` . (VIDEO) Tre dispozita të ligjit në Komisionin e Venedikut – TV-SHENJA

(VIDEO) Tre dispozita të ligjit në Komisionin e Venedikut

Zyrtarizimi i gjuhës shqipe në kartëmonedha, uniformat e mbrojtjes dhe në letrat me vlerë, do të varet nga vlerësimi që do të jep Komisioni i Venedikut për to. Zv/kryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, sot deklaroi se këto tre dispozita i kanë dërguar në këtë komision, pasi janë vlerësuar si kontestuese dhe në kundërshtim me Kushtetutën, nga disa ekspertë që kanë përgatitur propozim ligjin për përdorimin e gjuhëve. Ai ka deklaruar se sa i përket pjesës tjetër të ligjit, është tërësisht në korniza të Kushtetutës së vendit.

“Ato janë në pjesën e dygjuhësisë në kartëmonedha, në uniformën e ushtrisë dhe në letrat me vlerë. Vetëm ato tre dispozita i kemi dërguar në Komisionin e Venedikut për të mos rrezikuar që i ligji të na dështoj për shkak të atyre tre dispozitave. Nëse marrim përgjigje pozitive prej atje, do t’i përfshijmë në mënyrë plotësuese. Të tjerat dispozita të llojit uniforma në polici, zjarrfikësve, në shëndetësi në komunat ku janë mbi 20% dhe në Qytetin e Shkupit do të jenë në dygjuhësi”, ka thënë zv/kryeministri për eurointegrime Bujar Osmani.

Ndërkohë, ministri i Drejtësisë, Bilent Saliji, duke folur për të njejtën temë, tha se parashihet formimi i një agjencie për zbatimin e gjuhëve. Po ashtu, ai ka paralajmëruar se do të dënohen institucionet të cilat nuk do të zbatojnë këtë ligj.

“Gjithasthu parashihet edhe zbatimi i një inspektorati shtetëror në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë i cili do të bëjë mbikëqyrjen e implementimit të normave ligjore në aspekt të gjuhës. Parashihen dënime për institucionet të cilët nuk do të zbatojnë normat ligjore të këtij ligji dhe atë parashihen dënime 4000 deri 5000 euro për institucionin dhe deri në 30% të këtyre dënimeve edhe për personin përgjegjës në këtë institucion”, deklaroi Bilent Saliji, Ministër i Drejtësisë.

I pyetur për zgjedhjet lokale, Osmani ka thënë se partia e tij është e përgatitur për pjesëmarrje në këto zgjedhje, por ai nuk ka publikuar emrat e kandidatëve. Osmani nuk ka bërë publike as partitë me të cilat do të bëjnë koalicion, edhe pse nuk i mohoi koalicionet e mundshme me ndonjë subjekt politik.

“Sa i takon koalicionimeve, mendoj se është herët. Natyrisht se do të shqyrtojmë edhe atë mundësi mirëpo, kryesia e partisë dhe kryetari do të fillon tani gjitha kontaktet dhe analizat për nevojën e koalicionimeve në komuna të ndryshme”, ka shtuar më tej Osmani.

Osmani dhe Saliji këto deklarata i kanë dhënë para takimit që kanë realizuar sot në Ministrinë e Drejtësisë, me rastin e anëtarësimit të Maqedonisë në Agjencinë për të drejta fundamentale të Bashkimit Evropian.

Teuta Buçi /SHENJA/

Tre dispozita të ligjit në Komisionin e Venecias by tvshenjaofficial