` . (VIDEO) Zaev: Ligji i Gjuhëve nuk ka asgjë jokushtetuese – TV-SHENJA

(VIDEO) Zaev: Ligji i Gjuhëve nuk ka asgjë jokushtetuese

Kryeministri Zoran Zaev thotë se ligji për gjuhët është në pajtueshmëri me Kushtetutën e Maqedonisë, duke kundërshtuar kështu qëndrimet dhe vendimin e Presidentit Ivanov. Zaev thotë se është Gjykata Kushtetuese ajo e cila vendos nëse ka ndonjë dispozitë antikushtetuese në ligjin në fjalë. Gjithasthu, Zaev përkujton se edhe Komisioni i Venedikut do të japë qëndrimet e tij.

Zoran Zaev, kryeministër i Maqedonisë

“Gjithçka që është sjellë në suaza të Ligjit për avancimit e gjuhëve është në pajtueshmëri me amendamentin 5 të Kushtetutës së RM-së. Është e vlefshme të angazhohemi për një shoqëri për të gjithë, kjo është nëna jonë Maqedoni e të gjithë qytetarëve pa dallim të përkatësisë sonë etinke, fetare por edhe politike, duhet të zgjasim dorën, të kemi besim në institucionet e sistemit. Në qoftë se diçka nuk është në pajtueshmëri me Kushtetutën, ekziston Gjykatë Kushtetuese, ndërsa do të shpreh mendim edhe Komisioni i Venedikut”.

I pyetur a ka gjasa që Maqedonia të anëtarësohet në NATO deri në muajin prill, kryeministri Zoran Zaev thotë se dëshiron që kjo të ndodhë sa më shpejtë, por megjithatë, ai porosit për durim.

Zoran Zaev, kryeministër i Maqedonisë

“Samiti i NATO-s me sa e di, është në korrik, atëherë do të sillen vendimet, në prill e di se mbahen sesionet paraprake të përfaqësuesve dhe vendeve anëtare të Aleancës, kështu që kemi shumë kohë por edhe nuk kemi kohë të mjaftueshme, duhet të jemi të përkushtuar dhe të kujdesshëm. Unë apeloj edhe deri tek mediat edhe deri tek qytetarët, të jemi me energji pozitive, për shkak se gjithçka do të jetë me referendum, e pranueshme ose e refuzuar.

Kryeministri Zoran Zaev, deklaroi se është shumë i kënaqur nga vizita e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, si dhe nga porositë e tij inkurajuese për procesin e reformave.

Mefail Ismaili /SHENJA/