` . (VIDEO) Raporti i DASH: Korrupsioni mbetet problem i madh në Maqedoninë e Veriut - TV-SHENJA

(VIDEO) Raporti i DASH: Korrupsioni mbetet problem i madh në Maqedoninë e Veriut

“Korrupsioni mbetet një nga çështjet problematike në vend, derisa ka përparime në sferën e gjyqësorit dhe mediave”. Kështu thuhet në Raportin më të ri të Departamentit amerikan të Shtetit, i cili  publikoi raportin mbi të drejtat e njeriut në botë për vitin 2018, që përfshinë edhe Maqedoninë e Veriut, ku janë dhënë vlerësime pozitive dhe negative në disa fusha.

DASH:

“Qeveria e Maqedonisë së Veriut në vitin 2018 ka ndërmarrë aktivitete për të hulumtuar, akuzuar dhe të dënuar persona zyrtarë policorë të cilët kanë bërë keqpërdorime, ndërsa autoritetet në vend kanë pasur kontroll efektiv ndaj shërbimeve të sigurimit, por megjithatë ekziston nivel i lartë i korrupsionit”.

Mes tjerash është theksuar edhe raporti i veçantë i PSP-së për katër gjykatësit  të cilët kanë lejuar politikën të ndërhyjë drejtpërdrejt në gjyqësor. Në raport u gjetën emrat e kryetarit të Gjykatës Supreme Jovo Vangelovski, ish-anëtarit të Këshillit Gjyqësor Aleksandra Zafirovska, gjykatësit Safije Laliçiq nga Gjykata Penale, Svetlana Kostova nga Gjykata e Lartë Administrative dhe ish-Kryetari i Gjykatës Penale, Vladimir Pançevski.

Ndërkaq, nota pozitive janë dhënë për gjykatat dhe qasjen ndaj tyre, ku janë evidentuar përparime dhe gjykime korrekte si dhe përparim është evidentuar edhe në sferën e lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes, por sipas tyre sërish ka nuanca të dhunës dhe frikësimit të gazetarëve.

DASH:

“Edhe më tej ka pengesa që duhet evituar siç janë: pavarësia e kufizuar e gjyqësisë, politizimi i organit mbikëqyrës gjyqësor dhe financat e pamjaftueshme janë pengesë e mëtutjeshme për punën dhe efikasitetin e tyre. Më tej, ka disa raporte se Qeveria i ka detyruar gazetarët në autocenzurë. Komisioni Evropian, në raportin nga 17 prilli, vëren se nuk ka avancim në mbrojtjen e kushteve të punës të gazetarëve, si rezultat i asaj që ata ende praktikojnë autocenzurë”.

Gjithashtu jepet një vlerësim negativ edhe për gjendjen e rëndë dhe johumane në burgjet e vendit, ku siç nënvizohet nuk është arritur implementimi i standardeve ndërkombëtare dhe plotësimi i kushteve për të burgosurit.

Emine Ismaili /SHENJA/