` . (VIDEO) Temperaturat e ulëta shkaktojnë viktimën e parë në Shqipëri - TV-SHENJA

(VIDEO) Temperaturat e ulëta shkaktojnë viktimën e parë në Shqipëri

Reshjet e dëborës në Shqipëri janë ndërprerë, por temperaturat ngelin të ulëta duke vështirësuar lëvizjen dhe jetën e banorëve në zonat më të prekura nga moti i ftohtë. Në zonat rurale ende ka probleme të qarkullimit në rrugë.  Ministria e Brendshme e Shqipërisë ka bërë të ditur se ende ka akse rrugore nëpër fshatra të njësive administrative në zona të thella malore, të cilat nuk ka qenë e mundur të hapen plotësisht për qarkullimin. Megjithatë akset kombëtare janë plotësisht të kalueshme me vetëm ndonjë segment ku duhet vendosur zinxhirët.

Temperaturat tejet të ulëta kanë lënë pasoja edhe në jetë dhe shëndetin e njerëzve. Një  person dyshohet të ketë humbur jetën nga moti i ftohtë në Durrës. Sipas të dhënave të policisë,38 vjeçari që është gjetur i vdekur në një nga lagjet e Durrësit rezulton si person i pastrehë. Edhe furnizimi me energji elektrike ka qenë gjithashtu me ndërprerje në disa zona të vendit.

Sipas të dhënave të Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, nga datat 8 deri më 11 janar, temperaturat maksimale në vendet malore do të lëvizin prej  -5 deri -10 gradë, ndërsa në zonën e ulët dhe në bregdet nga 0 deri 5 gradë. Temperaturat minimale në vendet malore do të lëvizinprej -21 deri -18, ndërsa në zonën e ulët dhe bregdet nga -10 deri në -6 gradë. /SHENJA/


Temperaturat e ulëta shkaktojnë viktimën e parë… by tvshenjaofficial

Postime të Ngjajshme