` . Vlerat demokratike, arsimi dhe shoqëria - TV SHENJA

Vlerat demokratike, arsimi dhe shoqëria

Ali Pajaziti, J. Abdullai, N. Mita, L. Dragidella, Vlerat demokratike në arsim dhe aplikimi i tyre në shoqëri: Perceptimet e studentëve shqiptarë të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës, PHZ & ISPN, Tiranë, 2017, 106fq.

Shkruan: Ali PAJAZITI, Shkup

Edukimi për qytetari demokratike dhe edukimi për të drejtat e njeriut janë në ndërlidhje të ngushtë, janë conditiosine qua non i shoqërisë tolerante dhe të hapur të shekullit XXI. Arsimi është barrierë ndaj rritjes së dhunës, racizmit, ekstremizmit, ksenofobisë, diskriminimit, kriminalitetit etj. Edukimi për qytetari demokratike dhe për të drejtat e njeriut është një proces. Ai zgjat gjatë gjithë jetës. Zhvillimi i kohezionit shoqëror, i dialogut ndërkulturor dhe vlerësimi i diversitetit dhe i barazisë krijon shoqëri stabile. Ngritja e standardeve të qytetarisë do të thotë ngritje e nivelit të cilësisë së jetesës.

Në vendet ish-socialiste ose komuniste që nga fillimi viteve të ’90-ta janë duke ndodhur ndryshime të njëpasnjëshme, të cilat – sociologjikisht – janë shprehur e zbërthyer përmes sintagmës “tranzicioni shoqëror”. Procesi i tranzicionit paraqet ndryshim shoqëror, që në radhë të parë është i natyrës politike, por që në instancë të fundit prek çdo pore të shoqërisë.

Kur flasim për ndryshimet shoqërore dhe vendet e Europës Juglindore dhe më gjerë, ka mendime të shumta lidhur me zhvillimet që kanë pasuar pas rënies së “Perdes së Hekurt”. Disa shprehen se me rënien e monizmit është hapur mundësia për demokratizimin e shoqërisë, ndërsa disa të tjerë parashtrojnë pyetje në lidhje me sfidat që i ka prurë demokracia perëndimore lidhur me realitetin e ri të krijuar dhe gatishmërinë e këtyre shoqërive për të internalizuar (përbrendësuar) vlera tjetërfare, më evropiane, më perëndimore. Për të dyja palët çështje kryesore është individi dhe roli i tij në proceset demokratizuese. Një gjë është e pamohueshme: këto ndryshime shoqërore e delegjitimuan ideologjinë “e kuqe”, mendësinë moniste dhe i kontribuuan ndërtimit të një shoqërie tjetërfare, pluraliste, si dhe mundësuan zhvillimin e shoqërisë civile e të tregut të lirë.

Ky transformim radikal solli me vete edhe një problem të ri, atë të vlerave të reja përkundër atyre të vjetra: debatin lidhur me karakterin dhe ndërtimin e shoqërisë së re, të shoqërisë në ndërrimin e shekujve dhe mijëvjeçarëve. Në fakt, vlerat nuk duhet trajtuar si koncepte ideale, por si vegla fuqizuese (empowering tools), të cilat ndihmojnë në njohjen e sfidave të botës shoqërore bashkëkohore. Sipas Eduard Spranger-it,  ekzistojnë gjashtë lloje të vlerave: teorike, estetike, ekonomike, shoqërore, politike dhe religjioze. Pos tipologjizimit, me rëndësi kruciale janë edhe funksionet që kanë vlerat sociale: ato janë rrënjë e kulturës, janë ndërtues i personalitetit, burim i motivimit dhe sjelljes, identifikues i grupit, etnisë, fesë dhe institucionit, burim i kohezionit social dhe kulturor, burim i karakteristikave të shtresëzimit shoqëror, atribut i moralit, vetëbesimit, entuziazmit, bazë e filozofisë dhe ideologjisë, politike etj. (Škudrnová, 2012).

