` . Viktor Grozdanov në 'Arena': Ka indikacione për skenare të dhunshme në Maqedoni - TV-SHENJA

Viktor Grozdanov në ‘Arena’: Ka indikacione për skenare të dhunshme në Maqedoni

Më së paku Maqedonia ka nevojë për skenare të dhunshme para zgjedhjeve. Kështu u shpreh gazetari Naser Selmani në emisionin ‘Arena’ në TV Shenja, duke u bazuar në deklaratat e para dy ditëve të kreut të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski. Ai deklaroi se vendi e ka patjetër që të zhvillojë zgjedhje shumë të pastra, në mënyrë që të ecë në rrugë të duhur.

“Të paktën partitë politike duhet të bëjnë ç’mos, të tejkalojnë vetveten dhe të krijojnë parakushte, veçanërisht ato që janë në pushtet, që të krijohen kushtet elementare që njerëzit në mënyrë të lirë dhe pa imponime të përcaktohen për opcionet politike të cilat i parapëlqejnë”, tha Selmani.

Nga ana tjetër sipas Viktor Grozdanov nga partia GROM e cila është në koalicion me VMRO-DPMNE-në, ka indikacione se dikush don të bëjë diçka në këtë shtet, dhe sipas tij, Gruevski nuk paralajmëron skenare të dhunshme, por i parashikon ato.

“Rastet e fundit që ndodhën me një ministër plotësues (Dime Spasov), qartë treguan se edhe ministri ka bërë gabim në aspektin etik, ndërsa nga ana tjetër kemi video inçizimiet në të cilat qartë shihet se një ministër plotësues është sulmuar pak më seriozisht. Nuk e kam fjalën për personat që kanë marrë pjesë në atë aksident por për ata që janë pjestarë të MBP-së, dhe atni kjo i bjen sikur t’i hedhësh benzin zjarrit. Megjithatë unë nuk pres se do të ketë incidente më serioze”, tha Grozdanov në emisionin ‘Arena’ në TV Shenja.

Sipas tij, është e qartë se çfarë incidentesh mund të ketë dhe është e qartë se se kush mund të fitojë, duke e pasur parasysh se çfarë mundet të bëjë opozita. Ai edhe pse tha se nuk beson se mund të ketë ndonjë skenar të dhunshëm, megjithatë la të kuptohet se përveç indikacioneve, ka edhe informacione se po përgatitet diçka e tillë. /SHENJA/

Postime të Ngjajshme