` . Viti 2018, vit i izolimit për Kosovën – TV-SHENJA

Viti 2018, vit i izolimit për Kosovën

Shkruan: Agim POPOCI, Mitrovicë

Sot shumë analiza të çojnë në përkufizimin e vitit 2017 si vit i humbur kot, por jo. Ai është një vit i turpit. Ai është një vit, që, sikur të kishte një ligj të mirëfilltë të një shteti në tranzicion, deputetët e Kosovës së bashku me qeverinë, duhet t’i kthenin rrogat mbrapsht, jo vetëm për dështimet e shkaktuara, por edhe për arritjet nëse mund të quhen arritje: marrëveshja me banorët e Shipitullës, ligji për kryeqytetin dhe sistemi përfundimtar social i ushtarëve të UÇK-së.

Por, korrja e punëve të vitit 2017 do të jetë shumë më e frikshme se vetë viti 2017, që lejoi shpërdorimin e demokracisë, duke larguar një Qeveri me argumentin e dështimit të demarkacionit me Malin e Zi dhe duke mos përfillur rezultatin e zgjedhjeve të zhvilluara në qershorin e vitit 2017, duke e lënë partinë më të madhe fituese, Lëvizjen “Vetëvendosje”, në opozitë.

Ky vit i turpit jo vetëm që zhvleftësoi shumë objektiva kombëtare, që synonin, madje, edhe integrimin e Veriut dhe formimin e Ushtrisë së Kosovës, por ai i reduktoi edhe kërkesat e qytetarëve të Kosovës si evropianë që janë, që të lëvizin nëpër Evropë, duke harruar 25 për qind të territorit të Kosovës dhe duke e përqendruar si nëshkarkimin e qeverisë, ashtu edhe zgjedhjen e qeverisë së re, në përcaktimin e kufirit me Malin e Zi ose, më saktë, përcaktimin e kufirit me NATO-n. Nëntë muaj u bënë 200 ditë dhe përcaktimi i kufirit, si dhe lëvizja e lirë, ndonëse u premtua për muajin mars 2018, sërish nuk është asgjë më shumë se një gënjeshtër. Sikur qeveria aktuale të bëjë edhe  çudinë dhe ta bëjë mashtrimin e Bulliqëve me shokë realitet, deri në muajin mars 2018, ose edhe ta ratifikojë marrëveshjen ekzistuese, Këshilli i BE-së vetëm mund të rekomandojë ose të vendosë, dhe jetësimi i liberalizimit duhet ta presë samitin e dhjetorit të vitit 2018 për fillimin e këtij procesi. Këtë nuk ka nevojë ta thotë asnjë kryeministër i asnjë qeverie. Këtë e kanë dëshmuar proceset për këtë çështje të të gjitha shteteve të Ballkanit, që filluan në vitin 2003 në Selanik. Dhe, jo vetëm kaq!

Për fat të keq, koalicioni qeverisës, që e shkatërroi Kosovën, ka menduar edhe për korrjen që do të pasojë nga ky vit i turpit. Sikur edhe të ndodhë çudia dhe të rizgjohet ky popull për ta ndëshkuar këtë klasë politike, që e mashtroi dhe po e vjedhë çdo vit e më shumë, përveç goditjes së buxhetit të Kosovës edhe me një palë zgjedhje, dhe izolimit të pashmangshëm, ajo ka filluar përgatitjet për këtë skenar që vetëm për ta nuk është i papritur, duke filluar përçarjen e Lëvizjes “Vetëvendosje”! Tashmë asgjë nuk quhet rastësi. Pse?!