Platoni në Repubikën e tij thotë se shenja e personit të arsimuar është vullneti për shfrytëzim të dijes dhe shkathtësive për t’i zgjidhur problemet e shoqërisë. Arsimi si një institucion kyç duhet t’i pajisë nxënësit-studentët me një ndërgjegje shoqërore proaktive. “Arsimi i mirëfilltë i mësonin divitët të jetojnë në mënyrë kreative, përgjegjshëm, paqësisht, të jenë agjentët ndryshimit për një shoqëri më të mirë” (Gulati & Pant, 2010), të formohen si persona të plotë, krijon kushte për realizim të plotë të qenies njerëzore dhe për ndërtim të karakterit human. Do shënuar se arsyeja e vetme e arsimit veror (value education) nënkupton të mësuarit nxënësve/studentëve se çka është sjellje e mirë për ta dhe shoqërinë. Arsimi nuk ka të bëjë vetëm me avancimin e cilësisë dhe sasisë së dijes, por edhe me rrënjosjen e vlerave te nxënësit/studentët. Kjo në veçanti kur kemi parasysh degjenerimin e përhapur dhe shkeljen dhe shfytyrimin e vlerave ndër ne dhe më gjerë, pra krizën morale që mbizotëron gjithandej, krizën globale.

Arsimi vleror është përgjegjësi prindërore dhe publike, por institucionet arsimore duhet të marrim mbi supe përgjegjësinë kryesore për kultivimin e vlerave te popullata studentore. Përpjekja në këtë drejtim duhet të shihet si investim në ndërtimin e themelit për mësim të përjetshëm, promovim të ekselencës, të kohezionit shoqëror, të integrimit kombëtar dhe të unitetit global. Gulati dhe Pat këtë ndërmarrje e quajnë “pedagogji e vlerave” (pedagogy of values), kurse Asmal flet për dinjitetin njerëzor si mirëkuptim i ndërsjellë, si vlerësim i vlerave të dallimit njerëzor. (Asmal, 2001: 3)

Premisa e studimit “Vlerat demokratike në arsim  dhe aplikimi i tyre në shoqëri”, i realizuar në bashkëpunim me Shkollën e Lartë Pedagogjike të Cyrihut, ka qenë kjo: “Rritja e nivelit të njohjes mbi demokracinë dhe vlerat demokratike do ta rritë edhe respektimin e këtyre vlerave, të cilat janë shtylla të bashkëjetesës dhe tolerancës në mjedise multikulturore dhe multireligjioze.”

Në këtë projekt kërkimor, tanimë vepër e publikuar, përvojat tona janë ndërlidhur edhe me përvojat e  pjesëmarrësve nga diaspora, gjë e cila mund  të ndihmojë si në integrimin e tyre në shoqëritë amë në tranzicion, ashtu edhe të fëmijëve të tyre dhe grupeve të ndryshme sociale që mund të jenë të margjinalizuara. Përveç kësaj, trajnimet na kanë mundësuar të kuptuarit më të mirë të tjetrit, përfshirë këtu dallimet ekzistuese mes pjesëtarëve të shoqërive të ndryshme, ballkanike dhe të Europës së Parë. Projekti në fjalë ka synuar zhvillimin e të kuptuarit të demokracisë nga ana e studentëve, kontributin e tyre në ndërtimin e një shoqërie të hapur (Popper) dhe në formimin e një qytetarie demokratike, avancimin e edukimit ndërkulturor, avancimin e edukimit për barazi, për zhvillim të qëndrueshëm dhe për paqe. Një nga objektivat ka qenë edhe të dhënit e një harte të vlerave demokratike dhe të statusit të tyre në arsimin e lartë në kontekstin ballkanik, respektivisht në atë shqiptar (trekëndëshi Maqedoni, Shqipëri, Kosovë), evitimi i  mangësive dhe hapja e rrugëve për zbatimin e përvojave të mira nga kontekste të huaja, si ai zviceran.

Ky punim shkencor përbëhet nga pjesa teorike që flet për raportin vlerat-shoqëria, që shpjegon triadën tranzicioni, arsimi dhe demokracia dhe përmbyllet me hulumtimin empirik, gjegjësisht me gjetjet kuantitative dhe interpretimin e tyre. Në këtë studim është përdorur një sërë metodash si ajo deskriptive, analitike, e sintezës, komparative, metoda e vëzhgimit, fokus-grupi, vizita studimore, si dhe metoda kryesore, anketa. Në këtë hulumtim janë përfshirë gjithsej 449 studentë të universiteteve të tri vendeve (Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë), shifër kjo që ka kapacitete reprezentative lidhur me raportin perceptimet e popullatës studentore – vlerat. Studentët, që përbëjnë mostrën e këtij hulumtimi, vijnë nga universitetet shqiptare të këtyre vendeve, Universiteti i Tiranës, Universiteti “Hasan Prishtina”, Universiteti i Europës Juglindore dhe Universiteti i Tetovës. Instrumenti kërkimor (anketa) është përgatitur nga mësimdhënësit e universiteteve të sipërpërmendura, më pas  është shpërndarë dhe është realizuar në korrik-gusht 2016. Të dhënat kuantitative dhe interpretimet janë të kufizuara me kohën kur është realizuar ky punim (2016), me kampionin e përbërë nga studentët të vitit të parë dhe të dytë të katër universiteteve shqiptare, andaj nuk mund të jepen vlerësime përgjithësuese.

