` . Viti 2018 filloi në fund të dhjetorit! – TV-SHENJA

Viti 2018 filloi në fund të dhjetorit!

Shkruan: Daut DAUTI, Shkup

Kolegët nga “Shenja” m’i dhanë paraprakisht kornizat e temës: të shkruaj çfarë do të jetë viti politik 2018. Kështu disi. Domethënë, çfarë mund të pritet pas 1 janarit dhe gjithë vitin. Por, ja që viti 2018 filloi më 22 dhjetor! Kur të dalë ky tekst në shitje bashkë me “Shenjën”, shumëkush mund të ketë harruar se përse është i rëndësishëm 22 dhjetori. Kalendarisht, është fillimi zyrtar i stinës së dimrit, por në plan tjetër më 22 dhjetor nisi të ngrihet perdja e dy akteve (paralele) të radhës në skenën politike, një në mes të Shkupit, dhe një në Vallandovë.

Në Shkup kryeministri Zoran Zaev paralajmëroi qeveri pa Zijadin Selën ose, të paktën, pa ministër të Shëndetësisë nga partia e tij. Në Vallandovë nisi rrugëtimin e ri VMRO-DPMNE-ja pa Gruevskin.

Simbolikë për një të ardhme përtej 2018-tës: Zaevi fortifikohet edhe më shumë në Shtëpinë e Bardhë, që ia la trashëgim VMRO-ja, kurse në Vallandovë, pra larg Shkupit, vazhdon “periferizimi” i mëtejmë i partisë që deri dje dukej e pamposhtur nga askush..?

Si do të reflektohen këto dy procese për vendin, duke ditur se viti 2018 për shumëçka duhet të shënojë kthesa me rëndësi jetike? A do të jetë e mjaftueshme gatishmëria e Qeverisë për t’i realizuar premtimet në disa plane, nëse nuk e ka prapa opozitën? Por, mund t’u dalë përballë si një qeveri me shumicë minimale të gjitha problemeve nëse ajo do të ketë gjithnjë rrezikun e humbjes së shumicës?

Qeveria e fortë jostabile!

Një kala është vështirë ta pushtosh nga jashtë nëse ajo nuk lëkundet nga brenda! Kjo teori ushtarake e sprovuar sa herë në histori, mund të jetë pjesë edhe e historisë së Qeverisë së Zoran Zaevit, së cilës përveç gatishmërisë dhe aftësive për t’u përballur me sfidat, do t’i nevojitet shumëçka nga strategjitë e njohura e të panjohura ushtarake. Prej saj qytetarët presin shumë në përmirësimin e kushteve të jetës (premtim parazgjedhor), ndërsa bashkësia ndërkombëtare pret gjëra konkrete në zbatimin e reformave dhe tejkalimit të problemeve me fqinjët (me Bullgarinë u bë hap konkret, por për emrin duhet të shihet ç’mund të bëhet). Opozita, kuptohet, dëshiron që t’i shohë dështimet që të mund të kthehet prapë në pushtet. Një strategji tjetër, sidomos në politikë, por që shpesh aktorët politikë e harrojnë, është që në veprimin tënd të zgjidhësh problemet, por duke mos shkaktuar të reja…

“Qeveria e reformave”, pas zgjedhjeve lokale, u lëkund nga brenda. Si në romanin e Kadaresë “Piramida” ose te “Kështjella”. Lëviz një gur dhe lëviz gjithë konstruksioni harmonik i ndërtuar me precizitetin më të madh nga arkitektët. Ky “gur”, në rastin e Qeverisë, duket se doli të jetë Arben Taravari, ministri i Shëndetësisë, i cili e braktisi funksionin për ta zhvilluar betejën për “çlirimin” e Gostivarit, gjë që dukej në fillim si filmi i Tom Kruzit “Mission impossible” (mision i pamundur), por që i befasoi të gjithë skeptikët me fitoren. Madje, për fatin e tij qysh para përfundimit të zgjedhjeve, ishte kujdesur edhe vetë kryeministri Zaev, kur premtoi se nëse humbë për kryetar Komune në Gostivar, do ta kthejë prapë ministër të Shëndetësisë. Taravari ia arriti qëllimit, shpëtoi nga problemet e shumta dhe nga premtimet joreale të Qeverisë (heqja e participimit…) dhe hyri në grackën e menaxhimit të një komune në situatë kur nuk ka shumicë këshilltarësh në “parlamentin” komunal…

