` . VW detyrohet të ndërpresë prodhimin e Golf 8 - TV-SHENJA

VW detyrohet të ndërpresë prodhimin e Golf 8

Problemet me Golfin e ri nuk po ndalen. Volkswageni po detyrohet të ndërpresë porositë për bestsellerin e tij, Golf, për disa muaj. Arsyeja është problemi me ndihmësin elektronik për raste të urgjencës, eCall.

Sipas informatave nga kompania, së paku 30,000 njësi nga prodhimi më i rëndësishëm në Grupin Volkswagen ndoshta do të duhet të shkojnë në servis, transmeton Koha.net. Prodhimi i Golfit aktualisht është ndërprerë, por të gjitha njësitë e reja të këtij modeli do të mbesin në pritje.

Volkswageni ka konfirmuar për ndërprerjen e porosive.

“Gjatë inspektimeve të brendshme, është konstatuar se disa vetura Golf 8 mund të kenë pasur një transferim të panjohur të të dhënave në njësinë e kontrollit”, thotë kompania.

Prandaj, funksioni i ndihmësit elektronik nuk mund të garantohet plotësisht dhe në ditët në vijim, pritet vendimi i Administratës Federale të Trafikut të Gjermanisë.

Golfi ende konsiderohet prodhimi më i rëndësishëm në industrinë automobilistike gjermane. Për këtë arsye, kreu i Këshillit të Punës, Bernd Osterloh, para disa ditësh shprehu shqetësimin e tij për problemet aktuale me Golfin e ri.

Arsyeja kryesore të cilën e dhanë përfaqësuesit e punonjësve të Grupit të Volkswagenit, ishte dështimi i softuerit dhe elektronikës. Për Osterlohin, fillimi i gjeneratës së 8 ishte i gabuar. Numrat janë një tragjedi, sipas tij. Nga rreth 100,000 njësi të planifikuar, vetëm rreth 8,400 u prodhuan në Wolfsburg gjatë vitit 2019.