` . Vrasja në Tetovë, 13 të akuzuar për vrasje dhe tentimvrasje (Video) – TV-SHENJA

Vrasja në Tetovë, 13 të akuzuar për vrasje dhe tentimvrasje (Video)

Trembëdhjetë persona të akuzuar për gjuajte me armë dhe vrasje në incidentin e armatosur në Reçicë të Vogël ku humbi jetën Naip Rexhepi dhe u plagosën disa të tjerë. Në komunikatën e Prokurorisë Themelore Publike në Tetovë njoftohet se një person ngarkohet me veprën penale “vrasje”, tre persona për “tentim vrasje” dhe nëntë të tjerë ngarkohen me veprën  penale “pjesëmarrje në përleshje” nga kodi penal.

PROKURORIA THEMELORE PUBLIKE TETOVË
“Është ngritur padi ndaj katër personave me një propozim për zgjatjen e masës së ndalimit, me të cilin një person ngarkohet për veprat penale ‘vrasje’ dhe ‘prodhim, posedim, ndërmjetësim dhe tregti të paautorizuar të armëve ose materialeve shpërthyese’ nga kodi penal. Tre persona ngarkohen me veprat penale ‘tentim vrasje’ dhe ‘prodhim, posedim, ndërmjetësim dhe tregti të paautorizuar të armëve ose materialeve shpërthyese”

Prokuroria  ka propozuar që tre personat e akuzuar që janë të privuar nga liria, si dhe njërit prej tyre që edhe më tej është në arrati, t’u propozohet vazhdim i paraburgimit derisa aktgjykimi të hyjë në fuqi kundër tyre.

Ndaj 8 personave që ngarkohen me veprën penale “pjesmarrje në përleshje”, prokuroria ka parashtruar propozim për përcaktim të masave paraprake, derisa për personin e nëntë propozoi caktim të masës së paraburgimit derisa aktgjykimi të bëhet i vlefshëm, meqë është shtetas i Republikës së Shqipërisë.

PROKURORIA THEMELORE PUBLIKE TETOVË
Gjatë hetimit prokurori publik ka vërtetuar se të akuzuarit kanë qenë pjesë të dy grupeve rivale, të cilat sipas një marrëveshjeje paraprake me vetura kanë ardhur në vendin e incidentit në Reçicë të Vogël. Pesë persona mes të cilëve edhe personi i ndjerë, kanë qenë të armatosur me pistoleta, pas çka ka ardhur deri në një mosmarrëveshje verbale që më pas u shndërrua në grindje dhe përdorim të armëve të zjarrit. Përveç pistoletave, në përleshje janë përdorur edhe shkopa bejzbolli, thika dhe mjete të tjera. “

Kujtojmë që më 5 prill, në Reçicë të Vogël në afërsi të selisë së BDI-së, pati një përleshje të armatosur ku si pasojë humbi jetën Naip Rexhepi dhe u plagosën disa të tjerë. Ajnur Bafqari /SHENJA/