` . (VIDEO) Takimi Alternativa- OEMVP, kërkohet realizimi i projekteve shqiptare - TV-SHENJA

(VIDEO) Takimi Alternativa- OEMVP, kërkohet realizimi i projekteve shqiptare

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore kërkon nga partitë shqiptare që do të jenë në pushtet në mandatin e ardhshëm të Qeverisë, të angazhohen më tepër në realizimin e projekteve shqiptare. Kreu i saj, Nebi Hoxha, pas takimit që realizoi sot me kryetarin e Alternativës, Afrim Gashi, në kuadër të takimeve me subjektet politike në periudhën parazgjedhore, tha se si pjesë e platformës së odës ekonomike janë paraparë 99 pikë nga të cilat si pika kyçe janë funksionimi i ligjit, reformat në administratën publke, reformat në gjyqësi.

Nebi Hoxha, OEMVP

“Kërkesat e aspketit infrastrukturor janë autostrada Shkup – Bllacë, e cila duhet të jetë prioritet I prioriteteve dhe është një projekt I vonuar mund ta them lirisht, sepse është në interes krucial ekonomik për vendin dhe është projekt më se e vonuar. Gjithashtu, sa I përket kërkesave rreth platformës ekonomike, janë edhe zona e Vizbegut, Kodra e Diellit, terminali doganor Jazhincë dhe çështjet që kanë me funksionimin e mirëfilltë dhe dialogun që çdo subjekt politik duhet ta ketë me Odën Ekonomike në mandatin e ardhshëm”.

Ndërkohë, Gashi ka shprehur gatishmërinë e subjektit politik që ai drejton për bashkëpunim me këtë odë për zhvillim të biznesit  në të ardhmen dhe tha se zhvillimi ekonomik do të jetë një ndër shtyllat kryesore të programit të tyre politik.

Afrim Gashi, Alternativa

“Insistimi im personal nga dimensioni I partisë politike Alternativa do të jetë që sa më shumë pika të platformës të OEMVP të jenë pjesë e programit të përbashkët, për shkak se janë njerëz nga biznesi, ata ballafaqohen çdo ditë me problemet reale të qytetarëve, ata e dijnë më së miri se si bëhet një zhvillim ekonomik dhe ne si parti politike, koncepti jonë është që gjithmonë të jemi në shërbim të tyre. Realisht, mënyra se si ne e kuptojmë politikën është të qenurit në shërbim të qytetarëve, në këtë rast në shërbim të bizneseve”.

OEMVP po ashtu, kërkon që posti i zëvendëskryeministrit për çështje ekonomike në qeverinë e ardhshme të jetë nga radhët e kësaj ode dhe t’i takoj një njeriu me një bagazh të mirëfilltë ekonomik.

Teuta Buçi /SHENJA/