` . Vjen nga jashtë – TV-SHENJA

Vjen nga jashtë

Vlerat qenësore nuk lidhen me materien ose kushtet materiale. As me të qenurit në tjetër meridian. Vlerat qenësore burojnë prej tradicionalizmit, për të cilin substanciale mbetet shqetësimi për pozitën, statusin e njeriut si qenie

Shkruan: Nuredin NAZARKO, Korçë

Vlerat qenësore nuk janë pronë ekskluzive e kurrkujt. Universaliteti tyre është i kthjellët. Janë të hapura për të kapërcyer ndasitë. Elementët që përzgjidhen për të fryrë ndasitë shpesh janë artifica. Përdoruesit e tyre kërkojnë të nxjerrin përfitime meskine në dëm të vlerave universale.

Artificat përdorohen përtej ushqimit të ndasive. Janë në shërbim të një gjendje edhe më të vështirë se vetë ndasitë. Ndasitë edhe zbuten. Edhe kapërcehen. Gjendja përtej është e vështirë për t’u kuruar. Prezenca, në periudha të gjata kohore, lë pasoja të pariparueshme. Kjo është të qenurit në gjendjen e kompleksit të inferioritetit.

Të qenurit në këtë gjendje nuk është ndjesi aspak e mirë. Trysnia që ushtrohet është therëse. Qenia mbi të cilën aplikohet lëngon. Lëngata krijon mbivendosje vragash. Mbushja me vraga të sjell përballë çastit të pandjeshmërisë së trysnisë. Nëse ndodh kështu, gjendja e kompleksit të inferioritetit është rrënjëzuar dhe pritet të japë fryte.

Pse nevojiten vuajtësit e pandjeshëm nga kjo gjendje? Janë tokë pjellore për ushqimin e artificave. Janë argatëtë atyre që qëndrojnë mbi kokën e pjesës tjetër, duke valëvitur superioritetin artific. I shërbejnë urtë e butë gjendjes hipokrite të “superiorëve” të kolonisë. Ndihen rehat në pozicionin e të nëpërkëmburit. Frikësohen të shkëputen nga pema kompleksive, sepse ndihen të paaftë për të marrë skeptrin e të jetuarit përgjegjshëm.

Vjen nga jashtë! Një nga artificat më të shumëpërdorura. E vjetër, por bashkëkohore. Tingëllon bukur për të kompleksuarit. Prandaj dhe përdoret rëndom. E dëgjon kudo. Jehona e timbrit të predikuesve shkon larg. Përplaset furishëm në daullet e vuajtësve të pandjeshëm. Tingulli që del prej aty shpërhapet ndërmjet sinapseve. Vuajtësit e pandjeshëm nanuriten duke parë imazhe “madhështore” të asaj që vjen nga jashtë.

Vjen nga jashtë! Këtu bashkohen ata që nuk i përkasin meridianit ku gjendemi dhe ata që pasi formohen në një tjetër meridian kthehen sërish. Tashmë me tjetër status. Tjetër pamje. Stil. Mënyrë të jetuari. Ndryshimi që ekspozojnë e forcon superioritetin artific. Vuajtësit e pandjeshëm e shohin më kërshëri. Ndihen shumë tëgëzuar nga gjendja e të ardhurve nga jashtë. Hedhin sytë nga zhelet e tyre dhe thonë sa zotërinj finë e zonja fine këta që vijnë nga jashtë. Përgatitin veten për të parë mbi krye “shpëtimtarin”.

Dhe, ky një nga ne ishte. Iku jashtë. Shih metamorfozën. Është bërë njeri. Sa me kulturë që flet! Të mrekullon! Ke qejf ta dëgjosh. Për t’u pirë në kupë qenka bërë. Për t’u pasur zili. Nuk ke ç’t’i shtosh. E meriton të jetë në krye. Ka bërë shkollë jashtë. Ka “shkëlqyer” atje ku ka qenë.

Kësisoj përgatitim terrene ku hidhen sporet e kërpudhaxhinjve të ardhshëm, të cilët duan të përmbledhin nën hijen e ombrellës së micelit të zaptuar nga krimbat vuajtësit e pandjeshëm.

Është injektuar thellë në qelizë të ndjerit inferior. Kjo ka dërrmuar aftësitë e shumë qenieve, që në një tjetër realitet mund të kishin qenë dinamikë. Ushqehet nga disbalanca financiare. Nga disbalanca e kartonit të diplomës. Nga disbalanca e meridianit ku janë shkolluar këta, këta që vijnë nga jashtë dhe e përdorin këtë shkollim si njësinë substanciale të “superioritetit” të tyre.

Ky është ngërçi që duhet shkërmoqur. Përderisa vuajtësit e pandjeshëm janë të magjepsur me atë që vjen nga jashtë, pasi sjellin nëpër mend fuqinë materiale të jashtë shtetit, është tmerrësisht e vështirë t’i bindësh për të kundërtën.

Vlerat qenësore nuk lidhen me materien ose kushtet materiale. As me të qenurit në tjetër meridian. Vlerat qenësore burojnë prej tradicionalizmit, për të cilin substanciale mbetet shqetësimi për pozitën, statusin e njeriut si qenie.

Koha fizike dhe hapësira ku jeton janë elementë të paevitueshëm në jetën e njeriut, por jo substancialë për të përthithur vlerat, parimet që të lartësojnë si qenie. Të mjafton një zemër e pastër dhe dashuri e ethshme për vlerat dhe para teje do të shtrihet horizonti i pamatë, ku lirshëm mund të fluturosh lartësive. Ky është horizonti ku nuk ka meridianë, ku nuk ka të ardhur nga jashtë që kërkojnë dominim me bazë kartoni.

Vjen nga jashtë! Kjo nuk të bën automatikisht më njerëzorin. Më meritorin. Më inteligjentin. Mirësia nuk ka nevojë për qëndisje me fillin “vjen nga jashtë”. Mund të vish nga jashtë dhe të jesh më i poshtër nga ç’ke ikur. Mund të vish nga jashtë dhe të jesh më i mirë nga ç’ke ikur. Mundësitë janë të hapura. Por, që të tregosh nëse je ngjitur më pranë hershmërisë primitive në aspektin e vlerave atje jashtë, duhet ta dëshmosh. Nuk duhet të kapesh pas degëve të thata të pemës, as pas degëve të holla.

Edhe në vijën e meridianit ku gjendemi kemi potenciale. Në mos herët, vonë do të dalin në dritë. Do ta dëshmojnë vlerën që i jep njeriut tradicionalja. Do të tregojnë qartë se edhe pse nuk janë të llojit “vjen nga jashtë”, qëndrojnë në lartësi shqiponjash.

Dhe, nuk ka rëndësi themelore nëse grigja e vuajtësve të pandjeshëm nuk të vlerëson meqenëse nuk vjen nga jashtë. Vlerat dhe parimet përthithen e dëshmohen me mënyrën e të jetuarit, sepse kështu i shkon për shtat statusit qenie njerëzore. E kundërta mbetet pa kuptim.

Për t’u ngjitur lartësive, nuk kemi pse presim të kapardisurit me “vjen nga jashtë”. Ripërtëritja e vlerave të tradicionalizmitështë përgjegjësi personale e gjithsecilit. Nuk është misioni ynë çlirimi botës. Çlirim i qenies sonë, po.