Izolimi i Kosovës

“Mos e përçmoni dhuratën që po ua jep Bashkimi Evropian. Më lejoni të premtoj se do të vazhdojmë që ta bëjmë Kosovën më të mirë. Nga ana ime ky është një përkushtim”. Premtimi dhe përkushtimi i Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri pranë BE-së, Federica Mogherini, i dhënë para deputetëve të Kosovës, vetëm një ditë pasi KE-ja kishte vendosur të rekomandojë liberalizimin e vizave për Kosovën në fillimmajin e vitit 2017 dhe para datës kur kosovarët do të mund të hynin pa viza në BE, kërkohej që të shoqërohej me vazhdimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe ratifikimin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk është se shënoi ndonjë rezultat mbresëlënës, ashtu si edhe demarkacioni me Malin e Zi, por jo të gjithë e përçmuan “dhuratën e BE-së”. Derisa Lidhja Demokratike e Kosovës dështoi në qeverisje me PDK-në dhe nuk arriti ta gjejë formulën e zgjidhjes së çështjes së demarkacionit, kjo nuk mund të thuhet për AAK-në e Ramush Haradinajt. Kjo e fundit nuk e përçmoi këtë dhuratë dhe e përdori atë për të ardhur në pushtet, edhe pse nuk e zgjidhi siç e kishte premtuar për 90 ditë, Nuk do ta zgjidhë as siç e premtoi në ditët e fundit të 100-ditëshit të qeverisjes deri në muajin mars të vitit 2018 dhe për këtë vetëm Ramushi me partinë e tij nuk mund të fajësohet.

Nëse për një proces i cili me vendim të Këshillit të BE-së për liberalizimin e vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor ka filluar në vitin 2003 në Selanik dhe në vitin 2017 vjen një parti e papërfillshme në skenën politike të Kosovës, premton pa lidhje dhe merr pushtetin para hundës së një klase politike të tërë, dhe asaj që demek quhet elitë politike, ky nuk është faji i AAK-së.

Mirë që e mori pushtetin, kaluan 90 ditë dhe nuk u realizua asgjë nga e premtuara, por si nuk pyeti njeri se ku po shkon Kosova?! Sikur Kosova të ishte shtet i Paktit të Varshavës, kjo ngatërresë e krijuar ndoshta edhe do të mirëkuptohej. Dhe, përveç ngatërresës dhe luftës për pushtet, jashtë çdo imagjinate të një njeriu normal, nuk është e qartë se si u lejua që një shtet i tërë të futet në izolim vetëm për teket e një gjeografi ose historiani që dëgjon këngë me lahuta malazeze, që Mbretërinë e shtrinin nga Çakorri në Sinje More (lexo shqip: Deti Adriatik).

Përveç lahutës malazeze, askush nuk i dëgjoj argumentet juridike edhe pse kjo qeveri nuk i njeh marrëveshjet e firmosura nga qeveria paraardhëse ashtu si edhe pasojat; të mos flasim pastaj për mungesën e profesionalizmit në njohjen e mekanizmave ekzistuese për t’i luftuar këto pasoja.

Mirë, Parlamenti i Kosovës nuk e ratifikoj dhe nuk e ratifikon marrëveshjen e firmosur nga qeveritë e Kosovë dhe Malit të Zi, edhe pse Parlamenti i Malit të Zi e ka ratifikuar. E pastaj?! Sot pyetje nuk lejohen të bëjnë Bulliqët me shokë, që na lanë në izolim, por një kokë normale: Në rregull, Bulliqi dhe Ramushi nuk e pranojnë kufirin, por sot thotë Mali i Zi, përkatësisht Aleanca Veriatlantike NATO-s, se kufirin e ka në Çakorr. Çfarë do të bëjë Bulliqi me shokë dhe me lahutën e tyre? Do ta spostojnë kufirin pa fakte, por me lahuta apo do t’i propozojnë Qeverisë Haradinaj me lahutë në dorë, që t’i shpallin luftë NATO-s?! Apo, meqë dështimi i tyre tashmë ka filluar të bëhet evident, filluan përgatitjet për zbatimin e Planit B: nëse ndodhë çudia dhe rizgjohet ky popull, për ta ndëshkuar këtë klasë politike që e mashtroi dhe po e vjedhë çdo vit e më shumë. Pas goditjes së buxhetit të Kosovës edhe me një palë zgjedhje që lamë pas dhe izolimit të pashmangshëm që e kemi përpara, koalicioni qeverisës filloi përçarjen e Lëvizjes “Vetëvendosje”, ajo që tashmë realisht po vjen në pushtet.

