` . Vizita e Ahmetit në Athinë shpërfaq izolimin e tij – TV-SHENJA

Vizita e Ahmetit në Athinë shpërfaq izolimin e tij

Është thjesht një manipulim i radhës nga Ali Ahmeti, i cili tani ndjen pasojat e izolimit në të cilin ndodhet në mënyrë evidente, është izoluar si nga Tirana, është izoluar nga Prishtina në Sofje, gjithnjë e më shumë shikohet me dyshim për natyrën e tij. Partnerët nga BE-ja dhe SHBA-të, gjithnjë e më shumë e konsiderojnë atë si dëshmitar të pakëndshëm për gabimet e tyre, dhe gjithsesi vazhdimi i hapjes së dosjeve për korrupsion, krim dhe kriminalitete në BDI, nuk janë argumente të cilat e forcojnë pozitën e tij apo hapin dyert nëpër qendrat e vendosjes perëndimore. Kështu e vlerëson ish-diplomati, Arsim Zekolli, vizitën e Ahmetit dhe të zëvendës kryeministrave, Musa Xhaferi e Fatmir Besimi në Greqi, vizitë kjo që nga ana e ministrisë së punëve të jashtme të Maqedonisë është cilësuar si vizitë partiake.

“Në këtë moment mund të nxirret konkluza se nga deklaratat e ministrit Popovski, I cili trajton grekët si kushëri, dhe nga kjo natyrë klandestine e fshehtë e BDI-së, të vizitës së saj e cila refuzon të sqarojë nëse është me ftesë të Athinës zyrtare, apo me iniciativë të BDI-së, sqaron se është një vazhdimësi I këtij mentaliteti klandestin, tinëzar, të fshehtë të Ahmetit, që lë mjaft vend për dyshime se çka në të vërtetë fshihet në prapavijë të vizitës së tillë”, tha ish-diplomati Arsim Zekolli.

Zekolli, këtë takim e cilësoi si një hap paniku nga ana e BDI-së, dhe jo si një politikë largpamëse apo produktive e saj.

“Ashtu si z. Ahmeti këmbëngulte që të favorizon lidhjet me Turqinë, në kurriz të raporteve me Kosovën dhe Shqipërinë, Tani po të njejtën mundohet që ta bën në vijë me Greqinë, Përmes së cilës mundohet që të zbusë, apo të ndal hovin e ndikimit në shtrirje e tutje të Turqisë në Maqedoni. Natyrisht kjo ka të bëjë edhe me paraqitjen  e disa subjekteve vendore,të cilat mund të ndikojnë edhe në disbalanc të skenës politike në Maqedoni, apo të themi konkretisht cenim të stabilitetit dhe dominancës së BDI-së dhe VMRO-së”, thekson Zekolli.

Ai shtoi se, Ali Ahmeti me këto vizita mundohet ta fsheh të vërtetën e dhimbshme, se partnerët e tij të vetëm në rajon janë Beogradi dhe Athina. Ndërkaq, ai shtoi se nuk është aspak e arsyeshme që Athina të vrapojë apo plotësojë dëshirat e Gruevskit dhe Ahmetit, dhe ta zgjedh kontestin me emrin në koment ku Maqedonia është në vështirësi dhe Greqia gjithnjë e më shumë është duke e faktorizuar veten  dhe duke i rikthyer pozitat e dëmtuara gjatë krizës së saj.

Ajnur Bafqari /SHENJA/