` . (VIDEO) Zaev: Synojmë që zgjedhjet të jenë zgjidhje e jo problem - TV-SHENJA

(VIDEO) Zaev: Synojmë që zgjedhjet të jenë zgjidhje e jo problem

Zgjedhjet duhet të mbahen në afatin e parë të mundshëm, në pajtim me mundësitë ligjore dhe sipas situatës me epideminë. Zgjedhjet janë zgjidhje e jo problem. Kjo ishte porosia e liderit të LSDM-së, Zoran Zaev i cili tha se nevojitet përgjegjësi për shëndetin e njerëzve, duke nënvizuar se vendi duhet me njëqind për qind kapacitet të institucioneve ta presë shtatorin, me qëllim që të jetë i gatshëm për valën e re të pritur të virusit. Zaev gjatë qëndrimit të tij në Strumicë, ku po zhvillon takime të punës me kandidatët për deputetë nga lista zgjedhore 4, tha se zgjedhjet janë të nevojshme me qëllim që të sigurohen institucionet tërësisht funksionale, të cilat siç tha ai, do ta mbrojnë shëndetin e qytetarëve dhe do të sigurojnë rifillim të plotë të ekonomisë vendore.

Zoran Zaev, lider i LSDM-së

“Ne kemi kapacitet të fuqishëm demokratik dhe si deri më tani do të bëjmë gjithçka që opozita ta marrë përgjegjësinë e saj. Përfundoi koha kur opozita, në atë kohë LSDM, mësonte nga televizori kur do të mbahen zgjedhjet. Kuptohet, nëse VMRO-DPMNE-ja vendos ta pengojë këtë proces të nevojshëm demokratik ne nuk do të kemi zgjidhje përveç që t’i respektojmë afatet ligjore për procesin zgjedhor”

I menjëhershëm ka qenë reagimi i VMRO-DPMNE-së opozitare, të cilët nëpërmjet një komunikate kanë theksuar se Zaev e vendos karrierën e tij politike, përpara shëndetit të qytetarëve. Nga VMRO akuzojnë se Zaev edhe më tej angazhohet për, siç kanë theksuar ata,  korona zgjedhje të shpejta bë të cilat në vend që të numërohen vota, do të numërohen të prekurit e rinj dhe të vdekurit e rinj nga koronavirusi.

VMRO-DPMNE

“Të vdekurit nuk janë vetëm numër, ata janë bashkëqytetarët tanë me emër dhe mbiemër. Nuk mund të jenë zgjidhje- zgjedhjet tek të cilat jeta e qytetarëve do të vendoset në rrezik. Faktet flasin se Maqedonia është rekorder në rajon sa i përket vdekjeve në një milion banorë dhe për fat të keq kulmi sipas të prekurve është në 1 milion banorë. Faktet flasin se në shtetin tonë janë bërë numri më i vogël i testimeve në rajon”

Në anën tjetër  Zaev këmbëngul se LSDM-ja dëshiron zgjedhje në të cilat do të marrë pjesë opozita.

Ajnur Bafqari /SHENJA/