` . (VIDEO) Qytetarët e Butelit dhe Çairit sërish ankohen për kundërmim – TV-SHENJA

(VIDEO) Qytetarët e Butelit dhe Çairit sërish ankohen për kundërmim

Banorët e Çairit dhe Vizbegut përsëri alarmojnë për ajrin e ndotur në vendbanimin e tyre. Qytetarët thonë se vazhdimisht kundërmon një erë e keqe sikurse kur digjet diçka, dhe ka madje edhe tym që mund të duket në orët e hershme të mëngjesit.

Qytetare

“Ka pasë. Më së shumti ka pasë javën e kaluar. Ka qenë shumë një ajër i ndytur. Nuk po mundemi ti hapim as dritaret e asgjë. Ajo ka ndodhur. Dje kam ardhur prej pushimi prandaj nuk e di nëse ka patur edhe ditët e tjera. Vjen era sikur diçka e djegur. Më së shumti ka në mëngjes, por edhe pasdite diku kah ora 1”

Qytetare

“ Po po. Zakonisht kur është ditë pune. Po shihet ndotja e ajrit”

Qytetar

“Po mundohemi për frymëmarrje po çfarë të bëjmë”

Por ka edhe të tillë që dyshojnë se era e keqe vjen nga fabrikat e mëdha.

Qytetar

“Dje kundërmonte shumë në kabllo të djegura. Edhe ditët e tjera, për një kohë të gjatë, por po flas për lagjen Fushë Tophanë.  Por kur është puna për këtu në Çair, së pari herë në mend më shkon Zhelezara sepse vendosin në furra lloj lloj gjërash. Po supozoj se presin kur të ketë shi, ose mjegull, ose gjatë kohës së dimrit. Po supozoj, nuk dua të fajësoj por nuk di ndoshta është edhe ndonjë fabrikë tjetër. Ndodhë herët në mëngjes, deri diku kah ora 8 e mëngjesit. Sigurisht natën djegin gjëra”

Pyetëm Inspektoratin shtetëror të ambientit nëse kanë bërë kontrolle në fabrikat e mëdha, dhe nëse kanë gjetur shkaktarin e ndotjes, por drejtori Fejzulla Spahija është i bindur se ndotja nuk vjen nga fabrikat por nga djegia e gomave dhe plastikave nga qytetarë të etnitetit rom, gjë që nuk është në kompetencën e tyre.

Fejzulla Spahija, drejtor i Inspektoratit shtetëror të ambientit

“Në Çair dhe në Vizbeg nuk ka objekte më të mëdha industriale që janë nën mbikqyrje të Inspektoratit Shtetëror për mbrojten e ambientit e që kanë leje të integruar A. Ndezjet në vende ilegale janë nën kompetenca të inspektorëve komunal. Ne vazhdimisht bëjmë kontrolle tek fabrikat e mëdha, dhe nuk kemi vërejtur parregullsi. Por duhet patur parasysh se kemi vetëm tre inspektorë që nuk mund të arrijnë gjithë punën vetë”

Spahija na drejtori deri tek inspektorët lokal por edhe të Qytetit të Shkupit të cilët poashtu kanë kompetenca me Ligjin për menaxhim me mbeturina pasi sipas tij, ndotja dhe era e keqe e këtyre ditëve sipas të gjitha gjasave është si pasojë  e djegies së gomave dhe plastikave në vende ilegale, një fenomen që kontrollohet me vështirësi. Nga Komuna e Çairit thonë se kontrollet e inspektorëve të ambientit sa i përket pastërtisë janë të përditshme, por gjatë kësaj jave do të dilet në terren  për të identifikuar edhe shkaktarin e ndotjes për të cilën alarmojnë qytetarët.

Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/