` . Vrasja e Kasem Sulejmanit, implikimet rajonale dhe marrëdhëniet SHBA-Iran - TV-SHENJA

Vrasja e Kasem Sulejmanit, implikimet rajonale dhe marrëdhëniet SHBA-Iran

Me shumë gjasa, Irani do të kërkojë të ushtrojë presion ndaj SHBA-ve dhe ndaj interesave të saj në rajon pa u konfrontuar direkt me Uashingtonin dhe pa e kaluar vijën e kuqe.

Shkruan: Abdulvehab EJUPI, Shkup

Gjeneral Kasem Sulejmani (Qassem Soleimani), ish kreu i trupave elitare të Gardës Revolucionare të Iranit “Quds” (IRGC), ishte njeriu i dytë më i fuqishëm pas liderit suprem Ali Khamenei në Iran dhe ideatori kryesor i politikës së jashtme të Iranit në Lindjen e Mesme. Kreu i forcave të “Quds”-it ishte figura kryesore për operacionet e Iranit në Irak, Siri, Liban, Jemen dhe Afganistan. Ai ishte njeriu që qëndronte pas strategjisë së Lindjes së Mesme dhe kishte në dispozicion afër 50,000 forca paraushtarake shiite si proksi të Iranit kundër interesave të SHBA-ve, Arabisë Saudite, Bahreinit dhe vendeve të tjera të Gjirit. Roli i tij instrumental në përhapjen e ndikimit iranian në Lindjen e Mesme e bëri atë objektiv numër një të Shteteve të Bashkuara edhe kështu SHBA-të e dizajnuan Iranin si “sponsorizues numër një të terrorizmit”.

Perëndimi e etiketoi Kasem Sulejmanin si “komandant hije”, ndërsa iranianët e panë atë si një “dëshmor të gjallë”. Vrasja e tij nga Donald Trump-i më 3 janar e tronditi Iranin, Lindjen e Mesme dhe gjithë globin. Ky akt shënon edhe fazën e re të antagonizmit mes SHBA-ve dhe Iranit.

Varrosja e Kasem Sulejmanit nga mediat iraniane u përshkrua si më e madhja në Iran që nga varrosja e Ayatollah Khomeinit, themeluesit të Republikës Islamike të Iranit. Ai ishte figurë shumë influencuese në Iran dhe Lindjen e Mesme, me mijëra mbështetës, por për Shtetet e Bashkuara ishte një terrorist në duart e të cilit kishte gjak amerikan. Sulejmani mund të mbahet gjithashtu përgjegjës për mijëra vdekje në Siri, ku ai drejtoi mbështetjen e Iranit për regjimin e Asadit në sulmet e tij brutale kundër opozitës gjithandej dhe, veçanërisht, ne Aleppo.

Vrasja e Kasem Sulejmanit dhe implikimet në politikën rajonale

Pas sulmeve iraniane kundër bazave amerikane në Irak, si hakmarrje për vrasjen e Kasem Sulejmanit, komandanti i Divizionit Hapësinor të Ushtrisë Uraniane (IRGC), Amir-Ali Hajizadeh, bëri një deklaratë në lidhje me planet e ardhshme të Iranit përpara flamujve që i përkasin IRGC-së dhe forcave paraushtarake të mbështetura nga Irani në Lindjen e Mesme: Hezbollah, Hashdal-Shaabi, Houthi, Brigada Fatemiyoun, Brigada Zainabiyoun dhe Hamasi. Ky moment ishte mesazh i qartë se Irani do të hakmerret kundër SHBA-ve, përmes proksive të veta edhe në rajon.

Pasi që Irani ka një gamë të gjerë të proksive, duke filluar nga Afganistani deri në Gjirin Arabik, mund të veçohen tre vende që do të luajnë rol qendror në çdo zonë konflikti midis Uashingtonit dhe Teheranit: Iraku, Siria dhe Libani.

