` . (VIDEO) Do të bëhet digjitalizimi i regjistrave kryesor të institucioneve - TV-SHENJA

(VIDEO) Do të bëhet digjitalizimi i regjistrave kryesor të institucioneve

Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski, ka paralajmëruar sot se gjatë vitit të ardhshëm, do të bëhet edhe digjitalizimi i regjistrave kryesor të institucioneve publike dhe do të do zhvillohet 120 shërbime shtesë elektronike. Ai tha se këto janë vetëm një pjesë e aktiviteteve të kësaj ministrie të parapara për vitin e ardhshëm dhe theksoi se, OSBE do të jetë partner në të gjitha fushat që kanë të bëjnë me reformimin e administratës publike.

Damjan Mançevski, Ministër i Administratës

“Për mua, pjesa kryesore, më e rëndësishme e reformës së administratës publike është digjitalizimi dhe këtë vit ne kemi tashmë rezultate konkrete dhe të dukshme. Kemi lëshuar në përdorim regjistrin qendror të popullsisë, kemi tashmë portalin e ri të të dhënave të hapura, javën e ardhshme do ta promovojmë portalin e ri kombëtar të shërbimeve elektronike dhe katalogun e shërbimeve. Kemi miratuar të gjitha ligjet, tashmë kemi parakushtet teknike për aktivizimin e identitetit elektronik të qytetarëve”.

Mançevski deklaroi se në bashkëpunim me organizatat joqeveritare gjatë konferencës është bërë analizë e punës së deritanishme, si dhe janë përcaktuar masat e reja në planin e veprimit për zbatimin e strategjisë së reformës së administratës publike. Ministri i Administratës po ashtu, ka folur edhe për roamingun me Greqinë, për të cilën tha se së shpejti do të ulen çmimet.

Damjan Mançevski, Ministër i Administratës

“Ajo që mund ta paralajmëroj, e cila do të pasojë në muajt në vazhdim gjithsesi para fillimit të sezonit turistik veror, është se ne me të vërtetë kemi një mirëkuptim dhe bashkëpunim nga disa prej operatorëve që funksionojnë në të dy vendet dhe se për qytetarët absolutisht verën e ardhshme do të kemi çmime mjaft të ulëta për roaming me Greqinë”.

Mançevski, së bashku me shefin e misionit të OSBE-së në Shkup, Clemens Koja, kanë marrë sot pjesë në konferencën me temë “Strategjia e reformave në administratën publike në vitet 2018-2022, sfidat e ardhshme”, ku kanë nënshkruar edhe memorandum për bashkëpunim.

Teuta Buçi /SHENJA/