Një Qeveri e “arnuar” me “stof” minimal (me 62 deputetë) në gjysmën e parë të këtij viti, vetëm pas gjashtë muajsh vihet në sprovën e parë më serioze, që e kalon me një nonsharlancë të çuditshme! Një Qeveri e cila kishte nevojë për çdo deputet, që do t’i bashkëngjitej për të bërë shumicë sa më stabile, përnjëherë e ndjen luksin të bëjë lojë me Aleancën për Shqiptarët, e cila ia siguroi shumicën kur ishte më se e nevojshme! Nëse e analizojmë vetëm nga një anë, ka gjasa të futemi në grackë, sepse për situatën e re të krijuar, duke lënë anësh “lëvizjen” e gabuar në fushën e shahut politik nga ana e kryeministrit, mbetet që atë ta shohim “në pako” me zgjedhjet lokale, kur për hir të interesave partiake, u bënë lëvizje taktike që e prishën kohezionin e fillimit të koalicionit LSDM-BDI-ASH. Ato lëvizje sollën përplasje të Aleancës për Shqiptarët me BDI-në (në BDI nuk ia falin Zijadin Selës fjalorin e vrazhdë dhe akuzat e rënda), kurse në anën tjetër, për të njëjtat arsye, një deputet i koalicionit të zgjedhjeve parlamentare iku, që dobësoi pozitën që e kishte Aleanca më parë. Në këtë mënyrë, ikja e Taravarit nga Ministria e Shëndetësisë, me konstelacionin e ri, ndikoi që të merren hapa të papritura nga Zaevi (sigurisht me ndikim të BDI-së) drejt defaktorizimit të Aleancës. Kësisoj Aleanca u gjet në situatë që të pranojë këso goditjesh “të ulëta” të Zaevit, pa pasur forcë për t’iu kundërvënë përveç me akrobacione verbale.

Marrë në tërësi, të dyja palët kanë shumëçka për të rishqyrtuar, sepse nuk ndërtohen marrëdhëniet nga situata në situatë, me një princip kur të duhet dikush dhe me tjetër kur nuk të duhet ose të shash dikë e pastaj të bësh koalicion… Politika i ka këto akrobacione, por çështja është si do të funksiononte kjo qeveri e sedrave të lënduara. Sigurisht që interesat utilitare dhe frika se mos vendin  e saj e zë PDSH-ja (që “pret pas dere”!), e detyruan Selën që të taktizojë deri në momentin e fundit, për të mos humbur privilegjet që ka si parti, por edhe heqje dorë nga meritat për realizimin e politikave për të cilat ka ecuri pozitive (rigjykimi për rastin “Monstra”, përparimi i përdorimit të gjuhës, gjasat për integrimet euroatlantike…). Mirëpo, të hënën (më 25 dhjetor), kur Venko Filipçe i LSDM-së u zgjodh për t’u ulur në stolin e zbrazët të Ministrisë së Shëndetësisë, Zijadin Sela paralajmëroi daljen nga Qeveria në momentin kur do të votohet Ligji për përdorimin e gjuhës shqipe, duke lëshuar një rrebesh akuzash ndaj Zoran Zaevit. Kësisoj përfundon një sagë uniteti qeveritar, me një kapixhik të hapur për ndonjë subjekt tjetër…

Shtegtimi i VMRO-së për “kthim në ardhmëri”

Nuk ka dilemë se dita kur nuk arriti koalicion me BDI-në, duke e çuar në opozitë, për VMRO-DPMNE-në ka qenë ditë e zezë dhe rrëshqitje drejt humnerës. Madje, përtej parashikimeve të pesimistëve më të mëdhenj! “Çlirimi” i Maqedonisë nga partia që nisi të pretendojë të jetë parti-shtet është njëri proces, kurse tjetri është hovi që mori degradimi i vetë VMRO-së në zgjedhjet lokale, të vetmet që i humbi Nikolla Gruevski për 14 vjetët e liderizmit të tij absolut, por të kobshme edhe për karrierën e tij politike. Më 22 dhjetor nisi kongresi në Vallandovë dhe përfundoi më 23 dhjetor me liderin e rij, Hristijan Mickovski, për të hapur kështu kutinë e enigmave me shumë të panjohura.