Iraku

Vrasja e Abu Mahdial-Muhandis-it nga amerikanët, që ishte nënkryetari i Hashdal-Shaabi-t, në të njëjtin sulm me Sulejmanin, është parë gjerësisht si shkelje e sovranitetit dhe sigurisë së Irakut sipas marrëveshjeve midis Bagdadit dhe Uashingtonit. Më 5 janar parlamenti irakian votoi për dëbimin e trupave amerikane nga Iraku. Kundërpërgjigjja iraniane kundër bazave amerikane në Irak i ka irrituar gjithashtu autoritetet irakiane, që kanë shqetësime se Iraku do të shndërrohet në fushë kryesore të betejës në çdo konfrontim SHBA-Iran. Me vdekjen e El-Muhandis-it, Hadial-Ameri, udhëheqësi i organizatës “Bedr” dhe Partia e koalicionit “Fateh”, u njoftua si kryetari i ri i Hashdal-Shaabi-t. Ky vendim u mor përmes një seri takimesh në Bejrut, Teheran dhe Qom, ku udhëheqësi i Hezbollahut, HassanNasrallah, ishte i ngarkuar me detyrë për bashkimin e aleatëve iranianë me milicitë irakiane. Ai thuhet se u bëri thirrje të gjitha forcave paramilitare për “të lënë mënjanë dallimet” dhe të krijojnë rezistencë të bashkuar kundër pranisë së SHBA-ve në Lindjen e Mesme.

Si rezultat i gjithë këtyre, Iraku gjendet para rrezikut që sërish të përfshihet në kaos politik dhe shoqëror. Ekzistenca e Hashdal-Shaabi-t tashmë po paraqitet si sfidë kundër sovranitetit dhe stabilitetit të shtetit. Ekspertët vlerësojnë se vrasja e Sulejmanit mund t’i shtyjë këto grupe të veprojnë në mënyrë më të pavarur nga shteti irakian.

Siria

Sulejmani është kredituar si një ndër kontribuesit kryesor në strategjinë për të mbajtur Bashar al-Asadin në pushtet në Siri. Madje, u tha se: “Sulejmani, tani, praktikisht po udhëheq me Sirinë dhe se Bashari është vetëm një bashkëpunëtor i tij “. Disa e kanë interpretuar vrasjen e tij si fillimin e rënies së ndikimit dhe mbështetjes së Iranit në Siri. Megjithatë, të tjerët theksojnë se ndikimi i saj do të vazhdojë. Fuqia e Iranit mund të bjerë gjatë procesit të rindërtimit pas luftës në Siri. Autoritetet ruse gjithashtu i kanë sqaruar dyshimet e tyre për agjendën e Iranit në vend, pasi më parë kishin shprehur shqetësimin e tyre për sa i përket shtrirjes së tyre dhe ndikimin e Sulejmanit mbi Bashar al-Asadin.

Dhe, nuk është për t’u habitur që civilët janë ata që po vuajnë pas vdekjes së Sulejmanit. Tashmë është raportuar se është kryer masakër e tmerrshme nga forcat e mbështetura nga Irani si përgjigje ndaj vrasjes së Sulejmanit në rajonin e Maadan, që ndodhet midis qyteteve Raqqa dhe Deiral-Zour në lindje të Sirisë.

Libani

Pas sulmeve të Iranit kundër bazave amerikane në Irak, udhëheqësi i Hezbollahut, Nasrallah, bëri jehonë me deklaratat në lidhje me lëvizjen e tyre të mëtejshme kundër SHBA-ve. Nasrallah-u e quajti “fillimi i një faze të re” në rajon, i cili nuk është vetëm për Iranin ose Irakun, por për tërë rajonin. Udhëheqësi i Hezbollahut deklaroi se sulmet mbi praninë ushtarake amerikane, përfshirë bazat amerikane, detare, anijet dhe personeli ushtarak në rajon do të ishin “ndëshkim i drejtë” për vrasjen e Sulejmanit. Megjithatë, vrasja e Sulejmani nuk duket se do të ndezë ndonjë konflikt eventual në kufirin libano-izraelit, por ekziston mundësia e provokimeve kundër interesave amerikane përfshirë potencialin e shënjestrimit të ambasadës amerikane në Liban ose në ndonjë nga frontet e tjera në rajon. Sidoqoftë, kritikët theksojnë se kjo nuk ka të bëjë asgjë me realitetin dhe se kjo është vetëm retorikë boshe, pasi Hezbollahu nuk ka gjasa t’i kundërshtojë drejtpërdrejt SHBA-të në oborrin e shtëpisë së tyre, veçanërisht pasi ato tashmë po përballen me një situatë të brendshme jashtëzakonisht të tensionuar.

