` . (VIDEO) ZYRTARËT E PE-SË TË ZHGËNJYER PËR REFUZIMIN E DATËS - TV-SHENJA

(VIDEO) ZYRTARËT E PE-SË TË ZHGËNJYER PËR REFUZIMIN E DATËS

Raportuesi i sapozgjedhur për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian, Ilhan Quçuk, ka vlerësuar se vendi i Maqedonisë së Veriut dhe të gjitha shteteve nga Ballkani është në BE dhe në NATO dhe ka shprehur zhgënjimin e tij për mosdhënien e negociatave. Në një intervistë për agjencinë MIA, ai ka thënë se janë të vetëdijshëm se BE-ja ka probleme të veta, por forcimi i BE-së nuk mund të jetë në llogari të zgjerimit, të dyja duhet të shkojnë së bashku. Quçuk ka kërkuar nga ata të cilët propozojnë reforma në procesin e negociatave, të ofrojnë propozime të qarta dhe konkrete, pasi, siç thotë, nuk sheh sipas cilave kritere tjera përveç atyre të Kopenhagës duhet të vlerësohen vendet kandidate.

Ilhan Kuçuk

“Dëshiroj që Këshilli Evropian të ketë pozitë konkrete para Samitit në Zagreb. Në Samitin në Sofje dhe para asaj, pozita e BE-së në Selanik ishte kategorike, se duhet të ketë perspektivë evropiane për shtetet. Ne duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur që të kemi pozitë të fuqishme, të konsoliduar evropiane para Samitit në Zagreb, e cila dëshiron të jap porosi të qartë për Maqedoninë e Veriut dhe vendet tjera nga rajoni. Kolegët e mi nga Franca dëshirojnë të përfundohen reformat në BE, unë pajtohem me këtë. Por ata dëshirojnë që në të njëjtën kohë edhe reforma të kritereve sipas të cilave vendet kandidate të bëhen anëtare”.

Ndërkohë, kryetarja e bordit të Parlamentit Evropian për stabilizim dhe anëtarësim në BE, Tanja Fajon, ka vlerësuar se Franca e ka marrë peng gjithë Evropën. Duke folur për Radio Sarajeva, Fajon ka thënë se mosdhënia e datës për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, nuk është një moment i lavdishëm për BE-në.

Tanja Fajon

“Franca e ka marrë si peng të saj gjithë BE-në. Duhet të theksoj edhe njëherë se integrimet evropiane të Ballkanit Perëndimor janë dhe mbeten politikë strategjike në interesin tonë të përbashkët. Kuptohet, unë shpreha zhgënjimin për shkak se liderët e Unionit nuk i përmbushën premtimet e tyre për t’i hapur negociatat për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Tani testohet përkushtimi i integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor. Këtë e mendoj posaçërisht për Francën. Përkrah Francës, këtu i kemi edhe Holandën, Danimarkën dhe Gjermaninë, kur janë në pyetje disa vende të tjera të Ballkanit. Ajo atmosferë disi po ndryshon”.

Ajo ka shtuar se, përgjegjësia e mossjelljes së vendimit pozitiv nuk bie mbi vendet që kanë shpresuar për rezultat pozitiv, pasi ata i kanë përmbushur premtimet e tyre. Sipas saj, Unioni është ai i cili nuk e ka përmbushur premtimin e dhënë për shkak të çështjeve të brendshme. Kjo, ka theksuar Fajon, dëmton kredibilitetin e BE-së jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe më gjërë.

Teuta Buçi /SHENJA/