` . Von der Leyen: Lidhja me Ballkanin, strategjike për BE-në - TV-SHENJA

Von der Leyen: Lidhja me Ballkanin, strategjike për BE-në

Presidentja e re e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, beson se një integrim më i ngushtë i Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian është i një rëndësie strategjike për vetë Unionin.

“Unë besoj me vendosmëri se është me rëndësi të madhe strategjike për ne që ta sjellim sa më afër Ballkanin Perëndimor me BE-në,” u tha ajo gazetarëve pas takimit me kancelaren gjermane Angela Merkel.

Një deklaratë e tillë është një vërejtje e qartë në kurriz të Presidentit francez Emmanuel Macron, i cili kundërshtoi një vendim muajin e kaluar për të hapur bisedime me Shkupin dhe Tiranën, thekson Politiko.eu.

“Shqipëria dhe Maqedonia Veriore kanë bërë përpjekje të jashtëzakonshme për të arritur pikën që na është kërkuar të arrijmë”, tha Von der Leyen, duke njoftuar se ajo “do të kërkojë mënyra alternative për të forcuar lidhjet me këto vende”.

“Derisa të jetë vërtet e mundur që të hapen negociatat e pranimit, unë do të investoj tërë energjinë time në zhvillimin e projekteve të përbashkëta, të cilat do t’i lidhin më tej këto vende me ne përmes bashkëpunimit të ngushtë. Nëse nuk e bëjmë, të tjerët do të shfrytëzojnë vakumin dhe ne nuk duam që kjo të ndodhë”, tha Von der Leyen.

Merkel beson se është me shumë rëndësi për interesin strategjik të Evropës që këto vende (Maqedonia Veriore dhe Shqipëria) të mos e humbin shpresën në perspektivën e pranimit.

“Eshtë shumë e lidhur dhe me çështjen e migracionit,” shtoi Merkel, duke aluduar në faktin se shumë refugjatë kishin hyrë në BE në rrugën ballkanike vitet e fundit. /tesheshi/