` . (Video) Vasfije Krasniqi rrëfen torturën e përdhunimit – TV-SHENJA

(Video) Vasfije Krasniqi rrëfen torturën e përdhunimit

Vasfije Krasniqi, viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, mbrëmë ka vendosur që të flet publikisht për tmerrin e përjetuar gjatë luftës, kur si 16-vjeçare u përdhunua nga forcat policore serbe në vitin 1999. Vasfija, me sy të përlotur ka rrëfyer për televizionin publik të Kosovës torturat që kishte përjetuar gjatë luftës, kur ajo ishte përdhunuar nga dy serbë: njëri prej tyre polic i regjimit të Sllobodan Millosheviqit. Rasti kishte ndodhur në fshatin Babimovc të Obiliqit.

VASFIJE KRASNIQI-GOODMAN, VIKTIMA

“Më 14 prill të vitit 1999 kam qenë në oborr dhe kam hyrë brenda dhe i kam thënë nënës me dalë dikush te dera me qelë derën. Dikush jashtë derës na tha ‘qelne derën’… edhe është dashtë me qelë. Ne nuk e dinim nëse kanë hy me na vra apo kanë hy me bastisë, mirëpo ai pyti se ku e keni babën edhe vëllain. Nana i tha që janë në Gjermani, e ai më tha: ‘Jo nuk janë në Gjermani, por kanë shkuar në luftë’. Ai hyri brenda dhe më pastaj më mori mua, më tha se do të shkojmë për të dhënë deklaratë në polici”.

Vasfija thotë se polici serb i kishte thënë se nuk do ta vriste për një arsye të vetme: që të vuante më shumë.

VASFIJE KRASNIQI-GOODMAN, VIKTIMA

“Nuk doja të shkoja, por ai më kapi dhe më futi në një makinë 101-sh të kaltër. Ai nuk vazhdoi drejtë ku është stacioni i Policisë, por ka vazhduar në drejtim të Prishtinës. Unë e dija por se kuptoja se çfarë do të ndodhë me mua, sepse unë kam qenë fëmijë, 16-vjeç. Dhe ka ardhur në fshatin Babimovc, ka qenë një kishë aty, fshati ka pasur shumë serb. Në atë moment unë vetëm doja të vdisja me një plumb edhe kurgjo tjetër. Veç me më vra”.

Vasfije Krasniqi-Goodman është bërë gruaja e parë, viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës së Kosovës, që ka rrëfyer publikisht tmerrin e përjetuar kur është përdhunuar nga forcat policore serbe në vitin 1999. Ajo tanimë jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është nënë e dy fëmijëve.  Teuta Buçi /SHENJA/