Një VMRO me Gruevskin dhe një VMRO pa të në krye nuk janë krejtësisht një. Mirëpo, tërheqja përfundimtare e Gruevskit, pas një humbje të vetme (por, me shumë afera korruptive), është sikur të jetë hapur “kutia e Pandorës”, pasi në vend se të reflektojë me ndonjë unitet dhe gatishmëri për të ecur para, atë e përfshiu vala e pakënaqësive dhe ambicieve të trashëgimtarëve të Gruevskit, që nuk kaloi pa përçarje, diçka që në kohën e Gruevskit ishte fenomen i panjohur. Gjithë opinioni me kureshtje e përcillte garën për lider, por në fund u dëshpërua kur nuk pa garë të vërtetë, pasi të gjithë u tërhoqën përveç sekretarit të deritashëm, Mickovskit, për të cilin ranë akuza se gëzon përkrahje nga “udhëheqësia” (Gruevski…) dhe se garën e bën të pakuptimtë. Kongresi duhej të ishte nismë për konsolidim dhe reformim, po pikërisht këto dy çështje janë me pikëpyetje: lideri në ikje u soll sipas asaj popullores “pas meje, kiamet”, duke lënë fitilin e ndezur të përçarjes kur tha se shumë aktivistë ishin gëzuar për humbjen në zgjedhje, gjë që kjo i lë trashëgimtarit të tij një amanet për t’u marrë me përçarësit e këtillë. Dhe, e dyta, a mund të reformohet një parti, duke pasur parasysh se trashëgimtarin e tij shumëkush e sheh si një vazhdues të politikave të Gruevskit (“edhe pas Titos, Tito”).

Mirëpo, çështja nuk do duket aq e thjeshtë. Sepse, imperativet e VMRO-së për t’u kthyer në skenën politike si faktor i rëndësishëm janë pikërisht rishqyrtimi i politikave të gabuara. Duket paradoksale që këto rishqyrtime të bëhen përmes një favoriti të Gruevskit, por çdo supozim i parakohshëm mund të jetë i gabuar. Edhe Gruevski ishte “i zgjedhuri i Georgievskit”, por hapi parë i tij pasi u bë kryetar i VMRO-së ishte spastrimi pikërisht i njerëzve më të besueshëm të Georgievskit, duke sjellë një plejadë politikanësh të rinj me të cilët arriti ta përforcojë jo vetëm pushtetin partiak, por dhe pushtetin absolut në shtet. Hristijan Mickovski, kadroviku më pak i pranishëm viteve të fundit në skenën e hapur politike, pas zgjedhjes për kryetar partie, ftoi në unitet dhe pajtim fill, por dhe me retorikë të ashpër ndaj qeverisë së LSDM-së. Por, nëse ndiqet rruga për ta kthyer një ditë në pushtet partinë e tij, doemos duhet të bëjë reformim në kokat e indoktrinuara dhe në strategjinë e veprimit, sepse porosia që e mori partia e tij, por dhe të gjitha partitë tjera maqedonase, është se pushtet stabil në Maqedoni pa bashkëpunim me shqiptarët nuk është i mundur. Edhe qeverisja jokooperative me faktorët ndërkombëtarë, gjegjësisht partnerët strategjikë, po ashtu është pa perspektivë.

