` . (VIDEO) Sulmohet një infermiere, ministri kërkon polici në spital – TV-SHENJA

(VIDEO) Sulmohet një infermiere, ministri kërkon polici në spital

Familjarë të një pacienti të vdekur në Klinikën për mjekim intensiv në Shkup, kanë sulmuar fizikisht dhe verbalisht një infermiere. Incidenti ka ndodhur para hyrjes së klinikës, pasi që sulmuesve u kishte vdekur një njeri i afërt. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe dhe drejtoresha e Klinikës Maja Mojsova e dënuan ashpër rastin dhe kërkuan ekipe policore që t’i mbrojnë ata nga sulmet e përditshme të familjarëve.

Maja Mojsova, klinika për mjekim intensiv

“Infermierja nuk ka lëndime të rënda, por është lëshuar në pushim mjekësor, dhe asaj do t’i bëhet vlerësim psikiatrik. Ajo si dhe i gjithë personeli janë tejet të shqetësuar. Po punojmë në kushte tejet të vështira pasi shumë shpesh na ndodhin kësi rastesh. Ne që punojmë në emergjencë jemi vazhdimisht pre e sulmeve të familjarëve pasi tek ne vijnë ata që janë rëndë të sëmurë. E dënoj këtë akt, unë dhe gjithë personeli jonë dhe kërkojmë më shumë mbrojtje”

Mjekja Maja Mojsovska apeloi deri tek qytetarët që t’i lejojnë mjekët ta bëjnë punën e tyre, pasi ata nuk mund të punojnë teksa mbi ta ushtrohet mobing i tillë me kërcënime për jetë dhe dhunë. Ministri i shëndetësisë e dënoi rastin po ashtu dhe ua kujtoi qytetarëve se kjo nuk është mënyrë për të zgjidhur problemet. Filipçe tha se e kupton dhimbjen e familjarëve, por kujtoi se personeli shëndetësor punon natë e ditë për të shpëtuar jetë, dhe nuk duhet trajtuar në këtë mënyrë. Filipçe tha se tashmë i ka kërkuar ministrit të brendshëm ekipe policore për mbrojtje të mjekëve.

Venko Filipçe, ministër i shëndetësisë

“Kisha një bisedë telefonike me ministrin e brendshëm dhe gjatë ditës do të shohim të gjithë alternativat për të rritur sigurinë këtu në kampus, dhe në vendet më kritike nëpër klinika, para së gjitha në Qendrën emergjente, dhe aty ku ka më së shumti pacientë gjatë natës. Ne nuk mund ti ndalojmë vizitat. Vlerësoj se më së miri është që pjesëtarë të MPB-së të rrijnë aty” 

Ministri i brendshëm Oliver Spasovski njoftoi se tashmë sulmuesi është kapur dhe po merret në pyetje në polici, dhe kur të mblidhen provat e nevojshme, do t’i ngritet kallëzimi penal. Ky nuk është rasti i parë i sulmit ndaj punonjësve shëndetësor. Rasti i fundit ndodhi kur një infermiere në Gjinekologji ishte sulmuar nga një familjar i një lehone. Ndërsa para tre vitesh, ndodhi një rast edhe më i rëndë. Një familjar gjuajti me shtatë plumba drejt një kirurgu, dy prej plumbave përfunduan në trupin e mjekut. Sulmuesi u dënua me pesë vite burg.

Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/