Nga hulumtimi i realizuar është konstatuar se si vlerë më frekuente dhe më e kërkuar nga rinia universitare është barazia.

¼ e studentëve (24.3%) janë të mendimit se në shoqëritë e tyre nuk respektohet jeta e njeriut dhe të drejtat e njeriut (27.4%).

Sundimi i së drejtës, demokracia, llogaridhënia/transparenca nuk respektohen në mjediset universitare.

Të rinjtë shqiptarë theks të veçantë vënë mbi sjelljen e mirë ose bontonin: 93.3 % kanë thënë se edukata e mirë është karakteristikë që duhet t’u mësohet fëmijëve në shtëpi.

Më tepër se gjysma e studentëve shqiptarë (54.1%) e shohin fenë si vlerë shumë të rëndësishme shoqërore.

Si formë më e shfaqur e diskriminimit është ajo e statusit ekonomik, më pas ajo e vendbanimit, e pamjes së jashtme dhe e fesë.

Parimi i meritokracisë ose i vlerësimit objektiv në bazë të performancave, që studentët shfaqin duhet të avancohen më tepër universitetet shqiptare.

Institucionet shqiptare të arsimit të lartë duhet t’i japin më tepër hapësirë fjalës së lirë: vetëm gjysma e studentëve kanë thënë se fjala e lirë respektohet në universitet.

Vetëm rreth 1/3 e studentëve pohojnë se kriticizmi është frymë mbizotëruese në komunikimin akademik.

Studentët kanë vërejtje lidhur me dallimin mes asaj që profesorët flasin dhe asaj që ata bëjnë, pra shohin mospërputhje mes fjalëve dhe veprimeve të tyre.

Faktorët e politikave arsimore në spektrin shqiptar nuk janë impuls për promovimin e vlerave demokratike, ndërsa politikat destruktive në arsim kanë ndikuar në mënyrë deprimuese të rinia universitare.

Dallime në perceptime janë shënuar mes studentëve të tri universiteteve publike dhe atij privat, që përbëjnë kampionin e këtij hulumtimi.

Si universitete me probleme më të mëdha etike lidhur me korrupsionin, nepotizmin dhe klientelizmin janë radhitur ai i Tetovës (49.4%), i Prishtinës (42%), i Tiranës (26.9%) dhe më së paku ai i UEJL-së (23.9 %).

Në bazë të gjetjeve sugjerojmë ndryshime cilësore në kurrikulat universitare në bazë të trendeve globale, instalim të një fryme të re kreative, më liberale, të mësimit interaktiv, krijim të universiteteve të brezit të tretë, avancim të kuadrove të reja, të profileve me njohuri, shkathtësi të kohës. Rekomandojmë mobilizim gjithëshoqëror për t’i luftuar antivlerat në akademi, në veçanti gangrenën sociale të quajtur korrupsion. Sepse, akademia-universiteti është një nga shtyllat kryesore të shoqërisë, institucion për transformimin e shoqërisë, për ndërtimin një shoqërie të mirëqenies, të hapur, racionale dhe demokratike. Vetë studentët, gjatë takimit të Tetovës (maj 2016) , kanë rekomanduar zbatimin efektiv të ligjit, përmirësimin e infrastrukturës universitare, transparencë në përzgjedhjen e pedagogëve, fushata ndërgjegjësimi mbi vlerat, mbi moralin-etikën, fushata për përmirësimin e trajtimit dhe statusit të personave me nevoja të veçanta, avancim të grupeve të margjinalizuara, projekte bilaterale të bashkëpunimit, shfrytëzimin e programeve akademike ndërkombëtare etj.

Postime të Ngjajshme