Drita e fikur në fund të tunelit

Dështimi i koalicionit qeverisësi cili ia kishte bërë vetes qëllim në vete integrimin e Mitrovicës dhe Veriut të Kosovës në janarin e vitit 2017 dhe liberalizimin e vizave me BE-së, kishte një dritë në fund të tunelit të së ardhmes së Kosovës. Kësaj drite në zgjedhjet e qershorit 2017 i besuan më së shumti kosovarët dhe ishte Lëvizja “Vetëvendosje”, por kjo nuk u përfill nga liderët politikë të cilët “kavjeve kosovare” u ofruan nga laboratori i tyre edhe një qeveri pa shumicë parlamentare dhe në dorë të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në këtë situatë, edhe qeveria e re me në krye Ramush Haradinajn, jo vetëm që nuk e përmendi Veriun, por as Urën e Ibrit që e lidh me këtë pjesë të vendit, prej nga kanë filluar të largohen edhe sorrat, nga mungesa e bereqetit! Ato që mund të quhen arritje, marrëveshja me banorët e Shipitullës, ligji për kryeqytetin dhe sistemi përfundimtar social i ushtarëve të UÇK-së, u pa se nuk ishin asgjë tjetër, pos bllokim për pazare politike dhe me këta njerëz në pushtet kaluan pa kurrfarë problemi; ndërkaq Demarkacioni, siç u nis, edhe u bitis: me dështim dhe izolim, duke e vulosur edhe izolimin për vitin 2018!

Por, krerët e këtij laboratori politik nuk qëndruan duarkryq. Ata morën edhe masa në rast se “kavjet kosovare” u dalin nga dora ose nëse e humbin durimin nën këtë izolim. Edhe për cenimin e këtij koalicioni qeverisës, si dritë në fund të tunelit, u mendua nga liderët aktualë qeverisës. Si të fiket kjo dritë?!

Lëvizja “Vetëvendosje”, si i vetmi subjekt politik që për momentin nuk i ka ndotur duart me paratë e popullit të Kosovës, normalisht që pritet të jetë edhe fituesi absolut në zgjedhje. Drejt kësaj “pike të vlimit” Vetëvendosje mori goditjen e parë, e cila i tronditi jo pak themelet e saj. Për çudi, rruga ishte shumë e shkurtër ose uji kishte filluar të futet në qeverinë e Kosovës dhe paniku për përmbytje e kishte mundur edhe arsyen. Asgjë nuk shkoi nga baza, nuk u ankua njeri, por u thye në dysh koka e partisë, kryesia. Dhe, momenti ishte shumë i trishtë për Lëvizjen “Vetëvendosje” – arrestimet politike kishin marrë dhenë, ndërsa në burg ishte edhe ideatori i kësaj partie, Albin Kurti. Për të sharë dhe akuzuar partinë kishin rastin të gjithë, i madh e i vogël, luftëtarë dhe tradhtarë, heronj dhe spiunë, kundër “kësaj të keqe të madhe” që na e paska Kosova.

Për çudi, gjithçka ishte në dispozicion: infrastruktura propagandistike kurrë nuk kishte funksionuar me kaq efiçencë as kundër barbarisë serbe, duke bërë që Lëvizjen “Vetëvendosje” ta fus në allçi deri në fund dhe me të dy patericat.

Pra, drita në fund të tunelit është fikur. Vjen edhe pranvera, thahet allçia e me të nuk duhen as patericat dhe Lëvizja “Vetëvendosje”, nëse nuk e kryen një terapi të mirë fizikale, atëherë është ajo që mund ta ndezë ose ta lë përfundimisht të fikur vetë këtë dritë.

Ndryshe, kjo qeveri është e krijuar për të dështuar dhe izolimi mund të prodhojë gjithçka, qoftë edhe një qeveri që nuk e ka menduar asnjëri në këtë vend të stërvuajtur. Sidoqoftë, një gjë duhet të ndodhë me cilëndo qeveri të radhës, kjo për shkak të së ardhmes së qartë të Kosovës: Hapi i parë duhet të jetë arrestimi pa kushte i Bulliqëve me shokë, pse e mashtruan popullin dhe i shkaktuan dëm buxhetit të shtetit me një palë zgjedhje kot! Kjo është qershia mbi tortë, që do t’i vihet tortës së izolimit, në të cilën do të përfshihet Kosova në vitin 2018, e së cilës, do Zoti, i fiken qirinjtë sa më shpejt.