` . (VIDEO) Supremja: Tomorr Morina nuk do të ekstradohet në Serbi - TV-SHENJA

(VIDEO) Supremja: Tomorr Morina nuk do të ekstradohet në Serbi

Ish ushtari i  UÇK-së Tomor Morina, përfundimisht është lënë i lirë nga organet e rendit të Maqedonisë së Veriut. Lirimi i tij erdhi pasi Gjykata Supreme dha mendim negativ për ekstradimin e tij në Serbi, pasi siç qëndron në vendimin me shkrim, nuk janë përmbushur parakushtet ligjore për ekstardim. Në arsyetimin e vendimit është theksuar se Tomor Morina, për të cilin kërkohet ekstradim, është shtetas i Republikës së Kosovës dhe i Mbretërisë së Bashkuar dhe jo i Republikës së Serbisë, kurse vepra penale për çka kërkohet ekstradim, është kryer në territorin e Kosovës.

Gjykata Supreme
 “Gjykata Supreme e Republikës së Maqedonisë se Veriut njofton se më 14 gusht 2019 solli vendim, ku vërtetohet vendimi i Këshillit Penal i Sektorit për krim të organizuar dhe korrupsion në Gjykatën Penale Shkup nga data 07.08.2019, e cila vendosi se nuk përmbushen parakushtet ligjore për ekstradimin e personit T.M, shtetas i Mbretërisë së Bashkuar dhe Republikës së Kosovës”.

Një mendim të tillë më 7 gusht e dha edhe Gjykata Themelore e Shkupit, të cilët pasi e rishikuan dokumentacionin e plotë të kërkesës serbe për ekstradim, sollën vendim se nuk përmbushen kushtet për ekstradimin e Tomor Morinës. Këtë vendim Themelorja e solli duke e vlerësuar po ashtu edhe praktikën e deritanishme gjyqësore dhe të së drejtës ndërkombëtare. Me qenë se lënda ishte dërguar për rishikim edhe në prokurori, nga atje kishin thënë se duke vepruar në korniza të kompetencave ligjore, propozuan që Gjykata Supreme të konfirmojë vendimin e dhënë nga Gjykata Penale, më datë 7 gusht.

Lirimi i ish ushtarit të UÇK-së dhe kthimi i tij në Kosovë, bëhet brenda ditës së sotme.

Tomor Morina, u arrestua më 24 korrik në pikën kufitare në Bllacë. Ai u mbajt për më shumë se dy javë në Burgun e Shutkës, në bazë të një fletarresti të Interpolit të lëshuar nga Serbia. Ai akuzohej se gjatë viteve 98-99-të kishte kryer krime lufte.

Deri në këto momente nuk ka asnjë reagim nga autoritetet serbe, lidhur me mos pranimin e kërkesës së tyre për ekstradimit të Morinës.

Emine Ismaili /SHENJA/