` . (VIDEO) Thaçi: Kryeministri Zaev pre e një rrengu dhe dezinformatave, ata donin të më kontaktonin edhe mua - TV-SHENJA

(VIDEO) Thaçi: Kryeministri Zaev pre e një rrengu dhe dezinformatave, ata donin të më kontaktonin edhe mua

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka konfirmuar se kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i ka kërkuar falje për deklaratat që u bënë publike  e që kanë të bëjnë  me telefonatat me dy humoristët rus ku Zaev i rënë pre e tyre, ka  përmendur përfshirjen e presidentit Thaçi në bisedime për ndarjen e Kosovës. Në bisedën telefonike që u publikua të hënën mbrëma, është folur edhe për bisedimet Kosovë-Serbi dhe kryeministri Zaev kishte shprehur shqetësimin se Kosova dhe Serbia “po përpiqen të shkëmbejnë territore” duke u hamendësuar nga ana tjetër se këtu mund të ketë ndikim rus dhe duke theksuar frikën për të ardhmen e Ballkanit. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se ka biseduar 20 minuta në telefon me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, për të sqaruar deklaratat e tij.

Hashim Thaçi, President i Kosovës
”Më ka thënë shumë qartë se ka qenë një rrethanë në të cilën ka ra pre e mashtrimit dhe të gjitha çka ka folur për gjoja për dhjetë komunat e Kosovës që do t’i jepen Serbisë i ka folur duke u bazuar në thashetheme, në dezinformata dhe në të dhënat apo lansimet e gazetës Sputnik dhe thashethemeve ruse. Këto janë fjalë të cilat m’i ka thënë. Më ka kërkuar falje mua personalisht por edhe Kosovës, në të njëjtën kohë ka potencuar se ato që ai ka folur me mashtruesit të cilët e kanë thirrur në telefon, janë gjëra që nuk qëndrojnë në raport me Kosovën dhe në të njëjtën kohë ka potencuar qartë se nuk ka asnjë fakt, asnjë evidence, asnjë informacion zyrtar nga askush për ato që ka deklaruar.”

Edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka komentuar çështjen e përgjimeve, duke nënvizuar se të gjithë e kanë shqetësim ndryshimin e territoreve ndaj dhe deklaratat e dëgjuara të Zoran Zaevit nuk janë ndonjë risi.

Ramush Haradinaj, Kryeministër i Kosovës
”Të gjithë e kanë shqetësim lëvizjen e kufijve. Këto nuk janë ndonjë risi. Ne kemi qenë në dijeni se Zoran Zaev është kundër ndryshimit të kufijve, kundër ndërrimit të territoreve apo ndarjes së Kosovës”

Publikimi i deklaratave të kryeministrit Zaev, nxitën reagime në Kosovë ku Lëvizja Vetëvendosje bëri thirrje për largimin e presidentit Thaçi nga detyra, për shkak të siç u tha “planeve dashakeqe” për Kosovën.

Ajnur Bafqari /SHENJA/