Viti vendimtar 2018

As duhet të jesh futurolog e as analist për të parashikuar ngjarjet që e presin Maqedoninë në vitin 2018. Gjykimet për lëndët që dalin nga bombat do të vazhdojnë me intensitet të shtuar dhe opinioni publik pret që ndëshkimi t’i përfshijë emrat më të shquar të nomenklaturës së kaluar. Tashmë politikisht janë të vdekur Gruevski, Sasho Mijallkovi, Gordana Jankullovska, Mile Janakievski, Stevçe Jakimovski, Martin Protuger etj. Vetëm pritet “ekzekutimi” i tyre gjyqësor. Se sa do të zgjasë agonia e gjykimit të disa prej tyre dhe a do të përfundojë kjo me amnisti të heshtur nga kryetari Gjorge Ivanov (një borxh i fundit për mentorët që ia mundësuan të jetë kryetari më i përfolur deri tash në përmasa karikaturale!), mund të supozohet si një opsion real. Por, ajo që pushtetin dhe opozitën do të duhej t’i lidhë për të mirën e vendit është çka do të bëhet me integrimet euroatlantike. Në këtë pikë edhe Gruevski, i flijuar nga ndërkombëtarët, u desh në fund të kthehet në këto binarë, e jo në ato që ecte Gjorge Ivanovi dhe ai vetë me taktizime ose me pretendime reale nga Lindja. Por, ky proces e ka nyjën gordiane të emrit si kusht, ku patjetër që kompromisi me Greqinë do të duhej ta merrte përkrahjen edhe nga opozita. VMRO-ja e Mickovskit mund ta zgjedhë rrugën e konlfikutalitetit me bashkësinë ndërkombëtare dhe të vazhdimit të lajthitjeve identitare, por kjo është pikërisht ajo politikë e dështuar që e margjnalizoi partinë dhe çështje të cilat më nuk i bëjnë përshtypje askujt, përveç atyre që mendojnë se këto politika populiste ende shiten në popull! Po kështu, pushteti dhe opozita e VMRO-së mund të takohen edhe në ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe. Partitë në pushtet tashmë e kanë bërë gati këtë ligj, që mund të thuhet se është një vetëdijesim në radhët e LSDM-së, se kjo çështje e problematizuar vazhdimisht nga shqiptarët duhet të mbyllet, qoftë si interes largpamës shtetëror, qoftë si mënyrë për të qeverisur sa më gjatë, gjë që nëse nuk shpreh ndonjë fleksibilitet, VMRO-së mund t’i kushtojë shtrenjtë. Hristijan Mickovski kishte paralajmëruar qysh si kandidat për kryetar të VMRO-së se është i nevojshëm bashkëpunimi me bashkësinë ndërkombëtare, por nuk është i qartë pozicioni i tij kundrejt faktorit shqiptar, ndërsa sprova e parë mund të jetë pikërisht çështja e përdorimit të gjuhës shqipe. Mund të taktizojë me bojkotin për shkak të të akuzuarve për terrorizëm (sulmet e 27 prillit 2017 në Parlament), që kështu të distancohet nga ligji për gjuhët për ta pasur si kapital para elektoratit maqedonas, porse herëdo kurdo partinë që e mori nga Gruevski duhet ta çlirojë patjetër nga ai antishqiptarizëm verbal, që sillte përfitime politike. Koketimi me partitë shqiptare është i domosdoshëm, siç edhe anasjelltas, do të ketë parti shqiptare të pakënaqura me LSDM-në dhe BDI-në, që do t’u duhej partner tjetër maqedonas, por jo një VMRO dosido.

Duket paradoksale, por në këtë moment, çdo gjë që nuk ka të bëjë me çështje ekonomike mund të jetë më e realizueshme: edhe ndryshimi i emrit, edhe ligji për gjuhën shqipe, edhe reformat në gjyqësi, edhe gjykimet për rastet e “bombave” të Prokurorisë Speciale, edhe integrimet euroatlantike… Por, si do të përmbushet slogani parazgjedhor “për jetë në Maqedoni” nëse nuk ndërpritet emigracioni, nëse nuk zvogëlohet papunësia, nëse nuk lulëzon ekonomia…, e të cilat dalëngadalë do të rëndohen si pranga të hekurta në qafën e kësaj qeverie? Sepse, deri tash të gjitha qeveritë kanë dështuar pikërisht për shkak të mungesës së konceptit që ekonominë e vendit ta bëjnë absorbuese të krahut të punës e, me këtë, edhe të përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve.

Në të gjitha këto situata të pritura e të papritura partive shqiptare u mbetet që, siç thotë populli, “ta shtrëngojnë daullin, sepse në baraspeshat e brendshme dhe gjeostrategjike roli i shqiptarëve është vendimtar për Maqedoninë.