la xhaxha Ibrahimi.”

“Pse do të shkosh Afrikën?” e pyet Dr. Saffeti.

Xhadullahu hap Kur’anin e xhaxha Ibrahimit dhe në faqen e fundit i tregon hartën e Afrikës të vizatuar mbi të dhe i thotë:

“Xhaxha Ibrahimi e dinte se do të bëhesha musliman dhe me këtë hartë më dha një shenjë që të shkoj në Afrikë e me lejen e Zotit tim ta vendos këtë dritë në zemra.”

Dr. Xhadullahu më vonë shkon në Afrikë ku qëndron plot njëzet e pesë vjet. Mbi gjashtë milionë njerëz nga fiset zulu bëhen muslimanë nëpërmjet tij. Ndërron jetë në moshën 55 vjeç nga një sëmundje kronike në Afrikë.

Po, Xhadi ishte hebre. Xhaxha Ibrahimi u bë shkak që ai të bëhej musliman. Ai e pati magjepsur Xhadin me elegancën, urtësinë e moralin e tij dhe pas vdekjes së tij Xhadi u bë musliman. Po ne, ku jemi vallë në raport me këtë jetesë e histori?

Çdo njeri do të merret në llogari. Së pari le të bëhemi muslimanë të mirë, pastaj njerëz shembullorë. Le të na kenë zili e të bëhen kureshtarë për besimin tonë. Të na e admirojnë moralin. Le të mos i ftojmë ne në fe, por ata të na ftojnë për të hynë në fenë islame.

Nuk mund ta dimë se ku dhe me çfarë mund ta fitojmë apo ta humbim sprovën e jetës. Këtë nuk e shkrova për t’i dhënë merita vetes, por për të treguar se ndoshta nuk jemi bërë dot si xhaxha Ibrahimi.