Marrëdhëniet SHBA-Iran

Deri në momentin e vrasjes së Kasem Sulejmanit Irani ndiqte një politikë “përshkallëzimi të kontrolluar” përballë Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të Gjirit. Vendimi i Trump-it për vrasjen e Sulejmanit pasqyron qartë atë se si lëvizjet e paparashikueshme nga ai krijojnë pasoja të papritura për Iranin. Me shumë gjasa, Irani do të kërkojë të ushtrojë presion ndaj SHBA-ve dhe ndaj interesave të saj në rajon pa e konfrontuar direkt Uashingtonin sidhepa e kaluar vijën e kuqe. Hakmarrja e parë e Iranit, sulmet me raketa balistike kundër bazave amerikane në Irak, ishte e dizajnuar që të tregojë fuqinë dhe ta mbrojë fytyrën e tij regjimi para publikun iranian. Sulmet me raketa ndaj bazave ushtarake të SHBA-ve, gjithashtu synonte të dërgojë mesazh se të gjitha bazat amerikane në rajonin e Gjirit Persik janë në rrezik permanent. Fakti që kjo ofensivë nuk shkaktoi viktima në radhët e ushtrisë amerikane tregon se Irani nuk synon konflikt të drejtpërdrejtë.

Irani duket se kishte bërë kalkulime të shumta, duke shpresuar madje se Trump-i nuk do të rizgjidhet edhe për një mandat të dytë në presidencën amerikane. Teherani shpresonte që një president i ri do të lejojë rihapjen e negociatave të programit bërthamor të Iranit në këmbim të lehtësimin e sanksioneve.

Nga ana e tij, Trump-i ka treguar gatishmërinë e tij për të bërë kompromis me Iranin edhe pas sulmeve amerikane që e vranë Sulejmani, duke deklaruar: “Irani kurrë nuk ka fituar ndonjë luftë, por edhe kurrë nuk humbur në negociata”. Irani deri më tani ka treguar vendosmëri për t’i rezistuar negociatat për sa kohë që SHBA-të vendosën sanksione ekonomike ndaj Republikës Islamike. Pas vrasjes së Sulejmanit, dyert për çdo marrëveshje të mundshme duket se janë mbyllur, të paktën në një të ardhme të afërt. Bazuar në deklaratat e fundit, Irani duket këmbëngulës për t’u bërë presion SHBA-ve për tërheqjen e trupave jashtë Irakut dhe rajonit, në përgjithësi. Teherani, gjithashtu, ka filluar t’i rrisë aktivitetet bërthamore në vazhdimësi pas vrasjes së Sulejmanit, ndërsa dhe deklaroi se nuk do t’u përmbahet më kufijve të pasurimit bërthamor dhe numrit të centrifugave të përcaktuara në marrëveshjen bërthamore “JCPOA 2015”.

Derisa Uashingtoni vazhdon ta shtrëngojë Teheranin, duke vendosur sanksione më të rënda, Republika Islamike duket se do të vazhdojë t’i rezistojë shtrëngimit amerikan pa çuar betejën në një përshkallëzim të plotë. Duke pasur parasysh parametrat e fuqisë me SHBA-të, Irani duket se do të vazhdojë me strategjinë e saj afatgjate të përdorimit të metodave jokonvencionale të luftës.