` . (VIDEO) Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia nënshkruajnë “Shengenin Ballkanik” - TV-SHENJA

(VIDEO) Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia nënshkruajnë “Shengenin Ballkanik”

Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia kanë nëshkruar sot në Novi Sad marrëveshjen e “Shengenit Ballkanik”. Ky bashkëpunim synon të heqë pengesat për biznesin dhe të mundësojë lëvizjen e lirë të mallrave, njerëzve si dhe shërbimeve ne rajon. Krerët shtetëror të këtyre vendeve, Zoran Zaev, Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq, në takimin e sotëm trilateral, u zotuan sot se do të çojnë përpara të gjitha angazhimet që kanë marrë për bashkëpunimin e thellë midis tre shteteve. Duke folur në konferencën e përbashkët  për media, Zaev tha se marrëveshja e lëvizjes së lirë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor tregon ndryshimin e madh që ka pësuar rajoni.

Sinkron: Zoran Zaev, Kryeministër i Maqedonisë së Veriut

“Ne duhet t’i zbatojmë në ranojin tonë parimet evropiane të bashkëpunimit dhe funksionimit. Duhet të sjellim Evropën në Ballkan në çdonjërin prej shteteve tona. Ajo është pjesë përbërëse e detyrës sonë shtëpiake për integrim në BE. duhet të përforcohen proceset për realizimin e fushës rajonale ekonomike dhe të përmbushim detyrat të cilat i kemi parashtruar për pranim të dyanshëm të diplomave, çertifikatave, ulja e barrierave tregtare, përmirësim i infrastrukturës, sjellja e procedurave më të lehta dhe më efikase doganore”.

Rama deklaroi se, angazhimet dhe projektet që synohen të çohen përpara janë dakordësuar në kuadër të Procesit të Berlinit. Sipas tij, Ballkani Perëndimor nuk është më prioritet i Bashkimit Evropian, por kjo nuk duhet t’i pengojë tre shtetet që çojnë përpara agjendën e bashkëpunimit.

Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë

“S’ka ndryshim agjende në raport me partnerët ndërkombëtarë, por ka një ndryshim formati që është i ndërtuar mes nesh pa pritur që Bashkimi Evropian të ketë kohë të merret me ne. Le ta themi siç është realiteti, ne nuk jemi prioriteti i BE-së, prioriteti i tyre është procesi ku kanë hyrë për të reformuar veten. Ne nuk mund të presim të bëhemi prioriteti i BE-së, por të avancojmë duke strukturuar një veprim shumë më aktiv”.

Ndërkohë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç theksoi se synimi është që qytetarët e Serbisë dhe Shqipërisë të kalojnë kufirin vetëm me kartë identiteti dhe kjo pritet të arrihet deri në vitin 2021.

Aleksandër Vuçiq, President i Serbisë

“Dokumenti që do të shihni bazohet në lëvizjen e lirë të njerëzve dhe shërbimeve, pasi qytetarët tanë meritojnë një jetë më të mirë dhe më pak papunësi. Qëllimi ynë është që të krijojmë mundësinë që deri në fund të 2021 të kalohet kufiri vetëm me kartë identiteti. Kamionët në Ballkanin Perëndimor humbasin 26 milionë orë pritje”.

Takimi i radhës midis tre shteteve do të zhvillohet më 10 nëntor, në Ohër ku pritet të nënshkruhet një marrëveshje midis Ministrive të Arsimit të Shqipërisë dhe Serbisë. Një muaj më pas takimit të Ohrit, liderët do të mblidhen në Shqipëri.

Teuta Buçi /SHENJA/