` . (VIDEO) Zaev: kemi kuadro të mjaftueshme për të bërë veting - TV-SHENJA

(VIDEO) Zaev: kemi kuadro të mjaftueshme për të bërë veting

Kryeministri Zoran Zaev ka theksuar se kundërshtimi i vetingut në gjyqësor nga ana e BE-së, ka qenë në kohën e premtimeve parazgjedhore kur nga LSDM ka kërkuar shkarkim dhe rizgjedhje të gjykatësve dhe prokurorëve, që sipas tij nënkupton veting dhe shihej si e papranueshme për shkak të mungesës së kuadrit për plotësim të vendeve të zbrazëta. Zaev vlerëson se tani ka kuadër të mjaftueshëm për një gjë të tillë, pasi  aktualisht akademia po prodhon 60 kandidatë dhe 60 kandidatë të tjerë do të jenë gati edhe në fillim të 2020-tës.

Zoran Zaev, Kryeministër

“ Tashmë akademia i prodhon 60 kandidatë, menjëherë në fillim të 2020-tës, do të vazhdojnë me 60 kandidatë të ri. Bisedojmë me BE-në dhe duam të arrijmë të ashtuqujturën “korsi të shpejtë”, e cila do të na jep mundësi që të gjithë juristët me mbi 5 vjet përvojë pune, të mund që 3-4 muaj të shkojnë në testim dhe të mund të jenë prokurorë publikë të ardhshëm dhe gjykatës. Gjithësesi një gjë të tillë fillimisht do ta flasim me BE-në“.

Zaev sqaron se BE kërkon fillimisht të gjejmë mënyrat dhe më pas të fillohet me procesin e vetingut.

Zoran Zaev, Kryeministër
“BE kërkon fillimisht të gjejmë mënyrat, pasi përvoja në Shqipëri  tregoi se vetingu në mënyrë serioze jep më shumë përgjegjësi dhe efikasitet, por atje u zbrazën rreth 200 vende dhe nuk ka se si ti mbushin. Duke parë atë përvojë, rekomandojnë që fillimisht t’i zgjidhim disa çështje që janë të lidhura dhe më pas të fillohet dhe ne jemi të arsyeshëm rreth asaj, sepse është e qartë dhe e pranueshme lehtë”.

Procesi i vetingut tashmë disa ditë me rradhë është temë diskutimi në Maqedoninë e Veriut. Ishte ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska që kërkoi veting të butë për prokurorët dhe gjykatësit, ndërsa më pas ishte prokurorja  Villma Ruskovska që paralajmëroi hetim financiar ndaj gjykatësve të Apelit. Nga VMRO DPMNE thonë se nuk nevojitet veting, por metodologji e re, ndërsa veting kërkohet edhe nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

Ajnur Bafqari /SHENJA/