` . VMRO-DPMNE mesazh pushtetit: Ndaloni presionin gjyqësor! - TV-SHENJA

VMRO-DPMNE mesazh pushtetit: Ndaloni presionin gjyqësor!

VMRO-DPMNE i bënë thirrje pushtetit që të ndaloj me presionet nëpërmjet gjyqësorit, raporton SHENJA. Gjatë ditës së sotme pritet që të mbajë mbledhje Komiteti Ekzekutiv i partisë.
Në ndërkohë VMRO-DPMNE mbajti dy konferenca për media radhazi, e që të dyja kanë të bëjnë me ndryshimet kushtetuese dhe mënyrat se si pushteti nëpërmjet mekanizmave gjyqësore dëshiron ta ndryshojë kushtetutën. Sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev theksoi se pranimi i aktakuzës së rastit “Talir” nga ana e Gjykatës Penale është edhe një tjetër tentim që nëpërmjet gjyqësorit të arrihet deri te ndryshimi me forcë i kushtetutës së RM-së.
Ai theksoi se VMRO-DPMNE nuk do te pranoje ndryshim për emrin e as ndonjë gjë tjetër që shkon në dëm të qytetarëve, pasi siç theksoi ai, fati i asnjë individi nuk është më i rëndësishëm se fati i Maqedonisë. Ai shtoi se në 24 orët e fundit qeveria ka bërë presion ndaj deputetëve, ku ka ofruar para dhe premtime për liri atyre që janë përfshirë nëpër raste gjyqësore në këmbim të votave për ndryshimet kushtetuese. Ndërkaq zëdhënësi i partisë, Naum Stoillkovski bëri thirrje që të mos merren udhëzimet e Zaevit ndërsa theksoi se ka besim tek deputetët e VMRO-DPMNE-së.

Ajnur Bafqari /SHENJA/