` . (VIDEO) Tre propozimet satirike të BDI-së: Stema me luan, “Ilinditasja” dhe “Kryeministri” - TV-SHENJA

(VIDEO) Tre propozimet satirike të BDI-së: Stema me luan, “Ilinditasja” dhe “Kryeministri”

Për herë të tretë, BDI del me një propozim satirik si pjesë e fushatës parazgjedhore të kësaj partie, për zgjedhjet parlamentare për të cilat ende nuk ka datë zyrtare. Edhe propozimi i fundit për kryeministër shqiptar, pa pasur paraprakisht një marrëveshje me një partner koalicioni që do ti siguronte shumicën, në opinion është pritur me reagime satirike, ngjashëm si dy propozimet e para nga kjo parti, ajo për stemën me luan dhe emrin Republika Ilinditase e Maqedonisë.

Në dhjetor të vitit 2014, VMRO-DPMNE dhe BDI propozuan ndryshime kushtetuese dhe mes tyre ishte propozimi për stemën e re shtetërore me luanin e VMRO-së në të. Propozimi ishte votuar në Qeveri edhe nga ministrat e BDI-së, ndërsa ishte propozuar nga ministri i drejtësisë, që poashtu vinte nga kjo parti. Ky i fundit dhe bashkëpartiakët e tij asokohe e mbronin stemën me arsyetime se luani është edhe simbol i shqiptarëve, principatave dhe fiseve të lashta shqiptare.

Adnan Jashari, ish ministër i Drejtësisë (06.12.2014)

“Sipas të dhënave që ne posedojmë si Ministri, ka elemente që në njëfarë mënyre kanë të bëjnë me kulturat e të gjithë qytetarëve në Maqedoni, elemente të cilat në njëfarë mënyre po bashkojnë kulturat edhe nga aspekti historik… Përmbajtja e stemës simbolizon, pasqyron elemente që në aspektin historik kanë qenë prezent në shumë qytete feudale shqiptare”.

Në Maj të vitit 2018, kryeministri Zoran Zaev njoftoi se kanë afruar qëndrimet me Greqinë për emrin e ri të shtetit që në gjuhën shqipe do të tingllonte Republika “Ilinditase” e Maqedonisë. Ky propozim u refuzua ashpër nga gjithë opinioni shqiptar në vend dhe në rajon, u vlerësua si përbuzës për shqiptarët, i pakuptimtë dhe qesharak. Por për funksionarët e BDI-së, propozimi kishte peshë të rëndësishme për shqiptarët në shtetëformimin e Maqedonisë.

Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së (19.05.2018)

“Bëhet fjalë për propozimin Republika ilinditase e Maqedonisë, duke shtuar si mbiemër emrin e kryengritjes së përbashkët maqedono shqiptare të vitit 1903 kundër perandorisë otomane. Asokohe në këtë kryengritje formohet Qeveria ose Republika e Krushevës e cila zgjat vetëm 10 ditë, por Qeveria e saj proporcionalisht përbëhet nga dy ministra shqiptar, dy maqedonas dhe dy vlleh dhe kjo flet për kohezionin dhe bashkëpunimin shqiptaro maqedonas në ndërtimin e këtij shteti që para 115 viteve dhe në fakt sot ne po përsëritim manifestin e para 115 viteve se ky është një shtet i përbashkët maqedono shqiptar i cili ka perspektivë në NATO dhe në BE”.

Dje, në 18 vjetorin e themelimit të BDI-së, në opinion u lansua propozimi i tretë që përsëri u trajtua si satirik nga mbarë opinioni. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, doli me idenë se ka ardhur koha për kryeministër shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.

Ali Ahmeti (05.06.2020)

“Bashkë i përcaktuam dhe i realizuam synimet tona dhe në këtë përvjetor kaq të rëndësishëm për të gjithë ne, le ta përcaktojmë bashkërisht edhe qëllimin tonë të radhës. Në zgjedhjet që pasojnë të realizojmë synimin për të zgjedhur një personalitet të vlerësuar, të dëshmuar dhe të pranueshëm të cilin ose të cilën do t’a përzgjedhim bashkërisht për kryeministrin e parë shqiptar”.

Por në shumë reagime si të partive të tjera shqiptare, ashtu dhe të ekspertëve ky propozim u vlerësua si nënçmues dhe tentim për manipulim parazgjedhor me elektoratin shqiptar. Në reagimet e vetme që trajtojnë seriozisht propozimin, i kujtojnë Ahmetit se kryeministri caktohet që kur zgjidhet mandatari dhe i njëjti duhet të ketë mbështetjen edhe nga një parti më e madhe maqedonase, që para mbajtjes së zgjedhjeve.

Arben Zeqiri /SHENJA/