` . (VIDEO) Specialja me gjashtë raste të reja. Osmani: I gatshëm të bashkëpunoj me PSP-në – TV-SHENJA

(VIDEO) Specialja me gjashtë raste të reja. Osmani: I gatshëm të bashkëpunoj me PSP-në

Pasi Prokuroria Special hapi gjashtë raste të reja të krimit financiar në radhët e institucioneve të ndryshme të shtetit, duke pretenduar se buxheti i shtetit është dëmtuar për mbi 80 milion euro, kanë dalë reagimet e para nga personat e dyshuar, raporton SHENJA.

I pari reagoi zëvendëskryeministri Bujar Osmani, i cili tha se ai nuk ka asgjë për të fshehur dhe se është i gatshëm për bashkëpunim me PSP-në, pasi sipas tij, ai është i interesuar që t’i hiqet njolla e zezë e vendosur padrejtësisht.

Bujar Osmani, ZV/kryeministër

“Apeloj që ky hetim të kryhet sa më shpejtë, që të verifikohen faktet. Jam i sigurt se faktet konstatojnë se të gjitha projekte, të gjitha realizimet, aq sa kam qenë në dijeninë time dhe në kompetencat e mia, kanë qenë në kuadër të ligjit dhe asnjë shkronjë e ligjit nuk është thyer. Gjithçka ka qenë në interes të qytetarëve të Maqedonisë. Për mua personalisht është shumë i rëndësishëm ky hetim, për shkak se dua të heqin çdo njollë nga puna e suksesshme e ime në Ministrinë e Shëndetësisë. Qindra e mijëra projekte janë realizuar në atë kohë dhe nuk besoj se ka pasur mandat tjetër në Ministrinë e Shëndetësisë ku janë realizuar aq projekte sa në kohën kur kam qenë unë ministër”

Bujar Osmani dyshohet se gjatë kohës kur e ka kryesuar Ministrinë e Shëndetësisë, ka keqpërdorur pozitën e tij si ministër, për të bërë manipulime në tenderë të destinuar për ndërtim të disa objekteve shëndetësore, dhe me 14 bashkëpunëtorët e tij, kanë keqpërdorur mbi 2.5 milion euro.

Pas tij me reagim doli edhe ish kryeministri Nikolla Gruevski i cili është i dyshuar në dy raste. Për propagandë në mediat private për çka ka paguar mbi 5 milion euro para të popullit, si dhe për ndikim të paligjshëm në shitjen e dy parcelave shtetërore për Universitetin Ballkanik. Gruevski ankohet se është pre e përndjekjes politike nga një prokurori që siç thotë, është mashë e LSDM-së.

Nikolla Gruevski, i dyshuar për krim financiar

“Gjashtë hetimet e reja të PSP-së janë vazhdim i përndjekjes politike ndaj ish-funksionarëve të lartë dhe atyre aktual të VMRO-DPMNE-së, ndërsa në kontekst të dobësimit të pozitave të partisë dhe individëve të saj, si edhe në kontekst të ndryshimit të emrit pas referendumit të pasuksesshëm. PSP nuk është as institucion i pavarur, as jopolitik e as i paanshëm. PSP është instrument klasik për represion ndaj kundërshtarëve politik dhe mbajtjes sa më të gjatë të LSDM-së në pushtet”

Përveç tre rasteve “Propaganda”, “Pacienti”, dhe “Harmonia”, ku janë të përshirë Gruevski dhe Osmani, PSP dje hapi edhe tre raste të tjera me emrat, “Dhurata”, “Dizajni”  dhe “Stacionet bazë”. Në rastin “Dhurata”, të dyshuar janë ish ministrat Zoran Stavrevski dhe Mile Janakievski, që sipas PSP-së, kanë shpërdorur 33 milion euro. Në rastin “Dizajni” të dyshuar kryesor janë ish ministri Mile Janakievski dhe ish drejtori i Ndërmarrjes për Transport publik Igor Janushev, që e kanë favorizuar kompaninë kineze Jutong për blerje të autobusëve dy katësh, edhe pse kjo kompani ka ofruar 5 milion euro më shumë se një kompani tjetër konkurruese.

Dje prokurorja speciale Katica Janeva siguroi se ajo do ta ndjekë krimin dhe të inkriminuarit, pavarësisht pozicionit të tyre në shtet, apo parti. Ajo siguroi se nuk zhvillon luftë selektive dhe se nuk do ta amnistojë asnjë funksionarë të BDI-së ose LSDM-së, për çka më së shumti kishte kritika nga opinioni.

Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/